EKSKLUZIVE/ “Tregohuni burra”, zbardhet mbledhja e Halilit te Tirana. Presidenti shkund skuadrën (E PLOTE)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 23:50

EKSKLUZIVE/ “Tregohuni burra”, zbardhet mbledhja e Halilit te Tirana. Presidenti shkund skuadrën (E PLOTE)

Refik Halili shkund Tiranën dhe kërkon burra në fushën e lojës. Menjëherë pas barazimit të marrë nga bardheblutë në stadiumin e Kamzës ka ardhur shkundja nga presidenti i Tiranës. Në fakt, të dielën skuadra ishte pushim. Të hënën në mesditë para stërvitjes trajneri Orges Shehi mblodhi skuadrën në “Skënder Halili” për të bërë analizën e ndeshjes.

halili

Gjithsesi, diskutimi nuk zgjati më shumë se 10 minuta, sepse te fusha mbërriti presidenti Refik Halili. Ky i fundit kërkoi një takim me skuadrën dhe në mes të fushës foli për gati 10 minuta. Presidenti nga ana e tij u bëri të qartë lojtarëve se nuk e kishte pritur që në dy ndeshjet e fundit të merrnin vetëm 2 pikë, por nga tani gabimet nuk lejohen.

“Në tri ndeshje kemi marrë 5 pikë. Nuk i prisja dy barazime në dy ndeshjet e fundit. Nuk i prisnit as ju. Askush nuk të fal në futboll, ama ne duhet të tregohemi burra. Ju duhet të tregoheni burra në fushën e lojës. Të luftoni për çdo top dhe çdo aksion. Të tregoheni burra që të ndihmoni shokun kur të tjerët e sulmojnë. Të tregoheni burra në fushë dhe të mos trembeni. Duhet të shfrytëzojmë rastet në fushën e lojës dhe nuk duhet të falim asnjë top që na vjen si mundësi për gol. Ndeshje ka sa të duash dhe ne duhet të tregojmë veten tonë. Të shohim rrugën tonë”, mësohet të jetë shprehur Halili.

Pas mbledhjes, presidenti i Tiranës pa nga afër fushën e re që ka mbaruar së shtruari me bar sintetik. Tirana duhet të merrte nëntë pikë në tri ndeshje, që të kënaqte presidentin Refik Halili, tifozët bardheblu dhe të niste turin e forcës me pikë të plota. Në fakt, Tirana në tri ndeshjet e para që ishin dhe më të lehtat nuk mori më shumë se pesë pikë duke barazuar me Egnatian dhe Kastriotin. Katër pikë të lëna që ndikojnë shumë te bardheblutë sepse tani nis malorja dhe mungojnë goxha pikë.

KALENDARI – Pas ndeshjes me Kastriotin dhe dy takimeve të Kupës me Shkumbinin, Tirana pret gjashtë rrathët e “ferrit”. Si fillim luan me Laçin në shtëpinë e vet. Më pas udhëton në Durrës për të luajtur me kampionët e Shqipërisë, vazhdon me Partizanin, udhëton drejt Shkodrës, luan me Dinamon brenda dhe në fund përballet me Kukësin. Të gjashta ndeshjet janë pa dyshim shumë të vështira në statistika. Sezonin e shkuar tri ndeshjet e para Tirana shkoi shumë keq. Në ndeshjen hapëse të kampionatit 2020- 2021 mundi Kukësin, por më pas në tri javë grumbulloi vetëm 3 pikë duke larguar një trajner. Në fund të fazës së parë, Tirana kishte vetëm 13 pikë me një mesatare më pak se 1.5 pikë për ndeshje. Në fund pikët e lëna në fazën e parë dhe të dytë ndikuan në objektivat e bardhebluve që nuk u kualifikuan dot në Europë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"