EKSKLUZIVE/ “Tirana të kërkonte të drejtën”, Skënder Gega: Partizani ishte më i kujdesshëm, unë nuk ika si Kolela (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 22:19

EKSKLUZIVE/ “Tirana të kërkonte të drejtën”, Skënder Gega: Partizani ishte më i kujdesshëm, unë nuk ika si Kolela (E PLOTË)

Para Kolelës, Skënder Gega ishte trajneri tjetër kampion, që u largua nga Partizani. Kjo përafërsi e situatave ka bërë që klubi i kuq të jetë në qendër të kritikave në lidhje me trajtimin që u bën kampionëve, por pas gjithë “rrëmujës” që është bërë, Gega ka vendosur t’i vërë disa pika mbi “i”.

skender-gega

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri i bën një analizë gjithë situatës së fundit të sezonit, por edhe zhvillimeve të fundit. Gega ndalet gjatë te largimi i Kolelës dhe Marinit dhe thekson se ai vetë është larguar me dëshirën e tij, duke vënë në dukje ndryshimin mes dy situatave.

A e meritoi Partizani këtë titull kampion dhe a duhet ta kishte fituar me më shumë diferencë?

Partizani doli kampion me pikë të barabarta, çka tregon se ka pasur rivalitet në të gjithë sezonin me Tiranën. Të dyja kanë pasur luhatjet e tyre, prandaj edhe nuk kishte shkëputje. Në fund fare, Partizani tregoi se ishte më i kujdesshëm dhe Tirana ndoshta nuk qe e vëmendshme në momentin më deciziv. I tillë është futbolli dhe pasojat shkuan edhe te Kupa. Ndodh që puna të sfumohet brenda një jave, por nuk mund të themi se vendi i dytë, në këtë rast Tirana, ka punuar keq.

Do të donit që titulli të mos vendosej nga një penallti e dyshimtë?

Pas asaj që ndodhi, jam i sigurt që çdokush, që është qetësuar pas disa orësh a ditësh, i ka parë gjërat më qartë. Penalltitë gjithmonë aludohen. Unë mendoj se Tirana e kishte ndeshjen në dorë, edhe pse u dha penalltia. Edhe fakti që humbën raste flagrante para portës, tregoi dobësi. Nëse shënonin, penalltia harrohej.

Nëse kishte diçka tjetër, atëherë Tirana duhet të ngrinte zërin dhe të kërkonte të drejtën. Në futboll duhet edhe pak fat, por mund të them se të dyja palët e meritojnë të jenë aty ku janë. Të jap një shembull, edhe ne kemi shkuar në Shkodër kundër Kukësit, ku bëmë edhe shkëputjen me shumë mungesa, mungonte Telushi, Hebaj, Mala dhe Hila dhe dikush tjetër nuk më kujtohet. Por kur e sheh fanellën si të shenjtë, jep maksimumin.

Presidenti Demi tha se i shijoi më shumë titulli i fituar me ju. Ju duket edhe juve më i veçantë ai titull i 2019- ës?

Gjithçka lë shenjat e veta, por unë nuk kam qejf të bëj krahasime. Historinë nuk e deformon dot askush. Kur kemi dalë kampionë, kemi kaluar peripeci të mëdha dhe prandaj edhe unë mendoj se presidenti Demi e sheh këtë sezon si diçka, që duhet të funksiononte më mirë, sepse këtë herë gjërat kanë qenë shumë më të organizuara.

Për Europën nuk kemi pasur kohë të përgatitemi, sepse u njoftuam pas dënimit të Korçës. Kemi shkuar në Ohër gjysmakë, kemi bërë vetëm një ndeshje para Mariborit me Kategorinë e Dytë. Të gjitha u bënë në kohë rekord. Aty pashë që me ata çuna mund të bënin gjëra të mëdha, megjithëse kishte skeptikë jo dashakeq, por edhe skeptikë të shtirur, që hapeshin në të gjitha emisionet sportive.

skender gega olsi rama

Ky vit ka qenë shumë ndryshe. Demi ka investuar shumë seriozisht dhe mendoj se nuk i ka lënë gjë mangët askujt, se është plotësuar gjithçka dhe duhej të ishte pak më i qetë ose t’i jepnin më shumë garanci, por në futboll është e pamundur. Sot Partizani quhet vërtet klub.

Me kushtet që janë krijuar dera e klubit duhet të hapet në mëngjes dhe të mbyllet në darkë. Unë kam pasur një ekip me shumë personalitet dhe dominuam gjithë kohës. Po ju tregoj një kuriozitet. Me Demin kemi bërë vetëm një herë mbledhje në të gjithë kohën kur unë isha aty.

Ka ndodhur kur u eliminuam nga Kupa me Luftëtarin dhe me të drejtën e tij të plotë, presidenti kërkoi shpjegim pasi u eliminuam nga ekipi i fundit i tabelës. E gjithë biseda ishte mese meje dhe presidentit Demi. Të tjerët nuk folën asnjë fjalë.

