EKSKLUZIVE/ U pezullua për doping, reagon shtangistja Veli: Jam e pastër, Gjoza gënjeshtar dhe… racist (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2022 | 0:15

EKSKLUZIVE/ U pezullua për doping, reagon shtangistja Veli: Jam e pastër, Gjoza gënjeshtar dhe… racist (E PLOTË)

Pas pezullimit nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes nga çdo aktivitet deri në pritje të testit B për Evangjelia Velin dhe prononcimit të Elez Gjozës, ka ardhur edhe reagimi i peshëngritëses. Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, Veli ka dhënë versionin e saj për këtë situatë, ndërsa ka shpërthyer ndaj kreut të FSHP-së, duke lëshuar akuza të forta në drejtim të tij.

Evangjelia Veli 1

PËRGJIGJJA NDAJ GJOZËS

Evangjelia fillimisht mohon të ketë përdorur substanca të ndaluara, ndërsa shprehet se po abuzohet shumë me gjithë këtë situatë. Ajo akuzon Elez Gjozën për nxjerrjen e një vendimi konfidencial dhe jopërfundimtar. “Për sa i përket kësaj situate, po flitet shumë, por askush nuk po i thotë siç janë realisht gjërat. Evangjelia nuk ka marrë asnjë ampulë, që sipas presidentit Gjoza qenka shkaku që unë kam rezultuar pozitiv.

Nëse presidenti i federatës donte të zbatonte ligjin, sikurse duhet të bëjë si president dhe jo të thotë gënjeshtra, dokumentacionet të cilat kanë vajtur në federatë e thonë qartë se bëhet fjalë për një informacion konfidencial dhe nuk duhej bërë publik deri në momentin sa të dalë vendimi përfundimtar, për shkak se nuk bëhet fjalë për një vendim final.

Këtë e ka bërë të qartë vetë federata botërore, që nuk duhet të shpallej asgjë deri sa të dilte vendimi i plotë dhe i detajuar me të gjitha shpjegimet, për shkak se unë e kam dërguar në gjyq. Por ky njeri edhe një herë vazhdon të tregojë se nuk e do sportin, se nuk i do femrat dhe se sa racist i madh është.Një njeri që gjithmonë është munduar të më luftojë, të më nxjerrë pengesa dhe të më mbyllë rrugët”, deklaron 30-vjeçarja.

“DOPINGU NGA GREKËT, NJË PËRRALLË”

Ndërkohë për sa i përket deklaratës së Gjozës se grekët kanë dorë në rastet e dopingut në shtangën shqiptare, Veli shprehet: “Mirë do të ishte që këto përrallat dhe gënjeshtrat se kush jeton në Greqi rezulton pozitiv të mos vazhdojnë më, sepse pozitivë kanë rezultuar edhe sportistët që jetojnë në Shqipëri siç është: Erkand Qerimaj, Briken Calja, Fetije Kasaj, Romela Begaj e shumë të tjerë, të cilët kanë dalë pozitivë dhe jetonin këtu dhe jo në Greqi apo ndonjë shtet tjetër.

Nëse përdorim këtë logjikë, atëherë unë fare mirë mund të them që dy herë që kam rezultuar pozitiv, kanë qenë në rastet kur jam grumbulluar në Shqipëri dhe jo në Greqi.

Në qoftë se Gjozës të gjitha këto raste pozitive po i vijnë nga Greqia, kur i kërkova që të ikja nga Shqipëria, të më kishte lënë që të ikja, sepse kështu i bie që edhe unë duhet të mendoj përfundimisht se Shqipëria po m’i bën të gjitha këto gjëra. Kur them Shqipëria, e kam fjalën për presidentin e federatës shqiptare, i cili nuk donte që unë të dilja mirë. Prandaj më ka vënë gjithë ato pengesa dhe nuk më ka mbështetur me asgjë”, deklaron Veli.

