EKSKLUZIVE/ “Trajneri Mehmeti i pa cilësitë e mia”, Skuka: Ja pse nuk festova golin ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2022 | 13:32

EKSKLUZIVE/ “Trajneri Mehmeti i pa cilësitë e mia”, Skuka: Ja pse nuk festova golin ndaj Dinamos

Xhuliano Skuka ka gjetur ambientin dhe stilin e duhur të lojës te Partizani dhe ka arritur të bëhet menjëherë protagonist. Sulmuesi shënoi dje golin e radhës me fanellën e “demave” dhe më të rëndësishmin, sepse në fund u vendos kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, me Partizanin i cili vazhdon luftën për fitimin e këtij trofeu, që është shpresa e vetme për të mos e quajtur këtë sezon të dështuar.

skuka

Pas ndeshjes, sulmuesi nga Dibra foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Ai tregoi se nuk festoi te momenti i golit për shkak të shoqërisë me ish-shokët e ekipit dhe respektit për ta, teksa shtoi se Partizani mund ta arrijë kualifikimin në Europë edhe përmes renditjes në Superiore.

I shënuat ish-ekipit dhe vendosët ndeshjen. Si ndiheni pas këtyre 90 minutave?
Normalisht ndihem shumë mirë, çdo gol që shënon, të rrit shumë besimin për të bërë më mirë në të ardhmen me Partizanin. Në fund të fundit, nuk shënova autogol që të ndihem keq.

Përse nuk festuat në momentin e shënimit të golit?
Të them të drejtën dhe të jem realist, nuk festova për respekt të ish-shokëve të mi të skuadrës. Jam akoma shumë i lidhur me shumicën e çunave dhe sadopak që kam qëndruar në atë klub, respekti është mbi të gjitha.

Keni arritur të ambientoheni shumë shpejt te Partizani dhe po vendosni ndeshjet me golat e shënuar. Çfarë ju ka ndihmuar?
Besoj se profesor Dritani i ka parë cilësitë e mia dhe më ka dhënë vërtet shumë besim dhe e falënderoj shumë për këtë. Gjithashtu, kuptohem shumë mirë me shokët e skuadrës në fushë dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin.

Deri ku mund të shkojë Partizani në këtë sezon?
Nga ndeshja në ndeshje kemi rritje dhe shpresoj të shkojmë sa më lart të jetë e mundur.

Përveç fitimit të Kupës, që është objektiv i deklaruar, a mendoni se Partizani mund ta kapë Europën përmes renditjes në kampionat?
Pse jo, do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund për çdo gjë dhe më pas do të jetë koha të bëjmë bilancet.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"