EKSKLUZIVE/ “Topi nuk e kaloi vijën”, Hoxha dhe Belica: S’ishte gol, arbitrat bënë çfarë deshën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 0:20

EKSKLUZIVE/ “Topi nuk e kaloi vijën”, Hoxha dhe Belica: S’ishte gol, arbitrat bënë çfarë deshën

Partizanit nuk i del e keqja me gjykimin, ku sikur të mos i mjaftonin mungesat e shumta, edhe goli i humbjes erdhi mes polemikash të shumta. Pyetja që mbetet pa zgjidhje në mungesë të pamjeve ishte e kaloi apo jo topi vijën fatale. 

Goli i Kukesit

Në kampin e kuq janë të sigurt që topi i larguar nga Belica nuk e kishte kaluar vijën fatale dhe pas ndeshjes thuajse të gjithë, duke filluar nga drejtori Rama, ishin me telefona në duar duke parë videon e golit të pësuar dhe foto të ndryshme.

Fatin e golit të Kristal Abazajt e vendosi arbitri i linjës, Klodian Shahi, që ishte pranë portës, pasi kryesori Hamiti dhe anësori Myftari nuk ishin të sigurt. Te Partizani janë të sigurt që topi nuk e ka kaluar vijën fatale dhe dy nga protagonistët e kampionëve e pranuan këtë gjë për “Panorama Sport”. Portieri Alban Hoxha, për dyshimet mbi golin u shpreh: “Për mua nuk ishte gol, jo se më intereson, por ashtu ishte.

Abazaj-Belica Hoxha

Pamjen e kisha të kufizuar,por me aq sa pashë kur ktheva kokën pas gjuajtjes së Abazajt, topi u largua nga Belica pa kaluar vijën. Këtë gjë ma përforcuan edhe pamjet dhe një foto që pashë pas ndeshjes”. Ndërsa Egzon Belica, personi i përfshirë në largimin e topit, i nervozuar, për “Panorama Sport” pas ndeshjes shkurtimisht u shpreh për gazetën:

“Jam i sigurt që topin e kam larguar pa kaluar vijën. Arbitrat bënë çfarë deshën dhe akorduan gol. Ata vendosën, jo se ishte gol”. Ndërsa trajneri Sormani nuk ka dashur të merret me rastin e dyshimtë, por me gabimin në humbjen e topit që solli edhe golin e pësuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"