EKSKLUZIVE/ “Vendi i 12-të nuk më tremb, ngjitja objektiv i vetëm”, Edlir Tetova: Ja pse zgjodha Lushnjen (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 21:15

EKSKLUZIVE/ “Vendi i 12-të nuk më tremb, ngjitja objektiv i vetëm”, Edlir Tetova: Ja pse zgjodha Lushnjen (E PLOTË)

Vetëm dy ditë mbeti bosh pankina e Lushnjës. Klubi ka zgjedhur përfundimisht trajnerin e ri. I pari emër që doli në skenë është emëruar zyrtarisht. Bëhet fjalë për Edlir Tetovën, i saposhkarkuar nga Egnatia. Ai ka arritur akordin dje në mesditë dhe në orën 15:00 është prezantuar para ekipit. Ndonëse seancën e parë e ndoqi nga pankina, nga sot do të nisë nga puna. 

EDLIR TETOVA (1)

Gjatë intervistës së parë të dhënë për “Panorama Sport”, durrsaku tregon si erdhi akordi dhe zbulon objektivat që i kanë vendosur. I është kërkuar ngjitja dhe e ka pranuar si sfidë. Edhe pse i gjen verdhejeshilët në vendin e 12-të dhe me 5 pikë, 39- vjeçari nuk trembet dhe paralajmëron ringritjen.

Nuk ju lanë që të dilnit në pension kaq shpejt, Lushnja e “blindoi” direkt Edlir Tetovën…

(Qesh) E vërtetë, por është gjë tjetër ajo.

Si u arrit kaq shpejt akordi me Lushnjën?

Kisha kontakt që ditën e tretë të largimit nga Egnatia, në mos gaboj. Më morën në telefon dhe lamë një takim. U arrit shpejt akordi, pasi bëhet fjalë për një projekt ambicioz dhe kjo më joshi. Shpresoj që ta nisim mbarë.

Sa e njihni Lushnjën? 

Pak, të them të drejtën. Duke qenë në aktivitet vetë gjatë fundjavave, nuk e kam pasur mundësinë që ta ndjek. Por di të them që angazhimi im do të jetë maksimal. Futbolli është njësoj, e gjithë ideja qëndron te mobilizimi. Jam i sigurt që këtë do ta gjej edhe te lojtarët, gjë që do të ma bëjë punën më të lehtë.

E kishit të vështirë kalimin nga elita në Kategorinë e Parë?

Jo. Në fund të fundit, kjo është punë. Pastaj është thënë dhe stërthënë që Kategoria e Parë këtë vit është një Superiore numër “2”. Ka klube me traditë dhe rivaliteti është shumë i madh. Kjo ta sfumon direkt atë idenë e ndryshimit të ligave.

Cili është objektivi që ju ka vendosur presidenca?

Objektivi është ngjitja në elitë dhe mundësitë janë. Le të mbledhim forcat nga unë i pari e për të kaluar me radhë të lojtarët dhe tifozët, për të arritur këtë qëllim. Nëse veprojnë të unifikuar, do t’ia dalim.

A ju tremb vendi i 12-të, pasi Lushnjën nuk e gjeni në pozita fort të mira dhe për më tepër bëhet fjalë për një kampionat ku 4 skuadra bien direkt?

Të trembem?! Jo. Unë jam një person që më pëlqejnë sfidat. Lushnja për më tepër është një ekip që ka futboll dhe mbi të gjitha një tifozëri të zjarrtë. Kaq mjafton, që gjithçka të bëhet më e thjeshtë.

Sa lojtarë të Lushnjës njihni?

Pepa, Canka, Ruço apo Spaho. Janë lojtarë që kanë prekur edhe Superiore. Besoj do të jenë mbështetje e madhe për ekipin.

Pyetja e fundit është për ndeshjen e radhës, që përkon edhe me debutimin tuaj. Luhet në shtëpi dhe përballë një ekipi që mbyll renditjen. Jua bën kjo më të thjeshtë kthesën?

Qëllimi është pikërisht ky, që të gjejmë kthesën. Nëse jemi një ekip që tregon uri dhe dëshirë në fushë, do ta nisim mbarë këtë rrugëtim.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Zyrtare/ Edlir Tetova arrin akordin, emërohet trajner i Lushnjës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"