KONTROLLET

Peshëngritësja më tej flet për kontrollet antidoping të bëra së fundmi. Ajo sqaron se nuk është hapur ende testi B, pasi nuk ka dalë akoma përgjigjja e vendimit përfundimtar dhe të plotë për testin A: “Një muaj para Europianit kam kaluar dy kontrolle dopingu, të cilat kanë qenë nga federata botërore, sepse jam te sistemi ku kontrollohemi gjatë të gjithë vitit. Kam kaluar kontroll dy herë pas Kampionatit Europian, të cilat të gjitha kanë dalë negative, si urina gjithashtu edhe gjaku. Kontrolli i Europianit i cili ka rezultuar pozitiv, është diçka që nuk ka asnjë shpjegim, as për mua dhe për as për njeri tjetër, sidomos me atë lloj substance. Është diçka që akoma po kërkohet dhe po kontrollohet. Nuk është hapur mostra B, sepse avokati im ka bërë kërkesë që të jepet analiza fiks dhe e detajuar e mostrës A, e cila nuk na është dorëzuar akoma nga federata botërore, nga laboratori dhe nga askush. Kjo është edhe arsyeja pse për momentin nuk ka asnjë dënim për emrin tim, por të gjitha këto, federata po i fsheh, po mundohet të mohojë dhe të nxjerrë gjëra të këqija duke hedhur baltë mbi emrin tim”.

MUNGESA E MBËSHTETJES

Veli thekson gjithashtu se nuk ka pasur asnjëherë mbështetjen dhe vlerësimin e duhur nga FSHP-ja edhe pse ka regjistruar rezultatet shumë të larta dhe të pastra në garat ndërkombëtare: “Personalisht me federatën shqiptare, dhe sidomos me presidentin e saj, nuk dua asnjë lidhje dhe këtë ia kam bërë të qartë me avokatin tim pranë federatës botërore. Kjo sepse FSHP-ja dhe presidenti Gjoza nuk më kanë mbështetur dhe nuk kanë bërë asgjë për rezultatet e mia. Nuk duhet të harrojmë që në vitin e kaluar mora medalje në Europian, aktivitet ku federata nuk donte që as të më dërgonte.

Nuk rezultova pozitive atje, ndërsa dola gjithashtu e katërta në Kampionatin Botëror, edhe pse u munduan shumë që ta zbehnin dhe ta ulnin si rezultat. As aty nuk rezultova pozitive në kontrollin antidoping. Kam gjithë ato kontrolle në të cilat kam dalë negative. Pra, në rastin e fundit është i vetmi kontroll dhe ka shumë gjëra për t’u sqaruar. E përsëris, kjo është situata dhe e vërteta për momentin dhe nuk është hapur mostra B, sepse ka shumë mangësi situata aktuale, të cilat duhet t’i sqarojë federata botërore dhe laboratori”.

“MEDALJET, TË PASTRA”

Veli i quan medaljet që ka fituar në Kampionatin Europian të pastra dhe thotë së kësaj çështjeje do t’i shkojë deri në fund: “Medaljet e mia janë atje ku duhet të jenë, te vendi i tyre. Unë jam akoma kampione e Europës dhe sado që të mundohen që të ma heqin këtë titull, nuk mund ta bëjnë derisa të merret vendimi përfundimtar. Medaljet i kam fituar me djersë dhe vetëm unë e di se sa jam lodhur. Kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund dhe do ta shikoni se cila është e vërteta”. DËNIMI Peshëngritësja ndalet të flasë edhe për pjesën e dënimit:

“Për sa u përket atyre që kam lexuar për dënimin nëse del pozitiv edhe mostra B, dua të them se gjithçka është shumë e qartë edhe te dokumentacioni që ka federata.

Pra, edhe në rastin më të keq, që përfundimi të dalë se unë jam pozitive, kjo do të jetë shkelja e para për mua, sepse në 2018-ën e kam fituar, pasi gjithçka theksohet shumë mirë në dokumentacionet që kanë vajtur në federatë. Pra, nëse kjo çështje nuk përfundon në favorin tim dhe dal pozitive, dënimi për mua do të jetë maksimumi 4-vjeçar ose më pak, 2 apo 1, sepse është dënimi i parë, por nëse unë e fitoj, do të jetë zero”, përfundon deklaratën e saj peshëngritja Evangjelia Veli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Tronditet peshëngritja shqiptare, Evangjelia Veli rezulton me doping në Kampionatin Europian

Federata e Peshëngritjes pezullon Evangjeli Velin, ka akuza për vëllain e Pirro Dhimës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"