EKSKLUZIVE/ Tomori me “kokë” në merkato, beratasit nisin negociatat për sulmuesin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2023 | 9:18

EKSKLUZIVE/ Tomori me “kokë” në merkato, beratasit nisin negociatat për sulmuesin e Teutës

Tomori është në kërkim të golave. Në 12 javët e para të kampionatit, beratasit kanë vuajtur në sulm dhe ky është shkaku që vëmendja në merkato po hidhet pikërisht në këtë drejtim. Stafi teknik po studion disa opsione, që pavarësisht nëse janë me ose pa emër, e rëndësishme është që të përmbushin nevojat e skuadrës në repartin ofensiv.

tomori

Ata duhet të jenë rezultativë para portës kundërshtare, ky është kriteri i panegocionueshëm. Pasi kanë tentuar Lukas Kardoson (situata me brazilianin ka ngecur te financat, pasi pretendon 5 mijë euro rrogë mujore), një tjetër emër ka dalë në skenë.

OSHAFI – Bëhet fjalë për Aldrit Oshafin, që aktivizohet në elitë te Teuta. Klubi po bën çmos që ta rikthejë në shtëpi, ndonëse ende nuk kanë asgjë në vijë. Në Berat nuk e kanë fshehur asnjëherë dobësinë për shtatlartin, i cili sezonin e kaluar ka shkëlqyer te Tomori (shënoi 25 gola, duke pretenduar deri në javën e fundit “Këpucën e Artë”).

oshafi

“Panorama Sport” mëson se gjatë kësaj jave, me negociatat po merret vetë trajneri. Klodian Arbëri ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij të Teutës. Ai i kërkuar Edi Martinit që të shohë mundësinë e transferimit të 22-vjeçarit, qoftë edhe në formë huazimi.

Kjo do t’i forconte edhe më shumë pozitat e beratasve në vijën e parë, kur njihen edhe cilësitë e këtij lojtari. Në të njëjtën kohë, vetë sulmuesi do të kishte gjithë hapësirën e duhur të aktivizimit me kohë të plotë.

Me gjithë dëshirën e madhe të Arbërit për të “rrëmbyer” këtë element në skuadrën e tij, përgjigjja e Martini ka ardhur e shpejtë dhe e sinqertë.

Ai e llogarit Oshafin pjesë të organikës për të realizuar objektivat e durrsakëve në gjysmën e dytë të Superiores. Sidoqoftë, në Berat nuk heqin dorë dhe shpresojnë që deri në fund situata të ndryshojë pozitivisht për ta.

Ndonëse kanë ende shpresa për ta rikthyer në ekip “bomberin”, nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë dhe po shohin të tjera pista.

BEJO – Nuk kanë në plan që të dorëzohen pa gjetur të duhurin për të rregulluar “shënjestrën”.

Një gjë të tillë e qartëson edhe drejtori teknik i klubit. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, Avenir Bejo thotë: “Merkatoja është e hapur dhe stafi teknik është në negociata dhe shumë pranë konkretizimit të marrëveshjes me të tjerë sulmues, të cilët janë shumë të interesuar që të vijnë te Tomori, kjo më së shumti edhe për shkak të kushteve financiare që ne ofrojmë për futbollistët që vijnë brenda vendit”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"