EKSKLUZIVE/ Trashi: Trajneri të pret në besë, jam zënë disa herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2018 | 20:45

EKSKLUZIVE/ Trashi: Trajneri të pret në besë, jam zënë disa herë

Lorenc Trashi i është kundërpërgjigjur trajnerit të Partizanit, Sulejman Starova, pas intervistës që ky i fundit ka dhënë në “Panorama Sport” një ditë më parë. Mesfushori i të kuqve, që u përfshi në një sherr me teknikun gjatë miqësores së dy ditëve më parë në Turqi, me një reagim të gjatë ka bërë të ditur se intervista e Starovës ka pasur disa pasaktësi.

Starova-Trashi-Batha-696x464

Sipas Trashit, Starova nuk e ka dashur asnjëherë atë në ekip dhe, nëse do të kishte mundësi, do ta kishte larguar edhe më parë. Gjithashtu mesfushori bën me dije se i ka dhënë edhe dorën trajnerit, por ky i fundit e ka refuzuar. Gjithashtu futbollisti ka bërë me dije për “Panorama Sport” se nuk e ka flakur fanellën, por e ka lënë atë në pankinë.

Trashi, si e vlerësoni reagimin e Starovës për përplasjen me ju?

“Profesor Starova për të justifikuar veten ka shpikur shumë fjalë që s’janë të vërteta. Në radhë të parë, unë s’i jam drejtuar me tone të larta profesorit, por e kundërta. Jam ulur në pankinë shumë i qetë dhe i kam folur tamam: ‘Profesor pse s’më le edhe pak të merrja pak përgatitje?’. Se më ka zëvendësuar në minutën 60′ dhe jo 75′, siç thotë ai.

Çfarë ndodhi kur u ulët në pankinë?

Në moment unë i jam drejtuar shumë qetë, ndërsa ai më është kthyer me tone të ashpra, që do të thotë se Starova mezi e ka pritur një debat me mua. Si gjithmonë, profesor Starova mos të bëjë tani si shenjtor, kur Partizani s’ka kontingjentin e duhur të lojtarëve dhe shprehet që ‘unë si trajner s’i kam thënë të largohet nga ekipi. Ai është shprehur shumë qartë dhe aty kanë qenë shumë lojtarë dhe stafi për të vërtetuar gjithçka që ai ka thënë kundrejt meje.

Çfarë tha konkretisht?

Ma qëroni nga hoteli, nuk dua ta shoh më në ekip’, pasi ka thënë kështu, unë jam çuar dhe i kam thënë, ‘profesor qëndroi besnik fjalëve që thua, po je burrë thuaja presidentit në syrin tim që nuk e dua me Trashin. Edhe ai e ka pranuar, më ka thënë OK. Më pas i dhashë dorën, por ai më refuzoi. Mos ma jep as dorën tha, edhe unë vazhdova të ikja në dhomat e zhveshjes. Duke u larguar, profesor Starova nuk e ka lënë me kaq, por ka vazhduar të ofendonte me fjalë nga më të ndyrat. Më ka ulur dhe më ka fëlliqur në sy të kolegëve të mi dhe stafit. Ju ktheva në atë moment dhe hoqa bluzën, ia lashë te pankina, absolutisht nuk e kam hedhur, dhe i thashë ‘për këto fjalë që më the, unë dhe ti e kemi mbyllur dhe bravo të qoftë.

Pse erdhën ofendimet e Starovës ndaj jush?

Profesor Starova mos të justifikojë veten te tifozët, presidenca dhe te publiku me arsyen se Trashi ka hedhur fanellën, se ka shumë njerëz aty që e vërtetojnë këtë gjë… Ofendimet e Starovës kundrejt meje janë një mllef i Starovës që e ka prej kohesh ndaj meje dhe, më në fund, ai ia arriti qëllimit ta nxirrte atë mllef. Është shumë e thjeshtë kur nuk e do një lojtar, pse nuk i thua presidentit: ‘Nuk e dua në ekip Trashin, nuk më shërben për asgjë”, edhe unë shikoja karrierën time dhe situata nuk shkonte deri në këtë pikë…

A mund të ketë kthim prapa mes jush?

Personalisht e quaj të mbyllur me Starovën, aspak nuk tërhiqem mbrapa, çfarëdo mase të merret kundrejt meje, si për shembull, një gjobë e majme, unë absolutisht nuk e pranoj, sepse jam me të drejtë dhe s’lejoj njeri ta mohojë këtë gjë.

Kur kam qenë gabim, kam qenë unë që i kam kërkuar falje profesorit, por tani jo më. E them hapur, Starova nuk më do në ekip siç ka bërë dhe me disa lojtarë të tjerë që i ka prerë në besë…

Pse Starova ka mllef ndaj jush dhe kë ka prerë në besë?

Arsyeja pse Starova ka mllef ndaj meje është sepse kemi debatuar kushedi sa herë. Por në sy të publikut ai hiqet sikur më ka lojtar të preferuar, por në të vërtetë është e kundërta.

Ai ka një urrejtje të madhe ndaj meje dhe, nëse do të kishte në dorë diçka, ai do të më kishte larguar nga ekipi sa më parë. Ndërsa për lojtarët që ka prerë trajneri Starova në besë, besoj se i dinë të gjithë largimet me bujë nga Partizani…”.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"