EKSKLUZIVE/ Trajneri i Vllaznisë: Kampionati të vendoset në fushë dhe të shtohen ekipet në sezonin tjetër, ndihma e FSHF-së ishte e mirëpritur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2020 | 14:29

EKSKLUZIVE/ Trajneri i Vllaznisë: Kampionati të vendoset në fushë dhe të shtohen ekipet në sezonin tjetër, ndihma e FSHF-së ishte e mirëpritur

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, është i mendimit se kampionati duhet që të zgjidhet në fushë, përtej faktit se mund të luhet në qershor apo korrik. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Jonuz foli nga Kumanova, aty ku jeton dhe ka në pronësi një biznes fason.

JONUZ

Ai përsëriti kërkesën për institucionin e futbollit shqiptar, duke propozuar që të zgjerojë Superioren me 14 ekipe për sezonin e ri. Ndërsa për krizën financiare, Jonuz përshëndeti vendimin e FSHF-së, teksa foli edhe për situatën e lojtarëve në këtë kohë “lufte”.

Përshëndetje zoti Mirsad, si po i kaloni këto ditë të vështira?

Një përshëndetje përmes “Panorama Sport” për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht ata shkodranë. Unë jam mirë me shëndet dhe mundohem të respektoj rregullat. Kohën e kaloj në fabrikën time në Kumanovë, ku kam me çfarë të merrem.

Jonuz

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, përpara fabrikës së tij në Kumanovë

Çdo ditë flas me pjestarët e klubit të Vllaznisë dhe të gjithë presim që situata të qetësohet. Po mbaj kontakte të vazhdueshme, si me administratorin Lici, e po ashtu edhe me ndihmësit e mi. Po ashtu flas me kapitenin Lika dhe gjithë lojtarët e tjerë. Ndjek edhe udhëzimet që dalin në faqen tonë të klubit.

Klubi po has vështirësi sa u përket likuidimit të pagave të lojtarëve dhe stafit, ndërkohë që FSHF akordoi një shpërblim prej 300 mijë lekësh të vjetra…

Në këtë situatë problemet financiare janë të mëdha. I bëj thirrje Federatës, Parlamentit dhe Bashkisë, që të ndihmojnë futbollin shqiptar. E përsëris atë që kam thënë për gazetën tuaj edhe 10 ditë më parë. Kam sugjeruar që të gjithë lojtarët dhe trajnerët në Superiore, të ulin pagat e tyre me 20% për muajt prill dhe maj. Sa i përket asaj që ka bërë FSHF, natyrisht në këtë situatë çdo ndihmë është e mirëpritur. Me atë që kam komunikuar me drejtuesit, FSHF do ta ndihmojë edhe Vllazninë. Çdo skuadër ka nevojë për dikë gjatë këtyre kohërave të vështira.

Nga komunikimet që keni pasur këto ditë me lojtarët, a ka pasur ndonjë shqetësim?

Lojtarët e mi kanë një program aerobik dhe ushtrime stërvitore të forcës. Nëse ata mund të bëjnë gjithçka, varet nga kushtet individuale. Ndërsa dua të them që lojtarët që janë nga Maqedoni, po stërviten rregullisht.

A kishit frikë për Shtubinën kur një i afërm i tij rezultoi pozitiv me koronavirus?

Çdokush mund ta marrë këtë virus në këtë periudhë. Lojtarët e mi janë mirë dhe nuk kanë probleme shëndetësore. Unë po dërgoj një mesazh që nuk ka vend për panik. Nuk duhet të keqpërdoret një reklamë negative. Thjesht ne duhet të jemi të disiplinuar dhe unik.

mirsad-jonuz

Sipas të gjitha gjasave kampionati rinis në fund të majit ose fillim të qershorit. Si mendoni se duhet të veprojë FSHF-ja për garën?

Unë e kam thënë propozimin për Federatën. Ajo duhet të zgjerojë Ligën pas kësaj situate të pazakontë. Pra, nga 10 klube që jemi aktualisht, ta bëj 14 klube vetëm për sezonin që vjen. Pastaj, në fund të sezonit tjetër, të bien direkt katër ekipe nga Superiorja. Nuk mendoj se me këtë ide do të kishte pakënaqësi. Për këtë sezon kampionati duhet të zgjidhet në fushën e lojës. Tani gjëja më e rëndësishme është të mposhtësh këtë sëmundje, pavarësisht nëse do të jetë rifillimi i kampionatit në qershor apo korrik. Kjo nuk ka rëndësi.

Sa do të duhet për të rimarrë veten lojtarët?

Besoj se kanë nevojë për 15 ditë për t’u përgatitur bashkë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"