EKSKLUZIVE/ “Tirana për titull, triumfojnë në derbi me golin e Muçit”, Doka: Kam marrë oferta, klubi po negocion me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 23:53

EKSKLUZIVE/ “Tirana për titull, triumfojnë në derbi me golin e Muçit”, Doka: Kam marrë oferta, klubi po negocion me…

Albi Doka është një nga pengjet e sezonit të shkuar për Tiranën. Mbrojtësi i talentuar u largua me parametra zero nga klubi bardheblu dhe pas vetëm pesë muajsh, vlera e tij tashmë në “transfermarkt” është 1 milion euro. Futbollisti 23- vjeçar e ka nisur “me këmbën e djathtë” aventurën kroate, teksa te Gorica ka zënë shpejt një vend titullari dhe ka provuar gjithashtu edhe shijen e golit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Kombëtares rikujton ndeshjet derbi, flet për zërat e merkatos që e lidhin me skuadra turke si dhe bën parashikimin për sfidën e së enjtes mes Partizanit dhe Tiranës. Ka sigurisht edhe një konsideratë për rivalin në çdo derbi të shkuar, por që në vijim është bashkuar me të si pjesë e Kombëtares.

doka albi

Doka, pas një pjese të parë pozitive me HNK Goricën, çfarë prisni nga pjesa e dytë e sezonit?

Nuk më takon mua të flas për veten se çfarë kam bërë, por di të them se jam përshtatur mirë me skuadrën. Kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe stafi apo lojtarët më kanë ndihmuar të tregoj më të mirën time që në momentet e para që kam mbërritur në Kroaci. Kam dhënë më të mirën time sa herë kam pasur shansin të jem në fushë dhe kam provuar edhe shijen e golit këtu në Kroaci. Gjithashtu, kam qenë disa herë edhe pjesë e formacionit të javës, çka është tregues se unë duhet të punoj akoma më shumë që të përsëriten sa më shumë. Pres që me skuadrën të realizojmë objektivat e këtij sezoni dhe që unë të ndihmoj sa më shumë të jetë e mundur skuadrën për këtë gjë.

Me rritjen e vlerës së kartonit në 1 milion euro, sipas “transfermarkt”, a shkojnë më tej edhe objektivat tuaj personalë?

Unë shpresoj që edhe në vitin 2021 të bëj mirë me Goricën, njësoj si në muajt e mi të parë këtu në Kroaci. Synimi i ekipit janë grupet e Europa Ligës dhe unë besoj që mund ta realizojmë diçka të tillë, në rast se do të vazhdojmë të punojmë me këto ritme. Për momentin sapo kemi përfunduar fazën përgatitore dhe personalisht ndihem në formë. Primarë kam objektivat e klubit që përmenda më lart dhe në rast se do të jem edhe unë protagonist pozitiv në realizimin e tyre, aq më mirë akoma.

Alaniaspor dhe Trabzonspor janë dy skuadra të interesuara për ju në merkaton e janarit. Si është e vërteta dhe sa janë shanset e transferimit në Turqi?

Është e vërtetë që klubi i Goricës po negocion me dy skuadra turke. Megjithatë, kjo është një çështje e klubit dhe menaxherit, pasi unë jam i fokusuar në fushë që të punoj sa më shumë dhe të rritem akoma edhe më shumë.

A ju tundon kampionati turk?

Çdo interesim për një lojtar është vlerësim për të dhe punën e tij, ndaj nuk mund të mos e pranoj që më vjen mirë kur dëgjoj diçka të tillë. Megjithatë, unë kam dëshirë që të rritem edhe më shumë dhe kam besim që me aftësitë e mia dhe atë se çfarë mund të fitoj akoma te Gorica, mund të bëhem gati për të luajtur në një kampionat akoma edhe më të fortë sesa Turqia. Personalisht, nuk kam dëshirë që të bëj asgjë të nxituar, por jua përsëris që këto janë çështje të klubit dhe menaxherit.

Doka, si e keni parë Tiranën këtë sezon?

Tirana ka bërë edhe mirë, edhe keq këtë sezon. Me sa kam pasur mundësinë që ta ndjek, ka bërë edhe ndeshje të mira në të cilat ia ka dalë që të marrë rezultat si në atë të fundit me Kastriotin. Por, ka pasur edhe takime të tjera, në të cilat pavarësisht lojës nuk ka marrë dot maksimumin. Besoj që edhe te Tirana e dinë që pesë barazime radhazi ishin shumë.

albi doka

Distanca prej 12 pikësh me vendin e parë, sipas jush, a ka shanse që ta ruajë titullin?

Kampionati shqiptar nuk ka shumë diferenca mes skuadrave. Kur flasim për ekipet që synojnë titullin, shpesh diferencën e bëjnë detajet e vogla, aspekti psikologjik i ekipeve pas një rezultati jo fort pozitiv dhe forca për ta kaluar sa më shpejt atë. Unë mendoj se Tirana është ende në garë për titullin. Për më tepër, kam parë ditët e fundit afrime cilësore në merkato, ku një prej tyre është lojtari i Kombëtares, Seferi. Pa harruar edhe sezonin e vjetshëm ku në fund të dhjetorit nuk na llogariste askush si pretendentë për titull, por fakt është që Tirana nisi një seri rezultatesh pozitive dhe ia doli të shpallej kampion. Kush e njeh Tiranën, e di mirë që nuk dorëzohet asnjëherë.

Si shkojnë bardheblutë në këtë derbi?

Sipas meje, Tirana ka më shumë arsye për të fituar derbin. Triumfi i fundit ndaj Kastriotit shërben pozitivisht dhe, me sa kam komunikuar me djemtë në ekip, të gjithë janë të qetë dhe të përqendruar te kjo ndeshje. Derbi është një ndeshje e veçantë dhe besoj që çdo lojtar do të ketë dëshirë ekstra për të fituar, pasi do të ishte një shtysë ekstra për ecurinë e mëtejme.

Doka, cili është parashikimi juaj për këtë përballje?

Unë kam besim se do të jetë dita e Tiranës. Do t’ia dalë që të triumfojë. Them me gol të Muçit do të fitojë Tirana.

Si i kujtoni përballjet me Trashin?

Trashi është një lojtar shumë i mirë, aktualisht edhe pjesë e Kombëtares sonë. Është një nga mbrojtësit më të mirë me të cilët jam përballur në Shqipëri. Uroj që të takohemi sa më shpejt dhe sa më shpesh në Kombëtare (qesh…).

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"