EKSKLUZIVE/ “Tirana, pa frikë në Zvicër”, Halili: Trajnerët duan shumë lojtarë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 18:24

EKSKLUZIVE/ “Tirana, pa frikë në Zvicër”, Halili: Trajnerët duan shumë lojtarë, por…

Këtë herë nuk ka deklarata bombastike. Tirana kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë deri në ndeshjen me Jang Bojsin. Presidenti i bardhebluve në një intervistë për “Panorama Sport” thotë se ka besim te skuadra e tij. Është i bindur që djemtë nuk do të zhgënjejnë, por nga ana tjetër thotë se skuadra është gati. Halili flet për ndeshjen “play off” dhe merkaton që sipas tij është e mbyllur, ndonëse trajnerët duan gjithmonë sa më shumë lojtarë.
120095165_2689360454653393_8835297242020937454_n
Nuk keni folur për shortin e Europës. Jang Bojsi është kundërshtari që do të luajë Tirana?
Shansi ishte që ndeshja na ra ta luajmë në fushën e tyre në Zvicër. Kam besim te grupi, te skuadra ime që ne shkojmë për të luajtur futboll pa frikë. E rëndësishme është që skuadra po vjen aty ku duhet në formë. Nuk kemi dëmtime dhe shpresojmë të jemi të qenë. Të udhëtojmë të qetë drejt Zvicrës, pastaj se çfarë do të rezervojë ndeshja, do ta tregojë fusha.

Ndeshja kuptohet se është shumë e fortë?
Kam besim absolut te të gjithë djemtë se do të dinë të bëjnë më të mirën për skuadrën tonë. Nuk dua të flas me shumë entuziazëm, sepse kam frikë se i bëj dëm ekipit. Si Refik jam optimist nga natyra, por nuk është besim që dua ta shpreh. Unë bazohem te skuadra, stafi, emri i klubit. Impenjimi dhe mobilizimi për të luajtur ndeshjen e radhës. Një kualifikim u bëhet mirë të gjithëve, klubit që bën historinë, vetë lojtarëve dhe shumë gjërave të tjera.

Për ju do të ishte më mirë sikur të luhej kampionati, flas nga ana teknike, nuk po hyj në çështjen e bojkotit?
Për ndeshjet e kampionatit kjo është punë e specialistëve. Do të ishte mirë që të bëhej një ndeshje zyrtare. Gjithsesi, ne po i zëvendësojmë këto ndeshjet zyrtare me ato miqësore siç është ndeshja miqësore me Dinamon. Jam i bindur se do të jemi gati.
KF TIRANA
Mund të themi që merkatoja është mbyllur dhe nuk do të afrohen lojtarë të tjerë?
Nuk themi që merkatoja është mbyllur, por jemi afër fundit. Shpresojmë që të vijë edhe lojtari i fundit yni, i cili është federuar. Shpresojmë që të udhëtojë me ne në Zvicër, pasi të marrë pasaportën. Me afrimin e lojtarit afrikan, besoj se në fund është një kontingjent i mirë dhe i plotë.

Trajnerët ndoshta nuk kënaqen vetëm me këta lojtarë, por duan të tjerë futbollistë?
Trajnerët pastaj kërkesat i kanë të mëdha. Vazhdojnë të kërkojnë lojtarë. Ata duan sa më shumë lojtarë, sepse për ta sa më shumë alternativa që kanë janë më të qetë. Gjithsesi, të shohim. Besoj se jemi në fund të prurjeve.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"