EKSKLUZIVE/ “Tirana u tregua frikacake që s’më besoi”, rrëfimi special i Beshirajt: Më pëlqen Imobile, ja sekreti i vetëm i golave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 20:33

EKSKLUZIVE/ “Tirana u tregua frikacake që s’më besoi”, rrëfimi special i Beshirajt: Më pëlqen Imobile, ja sekreti i vetëm i golave

Ai zgjodhi të vijojë karrierën e tij te Korabi, ku deri tani ka gjetur 7 herë rrjetën, pesë në kampionat dhe dy në Kupë. Bëhet fjalë për Mario Beshirajn, sulmuesin që flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, e tregon pse u largua nga Tirana ku u shpall dy herë kampion, por gjithashtu zbulon sekretin e formës që po kalon. 22- vjeçari shprehet për objektivat e tij dhe të klubit, si dhe çfarë profesioni aspiron përveç futbollit.

Mario Beshiri

Mario, po kaloni një formë të mirë duke shënuar 4 ndeshje radhazi, cili është sekreti?

Sekreti i vetëm është stërvitja dhe regjimi. Kam filluar pak me vonesë stërvitjen, pra nuk kam qenë pjesë e fazës përgatitore me Korabin, dhe jam munduar që të punoj dyfish që të kap ritmin e skuadrës. Daljet e vona i kam minimizuar, për të mos thënë që i kam limituar fare. Plus edhe grupi, kemi një grup çunash që më ndihmojnë shumë, të gjitha këto bashkë kanë bërë që të eci përpara.

Si ju kanë pritur te Korabi, pasi keni ardhur nga Superiorja?

Disa nga çunat i njihja, me Jotin kam qenë te moshat, me Lalën kemi bërë gjimnazin bashkë, disa të tjerë i kam njohur më parë dhe kemi luajtur bashkë në ekipe. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë, jam ndierë mirë që momentin e parë që kam ardhur dhe nuk jam ndierë si i huaj.

U larguat nga Tirana, çfarë nuk shkoi te bardheblutë?

Të them të drejtën Tirana është ekip i madh, ka objektiva të mëdha, të dalë kampion, të fitojë Kupën dhe ndonjëherë e ka të vështirë që t’i japë dorën lojtarëve të rinj. Mund të themi që janë pak “frikacakë” për sa i përket kësaj pjesës që t’i japë dorën një lojtari të ri dhe pa eksperiencë. Kjo mendoj se është ajo që nuk shkoi, nuk besoj se ka ndonjë arsye tjetër, të paktën nga ana ime.

E mendoni një rikthim te Tirana në të ardhmen?

Të them të drejtën nuk e mendoj një rikthim për faktin se unë kam dalë dy herë kampion, kështu që një herë e tretë besoj do te ishte e tepërt. Do të më pëlqente më shumë një ekip tjetër.

Të kalonit në Kategorinë e Parë, mendoni se kjo ishte lëvizja e duhur?

Duke parë ecurinë time, mendoj se kam bërë lëvizjen e duhur, të paktën deri tani, pastaj më vonë mbetet për t’u parë, por besoj që kam bërë lëvizjen e duhur, sepse kam gjetur ato që më kanë munguar në vitet e shkuara, besimi nga drejtuesit, nga stafi, nga çunat, por edhe minutat që janë shumë të rëndësishme për një lojtar për t’u shfaqur.

Cilat janë objektivat e klubit këtë sezon, duke parë rivalët që janë në Kategorinë e Parë?

.Objektiv i parë dhe madhor është ngjitja në Superiore, përveç faktit që ekipi vitet e shkuara ka qenë shumë afër, ka shkuar në “play off”. Këtë vit besojmë dhe shpresojmë fort në realizimin e këtij objektivi.

Nga ana personale, keni një synim për veten?

Për sa i përket anës personale unë gjithmonë dua më të mirën për veten dhe për ekipin, dua të shënoj sa më shumë dhe shpresoj që golat që shënoj të jenë gola që i japin pikë ekipit, por nuk mund të fsheh edhe arsyen ose faktin që pse jo të dal edhe golashënues.

Të gjithë kanë një model sulmuesi që ndjekin në botë, mund të më thoni nëse ju e keni një të tillë?

Do ju çudis pak me këtë, por mua më pëlqen Çiro Imobile, e ndjek shumë, është tipik sulmues dhe shënon shumë.

Me kë ekip jeni tifoz?

Unë jam tifoz i Milanit, jam tifoz i tyre që në kohën e Ronaldinjos dhe më pëlqen shumë.

Te Korabi në vitet e fundit kanë spikatur disa sulmues, mund të përsëritë Mario të njëjtën gjë?

Ekipi i Korabit i ka dhënë provat dhe është një ambient shumë i mirë në promovimin e futbollistëve, dhe aq më shumë në promovimin e sulmueseve, duke parë dhe rastet si Skuka, Guri, që po luajnë edhe në Kombëtare tani. Korabi është një ekip që futet në fushë për të fituar çdo ndeshje, nuk futet me frikë, çdo ndeshje për ne duhet fituar, prandaj ne sulmuesit kemi besimin që të shënojmë sa më shumë.

Çfarë bën Mario jashtë fushës së futbollit, si e kalon ditën?

Unë vazhdoj shkollën për drejtësi, jam student në Universitetin e Tiranës. Gjatë paradites frekuentoj shkollën, leksione dhe seminaret, në drekë stërvitem me ekipin, pastaj pushoj dhe në darkë mundohem të stërvitem pak individualisht në palestër për sa i përket forcimit të muskujve.

Më thanë që keni një mesatare të lartë edhe në shkollë, është e vërtetë?

Në fakt është tabu që futbollistët nuk mësojnë dhe janë dobët në shkollë, unë ndryshe nga disa, se nuk mund t’i fusim të gjithë, jam fokusuar edhe te shkolla, pse jo të kem edhe një profesion ndryshe nga sporti.

Ndeshja e radhës ndaj Orikut, si e shihni?

Korabi ka kundërshtar vetëm veten e vet, kështu që ne siç e thashë edhe më parë futemi në fushë për të marrë tri pikë dhe besoj do ta arrijmë me sukses. Kjo nuk do të thotë që nënvlerësojmë kundërshtarin, ai ka respekt maksimal, por ne do të futemi në fushë për tri pikë, dhe shpresoj të dalim më sukses.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"