EKSKLUZIVE/ U la jashtë Europës, menaxheri i Çanit: Nuk e prishim kontratën, vendimin ia tha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 22:57

EKSKLUZIVE/ U la jashtë Europës, menaxheri i Çanit: Nuk e prishim kontratën, vendimin ia tha…

Edgar Çani kërkon të respektojë kontratën deri në fund me klubin e Partizanit, pavarësisht se trajneri Skënder Gega nuk e përfshiu në listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet ndaj Mariborit, të vlefshme për turin e parë të Ligës së Europës.

edgar cani

Vetë sulmuesi, i kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, nuk pranoi të komentonte vendimin e klubit, por gjithsesi, në lidhje me këtë çështje foli ekskluzivisht për gazetën menaxheri që transferoi Çanin te të kuqtë në verën e kaluar. Agjenti i FIFA-s, Mario Cenolli, tregon se ka mbetur i befasuar nga mospërfshirja e Çanit në listë, për më tepër në një moment kur lojtari nuk ka probleme fizike. Ai thekson se klienti i tij ka një kontratë të rregullt dhe tashmë pret të takojë drejtorin Rama.

196345f9-d626-41fe-9d2d-f404723044fb

 

Mario, Çani mbeti jashtë listës për ndeshjet e Ligës së Europës. I shokuar nga ky vendim apo e prisnit?

Kur mësova lajmin e lënies jashtë të Çanit, sigurisht që  mbeta i befasuar. Të them të drejtën, nuk e kuptova këtë vendim, por mesa duket klubi ka pasur motivet e veta dhe e ka bërë. Unë si agjent i lojtarit di t’ju them me bindje të plotë se Edgari është stërvitur mirë gjatë kësaj minifaze përgatitore dhe mezi priste të luante ndaj Mariborit.

Ka zëra për një krisje mes tij dhe trajnerit Gega…?

Absolutisht jo, nuk ka asnjë problem me trajnerin Gega. I hedh poshtë këto zëra, përkundrazi, Çani ka një raport të shkëlqyer, si me trajnerin dhe me pjesëtarët e tjerë të ekipit. Pse Çani u la jashtë listës, është një pyetje që kërkon përgjigje nga drejtuesit e klubit, jo nga mua apo lojtari.

Pas këtij vendimi, mos ndoshta është momenti që të rishikoni kontratën me Partizanin?

Lojtari s’ka bërë asgjë të keqe për të rishikuar kontratën. Ai ka një kontratë të rregullt me Partizanin dhe do e respektojë deri në fund. Siç e thashë edhe më lart, Çani gëzon një formë të mirë fizike. Normal, nuk është në 100 % e tij, por forma fizike vjen gradualisht.

Trajneri e ka sqaruar Çanin për vendimin e marrë?

Vendimin ia ka komunikuar lojtarit drejtori i klubit. E përsëris, Çani është gati të luajë. Pse mbeti jashtë, këtë e di vetëm klubi.

Ju si agjent dhe lojtari, a keni ndërmend të bisedoni me drejtuesit për të sqaruar pozicionin dhe të ardhmen?

Unë ndodhem në Londër në këto momente që po flasim dhe nesër do të vij në Tiranë, ku do të bisedoj me drejtorin Rama për të gjetur një zgjidhje, që do t’i lërë të kënaqur të gjithë.

Dyshoni se kjo situatë mund të jetë pse jo një manovër e klubit për të detyruar lojtarin të largohet, duke qenë se është edhe ndër më të paguarit?

Nuk besoj që drejtuesit e Partizanit mund të bëjnë manovra të tilla, duke e ditur mirë që lojtari ka një kontratë të rregullt. Dëshira e lojtarit është që ta respektojë deri në fund marrëveshjen. Është shumë e qartë, Çani kërkon të qëndrojë, problemi është te klubi.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"