EKSKLUZIVE/ Trajneri kampion i Teutës: Prova e së vërtetës, ja pse duhet patjetër fitore ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 12:13

EKSKLUZIVE/ Trajneri kampion i Teutës: Prova e së vërtetës, ja pse duhet patjetër fitore ndaj Tiranës

Në Durrës vazhdojnë ta kujtojnë sezonin 1993-1994, kur për herë të parë Teuta fitoi titullin kampion. Në krye të “djemve të detit” ishte Haxhi Ballgjini, trajneri që udhëhoqi skuadrën drejt trofeut më të rëndësishëm që ka në 101 vite histori. Sot 62-vjeçari e ndjek Teutën si tifoz, por mendimet e tij janë gjithnjë të vyera. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ballgjini theksoi se dy ndeshjet e radhës ndaj Tiranës dhe Kukësit janë prova e së vërtetës për ekipin e Edi Martinit. Ish-trajneri pret më tepër nga Dejvi Bregu dhe Blerim Krasniqi, ndërsa nuk e përtyp dot faktin se Teuta ka shënuar vetëm 19 gola në 19 ndeshje.

-800-0-0f94cbc2911c9a078ebf28c408ceb329

Profesor, çfarë përshtypjeje ju ka bërë kampionati deri në këtë moment?

Kam qenë një nga ata që nuk mungoja në stadiume, por që kur ka filluar pandemia, nuk kam shkuar. Megjithatë, i kam ndjekur ndeshjet nga TV. Faktikisht, më duket një kampionat me shumë konkurrencë, me disa pretendentë për titull. Natyrisht, surprizë për mua ka qenë Vllaznia, pasi nuk e kam menduar të ishte në këto pozita. Ekipi shkodran është bërë faktor, ndërsa Tiranën mund ta cilësoj si një surprizë për keq. Këto janë përshtypjet e mia me pak fjalë për garën deri më tani.

Si e keni parë sezonin e Teutës, që tashmë ndodhet 7 pikë larg kreut?

Kur kemi diskutuar herën e fundit për Teutën, kam thënë që nuk rrezikon aq sa duhet për të fituar ndeshjet. Megjithatë, unë mendoj se Teuta e vërtetë do të duket në dy ndeshjet e radhës që ka ndaj Tiranës dhe Kukësit. Janë teste të vërteta për të shkuar te objektivi. Kuptohet që Teuta synimet i ka për të marrë titullin, jo për të qenë në Europë. Tashmë lufta për vendin e parë është bërë shumë e vështirë, pasi është futur edhe Laçi, i cili deri pak javë më parë ka qenë i distancuar.

Ju ka befasuar Laçi?

Ekipi kurbinas u fut në garë me shumë prepotencë, qoftë me lojë dhe rezultate. Ardhja e Shpëtim Duros ka dhënë efekt për Laçin. Në këtë pjesë të kampionatit nisin edhe përplasjet e mëdha, pasi ekipet e kreut përballen me njëra-tjetrën dhe lum ajo skuadër që do të përfitojë nga këto rezultate. Rasti i parë është i Teutës ndaj Tiranës, që nëse fiton, i pret me qetësi ndeshjet e rivalëve të dielën, qoftë të Partizanit apo Vllaznisë.

Teuta luan në transfertë kundër Tiranës, çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Unë mendoj se Teutës i duhet se s’bën trepikëshi ndaj Tiranës, duke pasur parasysh edhe rezultatet pozitive që ka pasur në 2-3 vitet e fundit ndaj bardhebluve. Edhe në sezonin e fundit që Tirana doli kampion, Teuta e mposhti në Kupë dhe Superkupë, gjithashtu edhe në kampionat ka qenë më mirë. Nga ana morale ekipi durrsak qëndron shumë më lart se Tirana. Patjetër që duhet ta shfrytëzojë këtë moment sepse s’ka më kohë tashmë për gabime. Teuta duhet të luajë vetëm për fitore, jo vetëm ndaj Tiranës, por çdo ekipi që do të ketë. Nëse sot ia del të marrë tri pikë, pret me shumë qetësi rezultatet e rivalëve.

4-1

Sa ju bind kjo Teutë, mendoni se mund ta bëjë diferencën në krahasim me rivalët që ka për titull?

Normalisht kur i shikon ndeshjet nga pozicioni im është tepër komod të japësh mendime, por duhet ta njohësh më nga afër skuadrën për të folur me kompetenca. Gjithsesi, i qëndroj asaj që kam thënë, pasi Teuta është ndërtuar për kampion me blerjet që ka bërë. Mirëpo, në këtë fazë që jemi duhet të pranojmë se Partizani është forcuar shumë, duke marrë lojtarë vërtet cilësorë. Është për t’u habitur në fakt, pasi për mendimin tim merkato e dimrit më tepër është për arnime, por mesa shoh, ndryshe nga të tjerët, Partizani ka goditur shumë fort, sikur të ishte një periudhë transferimesh në verë. Edhe moralisht Partizani është mirë, ashtu si edhe Laçi, prandaj mendoj se Teuta duhet të bëj një hap të madh për diferencën. Është momenti për të përfituar nga ndeshja në ndeshje. Nuk lejohen më hapat falas për Teutën ose e thënë ndryshe në gjuhën popullore nuk mban më ujë pilafi. Nëse do të arrish objektivat, duhet të fitosh çdo ndeshje që ka mbetur.

Garën e shihni midis një grupi skuadrash apo gjatë rrugës mund të mbeten vetëm dy?

Unë besoj se Vllaznia, Partizani, Teuta dhe Laçi do të luftojnë deri në javën e fundit për të marrë titullin kampion.

Më thoni një lojtar që ju pëlqen shumë nga ekipi durrsak, po prisni më tepër prej tij në sprintin final të kampionatit?

Bregu është një lojtar që ka cilësi të padiskutueshme dhe një prej më cilësorëve të kampionatit shqiptar. Po ashtu edhe sulmuesi Krasniqi. Mirëpo, për ata që kanë ardhur te Teuta, kritika ime e vetme është mungesa e golave. Duhet të shënojnë më tepër sepse i kanë mundësitë. Duhet të jenë më afër portës dhe të realizojnë më tepër me cilësitë që kanë. Golat përkthehen në pikë.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"