EKSKLUZIVE/ U largua nga Bylisi, klubi i Kategorisë së Parë futet në skenë për Veljko Dovedan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2021 | 15:36

EKSKLUZIVE/ U largua nga Bylisi, klubi i Kategorisë së Parë futet në skenë për Veljko Dovedan

Besa mbetet ende pa trajner. Që pas largimit të Ndriçim Kashamit, klubi vazhdon kërkimet për pasardhësin e tij. Shumë pranë firmës ishte Klevis Dalipi, por akordi nuk erdhi kurrë. Elbasanasi nuk u bind nga kushtet dhe, për pasojë, pista u sfumua plotësisht. Nexhat Bizhdili do të ndërtojë një ekip që të garantojë ngjitjen në elitë, ndaj pret garanci nga trajneri i ri.

dovedan

Është ky shkaku që nuk po nxitohet për stolin, pasi do që të peshojë çdo kandidat që do të ketë në tavolinë.

Të shumtë janë emrat që ka në tavolinë, por gazeta “Panorama Sport” zbulon dy. Bëhet fjalë për të huaj, por që e njohin mirë realitetin shqiptar.

Veljko Dovedan dhe Jovan Mihajloviç janë trajnerët që u janë sugjeruar nga menaxherë të ndryshëm drejtuesve kavajas. I pari është i mundshëm, në fakt, kur dihet që vetëm një muaj më parë ka shkëputur zyrtarisht marrëdhëniet me ballshiotët. Serbo-boshnjaku nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi e drejtoi për tri sezone me radhë Bylisin.

Ishte meritë e tij që skuadra u ngjit në Kategorinë Superiore, përtej fundit të hidhur në kampionatin e fundit. Tjetri është Jovan Mihajloviç, edhe ky një trajner me shumë eksperiencë.

Ai ka një karrierë të pasur, ndërsa ka qenë pjesë e stafit të Luftëtarit si përgatitës portierësh. Ka punuar edhe në Greqi, me Olimpiakosin, apo dhe te Kalloni, Panaxiakos, AEK, Dnipro, AEL Nikosia etj. Kavajasit duan një ekip dinjitoz në sezonin e ardhshëm, ndaj edhe do të synojnë që ta nisin që nga stafi dhe më pas të formojnë skuadrën.

Qëllimi i presidentit është i qartë: të ndërtojë ekipin më të mirë në 6 vitet e fundit. U bënë 5 sezone që kavajasit dështojnë (nuk e sigurojnë dot ngjitjen, ndonëse e nisin me pretendime madhore kampionatin), ndaj tani duan që të realizojnë me çdo kusht këtë mision. Me këtë motiv, Nexhat Bizhdili ka premtuar edhe supermerkato gjatë kësaj vere.

Ai është në kontakte me 5 futbollistë që kanë luajtur në Kategorinë Superiore. Emrat mbahen “mister”, megjithatë në parim është arritur një akord me ta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"