EKSKLUZIVE/ Trajneri që i shpalli kampion kandidat për stolin e Kukësit, ja prapaskenat për teknikun e verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 14:56

EKSKLUZIVE/ Trajneri që i shpalli kampion kandidat për stolin e Kukësit, ja prapaskenat për teknikun e verilindorëve

Në Kukës nuk kanë ndër mend të nxitohen sa i përket këtij edicioni futbollistik, për vetë faktin se skuadra nuk merr pjesë në Europë dhe kanë më shumë kohë në dispozicion të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Për momentin, klubi ndodhet në fazë reflektimi për atë se çfarë nuk shkoi këtë sezon, duke nxjerrë mësimet nga gabimet e së shkuarës.

Kukesi festa

Gjithsesi, gjëja e parë që do të marrë zgjidhje është pikërisht ajo e trajnerit, ku për momentin kandidati më potencial është ai i Rraman Hallaçit, që ka një mbështetje të gjerë në ambientin kuksian, edhe për shkak të lidhjes së tij të fortë me klubin.

Nga ana tjetër, vetë tekniku deklaroi pak ditë më parë për “Panorama Sport” se ka një projekt që ka nisur herët me Kukësin, duke nënkuptuar se do ta vazhdojnë edhe këtë sezon. Gjithsesi, për aq kohë sa në klub nuk e kanë konfirmuar ende, tregon se çështja e trajnerit mbetet e hapur.

KANDIDATËT – Mirëpo, ditët e fundit kanë dalë në skenë edhe emra të tjerë sa i përket timonierit të mundshëm të verilindorëve dhe emrat e tyre janë hedhur në tryezë për diskutim. Më i fundi ishte edhe ai i Gugash Maganit, për të cilin klubi ishte i gatshëm të hynte në bisedime.

Por, burime të gazetës pohojnë se Kukësi u kujtua vonë, pasi tekniku peqinas e kishte mbyllur me Lushnjën më herët dhe nuk kishte më kthim pas, duke bërë që të bjerë si mundësi.

Sakaq, në ambientin blu emri më i bujshëm që po lakohet është rikthimi për herë të tretë i Ernest Gjokës, trajneri i vetëm që ia doli të shpallë kampion këtë skuadër. Gjoka ka gjithashtu admiruesit dhe nostalgjikët e tij në Kukës, ndaj mbetet një opsion i rëndësishëm për të rimarrë sërish drejtimin e kësaj skuadre.

GJOKA

Sakaq, së fundmi në skenë ka dalë edhe emri i Bledar Devollit, i cili vlerësohet për grintën e tij në të gjitha ekipet ku ka trajnuar dhe i përshtatet ndoshta skuadrës që ka ndërmend të bëjë Kukësi këtë sezon.

BLEDAR DEVOLLI

Në fakt, këtyre emrave mund t’i shtohen edhe të tjerë, pasi edhe drejtori sportiv, Naim Halili, pak ditë më parë pranoi se lista e trajnerëve te Kukësit është mjaft e gjatë, duke nënkuptuar se për momentin klubi është duke peshuar të gjithë alternativat e mundshme për të zgjedhur në fund edhe emrin e atij që do t’i trajnojë këtë sezon.

PISTA E HUAJ – Edhe pse është më pak e mundshme si pistë për momentin, në Kukës mbetet e hapur mundësia për t’u rikthyer sërish te trajnerët e huaj.

Në fakt, historia ka treguar se në të shumtën e rasteve ata nuk kanë qenë të suksesshëm në krye të klubit, duke i lënë madje edhe aventurat në mes.

Mirëpo, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një “bllokadë” përfundimtare ndaj tyre apo klubi nuk do të kthehet më pas te trajnerët jashtë kufijve.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"