EKSKLUZIVE/ U largua nga Laçi me një dopietë, ja sa do të përfitojë klubi kurbinas pas shitjes së Adelekes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2023 | 14:50

EKSKLUZIVE/ U largua nga Laçi me një dopietë, ja sa do të përfitojë klubi kurbinas pas shitjes së Adelekes

Sulmuesi nigerian, Adeleke Akinjemi, nuk do të jetë më pjesë e Laçit pas shkëlqimit në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës, ku arriti të shënojë dy gola. Ai do të udhëtojë sot drejt Çekisë për t’iu bashkuar në orët e ardhshme skuadrës së re, MFK Karvina.

adeleke

Kjo e fundit militon në ligën e dytë çeke dhe ka bërë një ofertë zyrtare për nigerianin, i cili është nën kontratë me Laçin.

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë rënë dakord për transferimin në Çeki të Adelekes, teksa në arkën e klubit kurbinas do të shkojnë 50 mijë euro.

Për t’u përshëndetur me Adeleken, dje klubi organizoi edhe një darkë, ku ishte e gjithë skuadra bashkë me stafin teknik dhe drejtuesit.

“Kur u dëmtova nuk e mendova se do të rikthehesha në këto nivele. Presidenti më njoftoi se ka ardhur një ofertë në klub dhe unë e vlerësoj shumë atë që më ka dhënë lejen në këtë moment për të vazhduar karrierën në Çeki. I falënderoj të gjithë te Laçi për momentet që kemi kaluar bashkë. Nuk do t’ju harroj kurrë”, ka thënë i emocionuar nigeriani para skuadrës.

Adeleke erdhi në janarin e vitit të kaluar te Laçi dhe në këtë kampionat ka shënuar 6 gola në 19 ndeshjet e luajtura deri tani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"