EKSKLUZIVE/ Trajneri i Vllaznisë: Pranoj të bëj testin, jo të rri në karantinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2020 | 21:20

EKSKLUZIVE/ Trajneri i Vllaznisë: Pranoj të bëj testin, jo të rri në karantinë

“Është absurde të rikthehem në Shqipëri dhe të qëndroj 14 ditë në karantinë. Jam dakord të më bëjnë testin, por jo të izolohem sërish siç më ndodhi kur erdha në Maqedoni”. Kështu është shprehur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz.

mirsad-jonuz

Pak ditë pasi institucioni i futbollit shqiptar i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që të lejojë skuadrat të nisin stërvitjet në fillimin e muajit maj, tashmë probleme të tjera po hasen me ata që në këtë periudhë pandemie kanë qenë në një shtet tjetër. Sipas autoriteteve shëndetësore, çdo person që vjen nga një vend i huaj në Shqipëri duhet të kryejë me detyrim karantinën 14-ditore.

Vllaznia ka plot katër lojtarë që ndodhen prej javësh në Maqedoninë e Veriut, përfshi këtu edhe trajnerin Jonuz. Sapo të mbërrijnë në Shkodër, ata janë të detyruar të mos dalin nga shtëpia për 14 ditë. Në intervistën për gazetën, Jonuz theksoi se kampionati nuk mund të nisë në këto kushte.

Zoti Mirsad, FSHF i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që skuadrat ta nisin stërvitjen në fillim të muajit maj, ndërsa kampionati të rifillojë mes datave 20 dhe 24…

Po, jam në dijeni, por më duhet të them se do të jetë shumë e vështirë për të gjitha klubet e Superiores që të rifillojë ky kampionat.

jonuz5

Pse mendoni kështu?

Mendoj kështu sepse kthimi ynë në Shqipëri është i kushtëzuar me 14 ditë izolim. Siç dihet tashmë prej pandemisë, të gjithë ne që jemi jashtë Shqipërisë, nuk do të kemi të drejtë të stërvitemi, por në momentin që kthehemi duhet të qëndrojmë në karantinë të detyruar. Për mua si trajner dhe lojtarët e huaj që nuk kanë mundësi të stërviten kjo është fatale, prandaj dhe duhet gjetur një zgjidhje.

Po thoni që mund të bëhet problem për të gjitha klubet?
Patjetër, unë mendoj se ka ekipe të tjera që kanë të njëjtin problem. Të sqarohemi, ky është problem shumë serioz për një klub. Në muajin mars kur lashë Shqipërinë dhe u ktheva në Maqedoni, u izolova për 14 ditë. Më pas përjetova një shtetrrethim 45- ditor, ndërsa tani që do të më duhet të vij në Shqipëri, i bie të qëndroj sërish 14 ditë në izolim. Kjo nuk shkon.
mirsad jonuz
Si mendoni se do të zgjidhet ky problem dhe a keni folur së fundmi me drejtuesit e klubit?
Nuk e di se si do të zgjidhet ky problem, por di të them se kur erdha në Maqedoni, kam bërë testin e Koronavirusit dhe dola negativ. Nëse më kërkohet të bëj një tjetër test kur të kthehem në Shkodër, jam i gatshëm ta bëj. Por, për çfarë na duhen sërish 14 ditë izolim?! Uroj që kjo çështje të zgjidhet, pasi, siç e shpreha, unë mendoj se ky kampionat do të jetë shumë i vështirë për të rifilluar.

Keni një thirrje për FSHF-në?
E përsëris, nuk mund të karantinohen njerëz që vijnë pas një shtetrrethimi gati 2-mujor. I bëj thirrje FSHF-së që të gjejë një mënyrë, që të gjithë trajnerët dhe futbollistët e huaj të bëjnë stërvitje, në mënyrë që nëse rinis kampionati, të na gjejë të gjithëve në kushte të barabarta. Unë dhe lojtarët nga Maqedonia të Vllaznisë jemi të gatshëm të bëjmë sërish testin në Shqipëri.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"