EKSKLUZIVE/ Trukimet në basketboll, gjyqtarët presion Goreas pas akuzave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 10:05

EKSKLUZIVE/ Trukimet në basketboll, gjyqtarët presion Goreas pas akuzave

Disa ditë më parë presidenti i Teutës, Arqile Gorea, tronditi opinionin publik me disa akuza në drejtim të drejtuesve të basketbollit shqiptar. Gorea sulmoi krerët e FSHB-së për ndërhyrje në përzgjedhjen e gjyqtarëve në kompeticionin e Ligës Unike, ndërhyrje për të cilat presidenti i ekipit bregdetar deklaroi se beson se bëhen për trukime dhe manipulime të ndeshjeve, të cilat kuotohen në kompanitë e basteve.

fshbMoment gjatë një seminari të gjyqtarëve

Lidhur me këto akuza të rënda ka reaguar Shoqata e Vëzhguesve dhe Gjyqtarëve të Basketbollit Shqiptar, që ka si kryetar Arben Kasmin.

Nëpërmjet një deklarate ekskluzive për “Panorama Sport”, kjo shoqatë mohon kategorikisht që arbitrat të kenë marrë urdhra për paracaktimin e ndeshjeve.

Shoqata e Vëzhguesve dhe Gjyqtarëve kërcënon se në rast se kreu i skuadrës bregdetare vazhdon të përdorë gjuhë ofensive ndaj tyre, atëherë nuk do të pranojnë më që ta arbitrojnë Teutën.

Më poshtë ju pasqyrojmë edhe deklaratën e plotë të shoqatës.

DEKLARATA E SHOQATËS SË VËZHGUESVE DHE GJYQTARËVE

“Për të disatën herë z. Arqile Gorea lëshon akuza në ajër duke hedhur baltë mbi personalitetin dhe profesionalizmin tonë, në një kohë që ne zbresim në parket dhe bëjmë punën tonë me pastërti. Natyrisht në këtë profesion si në çdo profesion tjetër mund të ketë gabime, ashtu sikurse mund të humbasin kosha edhe lojtarët e skuadrës suaj. Shumica e gjyqtarëve tanë janë në gjykim prej shumë kohësh dhe natyrisht edhe përpara se ju të ishit pjesë e basketbollit.

Deklarojmë këtu zyrtarisht që nuk kemi marrë ndonjëherë urdhër nga federata për ndonjë ndeshje, nëse duhet të fitojë apo të humbasë ‘x’ skuadër. Në emër të shoqatës deklarojmë sot zyrtarisht dhe publikisht, që nëse vazhdoni me këtë gjuhë, duke hedhur akuza për gjyqtarët e basketbollit, skuadra e Teutës nuk do të gjykohet më nga ne për aq kohë sa ju do të jeni president. Këtë shkresë do ta dërgojmë edhe në federatë, në emër të shoqatës.

Ju lutemi na lejoni të bëjmë punën tonë! Punën tonë ka një komision që e vlerëson. E përsërisim edhe një herë që nuk kemi marrë asnjë urdhër as nga sekretari i federatës, as nga presidenti i federatës dhe nga asnjeri. Teuta është skuadra që në këto vite që flisni ka fituar më shumë ndeshje dhe më shumë trofe nga të gjithë.

Ju lutemi mund të na thoni cili është kontributi juaj, a keni bërë përpjekje ju në këto vite që jeni drejtues i shoqatës suaj të afroni ndonjë gjyqtar apo kontribut quani vjelljen vrer ndaj punës së të tjerëve. Nëse vazhdoni me presione, ne jemi të prerë në vendimin tonë për të mos e arbitruar më Teutën tuaj”, shkruhet në deklaratën e shoqatës. Ndërkohë FSHB-ja ende nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë çështje.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Akuzat për ndërhyrje e trukime, reagon presidenti i eventit: Liga Unike është e pavarur, nuk mbajmë askënd me zor 

EKSKLUZIVE/ “FSHB po fut hundët me arbitrat, tërhiqemi nëse…”, bixhoz dhe në basketboll, presidenti i Teutës plas “bombën”: Ja si po trukohet (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"