EKSKLUZIVE/ Troisi merr drejtimin e Flamurtarit, një qendërmbrojtës afrimi i parë për vlonjatët
Marcelo Troisi do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. “Panorama Sport” zbuloi dje ekskluzivisht përmes faqes zyrtare në internet (panoramasport.al) se braziliani kishte arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit duke mbërritur menjëherë në Vlorë. Palët kanë diskutuar prej ditësh për çështjen e kontratës, për të arritur tashmë te zyrtarizimi dhe prezantimi që pritet të bëhet sot. Emri i brazilianit është përfolur edhe gjatë vitit të kaluar për të marrë drejtimin e Flamurtarit.
Troisi ishte për herë të fundit në Vlorë më 31 tetor 2019. Pikërisht në atë ditë braziliani është parë i shoqëruar me zyrtarët e Flamurtarit, ndërsa ka darkuar edhe me ekipin. Teksa pritej që tre muaj më parë prezantimi i tij si trajner i Flamurtarit, palët nuk arritën marrëveshjen dhe kjo bëri që braziliani të largohej drejt Greqisë. Për “Panorama Sport” në atë kohë vetë administratori Sinan Idrizi tregoi arsyet se përse nuk firmosi Troisi në Vlorë.
“Nuk e arritëm marrëveshjen për shkak se Trois rezultoi të mos e kishte licencën UEFA Pro, që duhet për të drejtuar skuadra në Kategorinë Superiore. FSHF nuk e pranoi licencën që trajneri zotëronte. Nëse atje në Greqi e rregullon duke e njehsuar, ne e presim edhe tri ditë”, pati thënë Idrizi. Tani mbetet për t’u parë nëse Troisi e ka kapërcyer këtë pengesë dhe do të prezantohet pikërisht sot si trajner i kuqezinjve. Megjithatë, gazeta zbulon se ardhja e brazilianit nuk ka si qëllim vetëm faktin e detyrës së trajnerit. Troisi njihet më tepër si një agjent lojtarësh dhe në klubin vlonjat kanë shpresë se do të afrojë disa lojtarë cilësorë në këtë periudhë, që nuk do të kenë një kosto të lartë për klubin.
43-vjeçari brazilian është një emër i njohur për Superioren, pasi më parë ka drejtuar skuadra si Kukësi dhe Laçi, por pa pasur ndonjë sukses. Për herë të fundit ai ka qenë trajner në Greqi te skuadra e Ligës së Katërt, GAS Ialisos. Aventura këtu zgjati vetëm 20 ditë, duke drejtuar ekipin në tri ndeshje dhe më pas u shkarkua. Në tri vitet e fundit Troisi ka punuar si trajner në Greqi edhe me skuadra si Kalithea, Apollon Larisa dhe Iraklis.
GRUMBULLIMI DHE AFRIMET
Ashtu si në verë, edhe tani Flamurtari është skuadra e fundit që nis përgatitjet në Superiore. Lojtarët janë njoftuar të paraqiten sot në Vlorë për të rinisur përgatitjet, ndërsa mësohet se komunikimi nga zyrtarët e klubit është bërë vetëm dje.
Duke qenë se njoftimi është bërë me vonesë, nuk dihet nëse sot do të jenë të gjithë futbollistët nën kontratë të pranishëm në seancën e parë. Gazeta zbulon se afrimi i parë i vlonjatëve do të jetë qendërmbrojtësi 25- vjeçar, Bruno Lipi. Bëhet fjalë për një njohje të vjetër të Troisit, pasi lojtari shqiptar ka qenë pjesë edhe e Bylisit, Laçit e Turbinës. Në tri sezonet e fundit Lipi ka luajtur për ekipe të ligave të ulëta në Greqi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"