Titull dhe Kupë, Aleksi “firmos” për Teutën superkampione: Ja pse besoj te mbyllja perfekte e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 20:00

Titull dhe Kupë, Aleksi “firmos” për Teutën superkampione: Ja pse besoj te mbyllja perfekte e sezonit

Albano Aleksi luan sezonin e dytë në Durrës dhe është kthyer në një pikë shumë të rëndësishme në formacionin e Edi Martinit, aq sa trajneri durrsak mund të zëvendësojë këdo, por vetëm fierakun jo. Në një intervistë për “Panorama Sport”, titullari i “djemve të detit” flet për kualifikimin në gjysmëfinale, ndeshjen e radhës në kampionat me Partizanin, si dhe shanset që kanë durrsakët për të dy trofetë.

aleksi

Ishte kjo fitore ndaj Kukësit si një autokritikë pas dy barazimeve në kampionat?

Po, absolutisht. Kjo ishte një fitore që vlen si për vazhdimësinë në Kupë, por edhe për moralin në ndeshjet që na presin në kampionat. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, sepse Kukësi është një skuadër e mirë. Më tepër ishte një ndeshje taktike, ku mendoj se e merituam fitoren.

Çfarë ndryshoi te Teuta pas barazimit me Kastriotin?

Nga ajo ndeshje kemi ndryshuar shumë, pasi rregulluam gabimin e bërë në pjesë të ndryshme të ndeshjes. Mungesa e përqendrimit në momente të veçantë të ndeshjes na ka sjell pasoja dhe në fakt këtë e vuri në dukje edhe trajneri. Mendoj se kemi reaguar pozitivisht, por duhet të kemi kujdes, që të mos përsëriten më takime si ai ndaj Kastriotit.

Mes Laçit, Vllaznisë dhe Skënderbeut, cilin ekip do të preferonit në gjysmëfinale?

Të gjitha skuadrat e mbetura në gjysmëfinale të Kupës paraqesin rrezik të barabartë. Do të presim shortin me qetësi dhe këdo që do na rezervojnë goglat, ne do të jemi gati. Jemi fituesit në fuqi të Kupës, kështu që respektojmë çdo kundërshtar dhe duam fitoren.

Të dielën ju pret një kryendeshje ndaj Partizanit. Në këtë situatë, do t’ju kënaqte edhe një pikë apo nuk vlen?

Kemi pak ditë për të rikuperuar forcat. Ne shkojmë në çdo ndeshje për të marrë tri pikët, natyrisht që dhe barazimi është pozitiv, por unë dëshiroj fitoren ndaj Partizanit për të bërë hapin e madh.

Çfarë i druheni më shumë në këtë përballje?

Ndoshta fjala “i druhemi” nuk është ajo e duhura. Duhet të kemi kujdes, pasi është një ndeshje ku të dyja skuadrave u nevojitën pikë për objektivat që kanë. Partizani ka një ekip mjaft kualitativ.

Këto dy ndeshje, fillimisht me Partizanin e më pas me Laçin, a janë takime që ndikojnë për një copëz titulli te Teuta?

Janë dy sfida shumë të rëndësishme, sepse luajmë ndaj rivalëve direkt. Nuk vendoset as ndaj Partizanit dhe as me Laçin se cili do të jetë kampioni. Kemi 12 javë për të luajtur dhe duhet që të gabojmë sa më pak. Shpresoj që kundërshtarët të gabojnë dhe ne jo. Asgjë nuk shkon gjithmonë 100 % brenda një ndeshjeje. Ne duhet që t’i korrigjojmë gabimet.

Teuta krijon shumë volum loje, aksione të rrjedhshme dhe shkon te porta, por nuk shënon sa duhet. Si e shpjegoni këtë?

I tillë është futbolli, ka pasur ndeshje që kemi shënuar edhe 2-3 gola, kur kemi shfrytëzuar rastet. Me Kukësin krijuam shumë raste, por vetëm një herë realizuam.

Teuta ka më shumë shanse për të marrë titullin apo Kupën, si mendoni?

Nëse do të jemi të përqendruar si ekip, do të arrijmë larg në të dyja fronet. Çdo gjë është në dorën tonë. Gjithsesi, Laçi dhe Partizani janë rivalët tanë dhe natyrisht, ata si çdo ekip, kërkojnë që të arrijnë më të mirën. Unë besoj se jo vetëm që do t’ia dalim për vendin e parë, por do mundohemi të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, duke marrë edhe Kupën.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"