EKSKLUZIVE/ Troisi pa kontratë, ja kush është zyrtarisht trajner i Flamurtarit kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 11:00

EKSKLUZIVE/ Troisi pa kontratë, ja kush është zyrtarisht trajner i Flamurtarit kundër Vllaznisë

Një Flamurtar i përgjysmuar do të jetë sot në Shkodër, kur dhe do të luhet në orën 14:00 ndeshja kundër Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Edhe pse nga ana e klubit vlonjat pati shpresa të mëdha për një zhbllokim të merkatos pas dënimit nga FIFA, një gjë e tillë nuk ndodhi (të paktën deri para ndeshjes me Vllazninë).


fLAMURTARI TROISI

Kjo ia ka vështirësuar së tepërmi gjërat stafit teknik, që i është dashur të punojë gjatë javës me një formacion të kushtëzuar, duke qenë se afrimet e deritanishme si Bruno Lipi, Uelder Kosta, Flosard Malçi dhe Indio Oliveira e kanë të pamundur të luajnë. Kësisoj, Flamurtari do të zbresë sot në fushë me emrat e mbetur nga pjesa e parë e sezonit. Bëhet fjalë për portierin Shpëtim Moçka, e me radhë Gocaj, Pjeshka, Rrapaj, Kreshpa, Nebihu, Vrapi, Muçollari, Llapi, Hoxhaj e Ribaj.

Sikur të mos mjaftonte fakti që nuk bëjnë dot federime, klubi nuk do të ketë të gatshëm në këtë ndeshje të parë as dy titullarë, pikërisht mbrojtësin grek, Jorgos Sarris, si dhe sulmuesin shkodran, Xhevahir Sukaj. I pari vjen pas një dëmtimi në gju, ndërsa Sukaj ka disa ditë që nuk stërvitet me ekipin prej problemeve fizike.

TRAJNERI – Deri dje në mbrëmje klubi i Flamurtarit nuk ka qenë i interesuar për të depozituar në FSHF kontratën me trajnerin Marcelo Troisi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare në institucionin e futbollit, teksa mbetet të shihet nëse gjatë paradites së sotme, klubi do të zyrtarizojë si trajner brazilianin, duke dërguar kësisoj në sektorin e garave pak orë para ndeshjes marrëveshjen me të. Mirëpo, dyshimet mbeten edhe për faktin se Troisi nuk ka licencën UEFA Pro.

Dilemat shtohen edhe më tepër nga prania në stërvitjen e djeshme të trajnerit të Flamurtarit U-17, Dritan Resuli. Ish-mbrojtësi i njohur vlonjat pritet të jetë sot në krye të pankinës kuqezi në Shkodër, ndërsa braziliani mund të regjistrohet si zyrtar klubi, për të qenë të paktën në pankinë. Megjithatë, edhe kjo mbetet për t’u parë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"