EKSKLUZIVE/ U “kris” me Apoloninë, Tirana hedh grepat për mbrojtësin e fierakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 23:10

EKSKLUZIVE/ U “kris” me Apoloninë, Tirana hedh grepat për mbrojtësin e fierakëve

Informacione të mbyllura nga klubi, a thua se Apolonia po kërkon yjet e botës dhe, nëse i deklaron për mediat para kohe, ia rrëmbejnë skuadrat e tjera! Dhe kujt pa, një ekipi që thuajse gjithmonë ka dështuar me të paktën 50% të prurjeve në verë, duke i larguar në dimër. Siç ndodhi edhe sivjet me Bumbar, Artur, Ndraxhin dhe me ndonjë tjetër që është në “këmbëzën” e largimit. Heshtja, në fakt, më shumë se nga frika e rrëmbimit prej ekipeve të tjera, realisht (e padeklaruar) ka të bëjë me refuzimin e lojtarëve të kërkuar, siç ka ndodhur gjer me Ribajn, Gilman Likën etj. Buxheti, oferta në vlera monetare modeste, pozicioni në renditje apo diçka tjetër – nuk dihen arsyet e vërteta pse refuzohet Apolonia, por kokëfortësia e fakteve mbetet e tillë: Asnjë lojtar nuk ka pranuar të nënshkruajë këtë janar, edhe pse janë kontaktuar rreth 10 të tillë…
eljon-sota
ÇËSHTJA “SOTA” – Në fakt, ka një çështje të tillë, edhe pse e kamufluar nga të gjithë faktorët në skuadër dhe në klub: shkarkimi si kapiten i Eljon Sotës. Pavarësisht gjithçkaje, edhe heqjes së shiritit, Sota mbetet unikal, i vetmi lojtar i pazëvendësuar asnjë minutë në dy sezone radhazi tek Apolonia. Nuk janë pa gjë zërat se Sota u shkarkua “si Zhukovi”, për arsye se nuk ka pranuar rinovimin me Apoloninë, paçka se vetë lojtari e mohon diçka të tillë, duke u shprehur: “Ka qenë vendim i presidentit pas ndeshjes me Kukësin”, a thua se humbja minimale dhe me 1 gol fantazmë e Apolonisë ndaj verilindorëve qe për faj të një individi, ish-kapitenit Sota, i cili pati shkarkim “zhukovian” nga presidenti Kokëdhima, teksa kurohej nga COVID-i!
Tirana-Apolonia
Nga burime të sigurta në klubin fierak mësojmë se numri 28 i Apolonisë, Eljon Sota, është kërkuar vazhdimisht nga Tirana, çka e ka vënë në dilemë klubin, por edhe mbrojtësin për të mos rinovuar. Në kësi kushtesh, për presion ndaj lojtarit, ka qenë Kokëdhima, i cili ka urdhëruar prej Turqie heqjen e shiritit të kapitenit Sota, duke e justifikuar me “paraqitjet e dobëta”, sidomos me Kukësin, por, nën zë, me fjalinë: “Lojtarët që nuk pranojnë rinovim kontrate me ne dhe që mendojnë për ekipe të tjera, nuk mund të jenë liderë të Apolonisë!” Por “loja e dobët” e Sotës stonon me faktin që ai nuk ka humbur asnjë minutë në këtë sezon, edhe pas “gjyqit” të Kukësit. Duket se është rikthyer historia e stisjeve fasadë tek Apolonia, ndonëse vetë ishkapiteni 22-vjeçar, Sota, deklaron në mënyrë emblematike: “Mos më pyesni më për këtë çështje! Respektoj vendimin e presidencës dhe kaq”.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"