EKSKLUZIVE/ “Tirana për titull, nuk më pëlqen ajo që thotë Sormani”, flet Hallaçi: Ja favoriti në ndeshjen Kukësi-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 10:50

EKSKLUZIVE/ “Tirana për titull, nuk më pëlqen ajo që thotë Sormani”, flet Hallaçi: Ja favoriti në ndeshjen Kukësi-Partizani

Në javën e 19-të të kampionatit shqiptar të futbollit shorti ka rezervuar një superpërballje midis Kukësit e Partizanit. E për më shumë se të gjithë, kjo sfidë është e veçantë për Rraman Hallaçin, ish-kapitenin historik të Kukësit, i rritur e i zhvilluar në radhët e Partizanit. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport” ish-kapiteni analizon jo vetëm këtë ndeshje, por edhe ecurinë e deritanishme të dy skuadrave. auto_rrahman-hallaci1558722771

Ai nuk i quan surpriza ndalimet e javës së fundit të Partizanit dhe Kukësit e mandej flet hapur për trajnerin Sormani, të cilin e kritikon për çështjen e lojtarëve kur ai ka thënë se merkaton e bëjnë drejtuesit. Merkatoja bëhet prej të gjithëve bashkë, pasi trajneri është ai që miraton alternativat. Teksa vlerëson se Partizani është fanellë e rëndë, Kukësi ka një ekip të madh, me shumë lojtarë me eksperiencë brenda, që dinë si t’i zgjidhin situatat. Në luftën për titull shikon Kukësin, Partizanin e më pas Tiranën e Laçin.

Hallaçi, u befasuat nga rezultatet e Kukësit dhe Partizanit në mesjavë?

Nuk është surprizë ndalesa e Partizanit dhe Kukësit. Nuk ka kundërshtarë të lehtë më në futbollin e sotëm. Kukësi nuk bëri mirë në start, por ka lojtarë me eksperiencë dhe dinë që të dalin nga këto situata. Ndërsa Partizani ka një problem, pasi nuk ka zëvendësuar Asanin dhe Malën, lojtarë kryesorë në formacion. Nuk më pëlqen kur dëgjoj Sormanin kur thotë se merkaton e bëjnë drejtuesit. Është thjesht justifikim, në fakt në të gjithë botën drejtuesit të gjithë së bashku e bëjnë merkaton, sepse pa miratimin e trajnerit askush nuk firmos. Megjithatë, Partizani ngelet Partizan, fanella është e madhe.

Si ka mundësi që Kukësi vuajti aq shumë në Gjirokastër, madje ishte shumë pranë humbjes?

Në fakt, po, Luftëtari ishte më afër fitores, por kjo ndodh tek ekipet e mëdha si Kukësi. Ndoshta ndonjë nënvlerësim, por të mos harrojmë se edhe Kukësi kishte raste për të shënuar. Kukësi ka skuadër moderne dhe di të ruajë ekuilibrat nga java në javë.

Kukësi dhe Partizani vijnë në këtë takim nga momente jo të mira, çfarë ndeshjeje prisni të luhet të dielën?

Kjo është sfidë karakteri dhe personaliteti. Nuk vendoset titulli në këtë ndeshje, thjesht skuadra që humbet do të rëndohet nga ana psikologjike. Ka dhe shumë ndeshje për t’u luajtur.Hallaci Kukesi

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në këtë takim?

Në këtë takim vendosin lojtarët me eksperiencë, është ndeshje që duhet të dish ta luash dhe ta menaxhosh. Kukësi i ka lojtarët anësorë shumë të shpejtë dhe është e vështirë t’i ndalosh. Partizani ka mungesa, por ka një lojtar si Romero që vendos autoritetin në mesfushë. Mbetet për t’u parë!

Fakti që luhet në stadiumin e ri, cilin ekip mund të favorizojë?

Stadiumi i ri është normal për të dyja skuadrat. Kukësi në Tiranë, është si në shtëpi, ka shumë kuksianë që jetojnë në Tiranë, të cilët nuk kanë munguar ndonjëherë. Ata janë aty gjithmonë në ndihmë të skuadrës, pastaj Partizani luan në shtëpi dhe kuptohet është pak i favorizuar. Tifozët e Partizanit janë të shumtë në numër dhe janë një shtysë për skuadrën.Rrahman Hallaci

Tirana po fiton terren. Si e shikoni garën për titull dhe kush mendon se do t’i shkojë luftës deri në fund?

Kukësi, Partizani janë të parët drejt titullit, më pas vjen Tirana. Të favorizuar nuk shikoj akoma ndonjë skuadër, por e kam thënë që Laçi mund të jetë surpriza, pa harruar Bylisin që duhet komplimentuar për sakrificën që po bën.

SKERDILAID SULOZEQI

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"