EKSKLUZIVE/ Titujt e viteve 1997 dhe 2000, ish-futbollisti i Flamurtarit dhe Tiranës: Tomori e humbi kampionatin me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2020 | 12:58

EKSKLUZIVE/ Titujt e viteve 1997 dhe 2000, ish-futbollisti i Flamurtarit dhe Tiranës: Tomori e humbi kampionatin me Dinamon

Johan Driza i ka përjetuar në fushë kampi onatet e sezoneve 1996- 1997 dhe 1999-2000, por me histori të ndryshme, të shoqëruara me zhgënjime dhe suksese. Fillimisht ishte pjesë e Flamurtarit në vitin e mbrapshtë 1997, kur Tirana fitoi titullin ndaj vlonjatëve pas fazës “play off” që u zhvillua në kryeqytet. Ndërsa në vitin 2000 ai ka festuar si kampion me fanellën bardheblu në duelin ndaj Tomorit në ndeshjen shtesë në Elbasan. Sot ish-mbrojtësi i njohur vlonjat punon si mësues i edukimit fizik në Vlorë, ndërsa më parë ka qenë pjesë e stafit teknik të Flamurtarit në kohën kur skuadra drejtohej nga Shkëlqim Muça.
driza
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Driza komenton sezonet e shumëpërfolura, si dhe situatën aktuale.

Johan, si po i kaloni këto ditë në karantinë?
Jam duke u marrë më mësimin “online”, pasi jam mësues i edukimit fizik në Vlorë. Po ashtu jam marrë me aktivitet fizik në shtëpi në fillim dhe tani që u lirua disi lëvizja, vrapoj buzë detit.

Në situatën që jemi, mendoni se kampionati duhet të vazhdojë?
Për mbylljen e kampionatit në fillim duhet të mendohet siguria e lojtarëve në fushë, pastaj të tjerat. Nëse jepet OK nga specialistët përkatës për rifillimin e tij, le të fillojë. Por, është mbyllur dhe më tepër do të luhet për vendet e tjera për në Europë apo zonën “play out”.

driza alimehmeti
Dy kapitenët Johan Driza (m) dhe Krenar Alimehmeti (d) në përballjen Tirana-Flamurtari, 12 gusht 1997

Kohët e fundit në “Panorama Sport” ka pasur polemika për kampionatet e vitit 1997 dhe 2000, ku ju keni qenë protagonistë me Flamurtarin dhe Tiranën. Së pari, si e kujtoni ndeshjen e 12 gushtit 1997 ku si kapiten i ekipit vlonjat humbët ndaj bardhebluve në kryeqytet?

Ndeshja u zhvillua normalisht dhe nuk pati probleme në fushë. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet, normalisht edhe ne patëm rastet tona. Goli erdhi nga një gabim në rreshtim në fazën mbrojtëse. Arbitrimi ishte tendencioz dhe pati momente që ishte në favor të Tiranës, siç ishte rasti i penalltisë së paakorduar në favorin tonë.

Po incidente ka patuar?
Për sa i përket incidentit me policët, është diçka që nuk ka lidhje me ekipin e Tiranës, pasi në fushë gjithçka ishte korrekte.

Bashkëlojtarët dhe trajneri juaj në atë kohë kanë thënë se ndihen të vjedhur…
Mund të ishte gjetur një zgjidhje më e mirë nga ana e FSHF-së për çështjen e titullit, pasi dihen largimet që u pasuan atë periudhë nga ekipi ynë. Duke pasur parasysh stërvitjen e paktë që kemi zhvilluar në atë kohë duhej një zgjidhje ndryshe. Tani kjo është një çështje e kaluar dhe nuk mund të zhbëhet më.
tomori tirana
Një tjetër kampionat i diskutuar së fundmi është edhe ai që u fitua nga Tirana, ndërsa pati pretendime nga Tomori. Ju në atë kohë keni qenë lojtar i bardhebluve. Si ishte e vërteta?
Për sa i përket çështjes së diskutuar se u favorizua apo jo Tirana ndaj Tomorit, unë mendoj që jo. Rregullat ishin të qarta dhe ishin vendosur që në fillim të kampionatit. Tomori e humbi kampionatin në ndeshjen me Dinamon në Tiranë. Ishte duke fituar deri në minutën e 85-të dhe gjithçka iu përmbys vetëm në 10 minuta. Ndeshja finale që u zhvillua në Elbasan ishte më se korrekte dhe kemi fituar vetëm me gjuajtjet e 11-metërshit pas kohës shtesës. Tomori kishte një ekip simpatik dhe me meritë erdhi deri aty. Nuk dua të krijoj polemika me asnjë, ky është thjesht mendimi im.
flamurtari
Flamurtari është thuajse i rënë nga kategoria këtë sezon. Si mendoni se duhet të jetë strategjia për të ardhmen?
Duhet të gjendet një zgjidhje sa më e mirë ndërmjet bashkisë dhe administratorit Sinan Idrizi, që për hir të së vërtetës ka investuar goxha për futbollin në Vlorë. Normalisht që ka bërë edhe gabime, pasi janë pjesë e çdo investimi në çdo fushë dhe jo vetëm atë të futbollit. Duhet filluar të mendohet që tani për një strategji për rikthimin sa më të shpejtë në Superligë, sepse situata aktuale nuk të lë shumë vend për shpresë. Vetëm nëse ndryshohet formula e kampionatit, atëherë mund të mendohet ndryshe.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"