Përgjegjësia ishte imja, sepse isha trajneri. Kjo ka qenë ndërhyrja e vetme e Demit. Nuk kam pasur kurrë asnjë notë “kërcënuese” apo ballafaqim tjetër. Të paktën mes nesh. Ndoshta edhe për faktin që dominuam gjithë kohës. Te tjerët që afrohen rreth klubit nuk më kanë interesuar asnjëherë.

A ngjan largimi juaj nga Partizani me atë të Marinit dhe Kolelës? Në të dyja rastet skuadra doli kampione…

Më vjen keq që përmendet rasti tim, sepse ai rast nuk asnjë lidhje me largimin e Marinit dhe Kolelës. Sot Partizani ka një strukturë krejt ndryshe. Kur unë isha trajner, ishim të hapërdarë. Nuk kisha mundësi të gjëmoja të shikoja moshat, sepse një bënte në Pezë, ne ishim te Redi Jupi. Sot klubi është vërtet profesionist, ku nuk mungon asgjë. Kjo bën që gjërat të ndahen me kohën kur unë isha dhe tani. Unë kisha kontakt dhe punë vetëm me presidentin Demi dhe Olsi Ramën. Këta kanë qenë dy personat që vendosnin për gjithçka. Kë do marrim, kë do heqim.

Kur shkova, u larguan shtatë lojtarë, dhe Demi nuk pati asnjë kundërshtim, ndërsa Olsi (Rama) ulej me ta për të bërë ndarjen dhe nga asnjëri nuk pata hatërmbetje. Ishim shumë të qartë dhe shumë transparentë. Çdo gjë e bënim tre veta. Rasti i Kolelës apo i Marinit nuk ka të bëjë me mua. Unë ika dy javë pasi dola kampion dhe ka qenë kërkesa ime.

Dhe kjo përbën ndryshim të madh për mua. Nuk ka qenë dëshira as e drejtorit apo presidentit, apo të më kenë thënë asnjë gjysmëfjale në asnjë moment. E them sepse është abuzuar shumë me këtë. Më vjen keq që dikush të marrë përsipër diçka, që nuk e ka bërë. Më kuptoni. Nuk dua që asnjëri të mos rëndohet me gjëra, që nuk i takojnë. Nuk e bëj për t’iu afruar apo larguar asnjërit. Nuk kam nevojë për këto, më intereson vetëm e vërteta.

Jam munduar të jem shembull. Kam punuar me pasion, me korrektësi dhe profesionalizëm. Në fund ia dolëm të shpallemi kampionë pas 26 vitesh. Kjo ishte ëndrra ime dhe e gjithë tifozëve të Partizanit. Por nuk i nxora vetëm unë kampionë, ishte punë e përbashkët. Unë ia dola, por me mbështetje dhe bashkëpunim. Kur e pashë që duhet të largohem dhe të shoh gjërat e mia, shkova tek ambientet ku rri presidenti dhe i kërkova vetë Demit të largohesha.

Për këtë nuk dua të abuzohet më. E dëgjoj të thuhet se u bë traditë dhe i hoqën si Gegën. Aty do të emërohet trajneri i shtatë që nga ikja ime dhe klubi mund t’ju sqarojë arsyet përse i kanë ndërprerë bashkëpunimet me këta trajnerë.

Por mos harroni, është një ndërmarrje me investim privat dhe përzgjedhja u takon atyre. Unë jam larguar si kampion dhe me dashuri të madhe për atë klub dhe për tifozët. Kjo për mua ka vlerë të pazëvendësueshme. Paratë janë për t’u harxhuar dhe kurrë nuk kanë qenë primare për mua.

Si ju duket fakti që Partizani qëndron ende në tregun e huaj? Pritet të vijë një trajner kroat..

Është ekonomi tregu. Ne marrim turshi nga Maqedonia, komposto nga vende të tjera, portokalle nga Greqia (qesh). Përse të mos marrim trajnerë të huaj? Nuk ka asnjë problem. Unë kam punuar vetë jashtë.

Kam punuar për disa vite në Amerikë, në Kuvajt, Jordani. Nuk e di se si më kanë parë, por jam munduar të bëj më të mirën. Kushdo që vjen, edhe te Partizani e kam të sigurt se nuk do të vijë për të dështuar. Se sa i aftë është dhe se sa do të funksionojë, e tregon koha. Nuk duhet paragjykuar apo të jemi skeptikë pa e parë si punon.

Ndryshe nga Partizani, Tirana këmbënguli për ta mbajtur Shehin. Si ju duket kjo lëvizje?

Tirana ka bërë gjënë më të mirë, sepse një cikël i ri me dikë tjetër e bën më të vështirë. Shehi doli në vendin e dytë. Të gjithë gabojnë, por fakti që ka krijuar një ambient të mirë, ka një marrëdhënie të mirë me lojtarët.

Edhe pse kanë pasur mungesa të shumta, kanë rezistuar, sidomos në derbi. Unë në derbi mendova se ia dolën. Edhe në ndeshjen e Kupës me Egnatian, ka bërë një nga ndeshjet më të mira. Një Tiranë, që e kisha parë kohë më përpara, edhe pse me shumë mungesa. Kjo tregon se gjërat kanë funksionuar.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"