EKSKLUZIVE/ “Titulli do të vendoset në derbi”, Ibraimi: Kukësi mbijeton, por i duhet… mbështetje (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 21:25

EKSKLUZIVE/ “Titulli do të vendoset në derbi”, Ibraimi: Kukësi mbijeton, por i duhet… mbështetje (E PLOTË)

Në moshën 34-vjeçare i dha fund futbollit të luajtur afro një vit më parë, me një karrierë për t’u pasur zili mbi supe, duke shënuar mbi 100 gola, 28 prej të cilave në futbollin shqiptar (kampionat dhe Kupë).Agim Ibraimi

Bëhet fjalë për Agim Ibraimin, ish-fantazistin që në radhët e Mariborit i ka shënuar Çelsit në Ligën e Kampioneve që në atë kohë drejtohej nga Zhoze Murinjo. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut provoi edhe një aventurë 2-vjeçare në futbollin shqiptar si kapiten i Kukësit dhe më pas i Dinamos, të cilat për fatin e tij të keq nuk shkuan ashtu siç do të dëshironte.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Ibraimi flet për Superioren, të cilën mundohet ta ndjekë me aq sa mundësi ka, madje edhe duke udhëtuar drejt Shqipërisë për t’i parë nga afër. Mendon se Kukësi do ta arrijë ta sigurojë mbijetesën, ndërsa Dinamon në elitë e cilëson si një rikthim në vendin që i takon. Sa i përket ekipit që fiton kampionatin, Ibraimi mendon se do të jetë derbi ai që do ta vendosë titullin mes Tiranës dhe Partizanit.

Agim, me çfarë po merreni aktualisht?

Kam qenë në disa kurse të ndryshme për udhëheqje dhe menaxhim të skuadrave dhe grupit, teksa mbarova edhe masterin. Gjithë kohën jam aktiv, por këto 7-8 muaj i kam kushtuar kohë familjes pas shumë vitesh larg tyre.

Sa e ndiqni futbollin shqiptar në këtë periudhë?

Mundohem të ndjek sa më shumë, sigurisht kur kam kohë. Disa takime i kam parë edhe nga afër, por më së shumti nëpërmjet televizionit.

Së fundmi ishit në stadiumin e Elbasanit dhe ndoqët Kastrioti-Kukësi, teksa ish-ekipi juaj u mund. Çfarë shije ju la?

Mendoj se pjesën e parë duhej që Kukësi të mbyllte ndeshjen, duke parë edhe mundësitë që patën në lojë, por edhe fati nuk ishte me ta. Pastaj agresiviteti dhe grinta e Kastriotit bëri të mundur që të neutralizojë Kukësin dhe si pasojë erdhi humbja.

Pse është në këto pozita ky Kukës, si e shpjegoni?

Ndoshta ndryshimet e shumta në skuadër dhe largimi apo afrimi i tepërt i lojtarëve. Ndoshta ka edhe faktorë të tjerë, por nuk e di për aq kohë sa nuk jam aty që ta njoh situatën më nga afër.

Mendoni se në fund Kukësi do ta arrijë mbijetesën dhe a keni ndonjë këshillë për ish-shokët e skuadrës?

Po, po, besoj se do t’ia arrijë të sigurojë mbijetesën. Mund të them që në këto momente skuadrës i duhet vetëm pozitivet dhe përkrahje nga të gjithë, për ta kaluar pozicionin e vështirë në të cilën ndodhen.

Sa i përket Superligës, si e shihni garën për titull mes Tiranës dhe Partizanit?

Mendoj se derbi do të vendosë gjithçka për titullin.

Një kampionat me shumë ekipe të ngjeshura në klasifikim, pse ka ndodhur sipas jush?

Klasifikimi i ngjeshur ndodh kur nuk ka diferenca të shumta mes ekipeve, qoftë për Europë, por edhe për mbijetesë.

Në elitë u rikthye edhe Dinamo me Skënderbeun…

Patjetër që Skënderbeu dhe Dinamo e kanë vendin në Superiore. Janë ekipe të respektuara në futbollin shqiptar, ndaj është një lajm i mirë që u rikthyen.

Mendoni se këtë sezon do të kemi një tjetër Dinamo në Superiore?

Mendoj se po. Besoj se kanë mësuar nga gabimet, të cilat duhen përmirësuar dhe nuk duhen përsëritur më.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"