EKSKLUZIVE/ Tirana në kundërsulm, fiton 100 mijë euro nga gjyqi me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 22:21

EKSKLUZIVE/ Tirana në kundërsulm, fiton 100 mijë euro nga gjyqi me…

Tirana është mësuar që gjithmonë vitet e fundit të humbasë gjyqe në FIFA. I fundit ishte rasti i Moktar Cisesë, i cili u kushtoi bardhebluve më shumë se 300 mijë euro. Jo vetëm ata, por skuadrat shqiptare në shumicën e rasteve ka humbur çdo gjyq me ato të huaja. Ama Tirana, me sa kuptohet, ka vënë mend për çdo rast që ka pasur në kurriz.

Klisman Cake

Ndaj, këtë herë është treguar shumë e zgjuar dhe atë që ia kanë bërë klubet e tjera po ua kthen me të njëjtën monedhë. Muaj më parë Tirana ka vënë në lëvizje një avokat grek, i cili merret me lojtarët e larguar prej saj, të cilët nuk kanë paguar periudhën e formimit. Dhe pikërisht nga kjo histori kanë nisur të vijnë paratë e para. Bardheblutë kanë kërkuar periudhën e formimit për lojtarin Klisman Cake, i cili luan te Struga në Maqedoni.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se kanë qenë 100 mijë euro periudhë formimi që Tirana i ka fituar me gjyq në FIFA, sepse në transferimin nga një klub në tjetrin, skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut nuk ka paguar periudhën e formimit. Jozyrtarisht palët kanë arritur në një marrëveshje, për të paguar një pjesë të parave menjëherë dhe një pjesë në një periudhë tjetër. Bëhet fjalë për 50 mijë euro në dorë dhe pjesën tjetër më vonë. Për bardheblutë kjo është një nga fitoret e para në gjyqet për periudhat e formimit. Tirana nuk do të ndalet me kaq, sepse avokati grek prej kohësh po kërkon ish-lojtarë bardheblu, të cilët janë larguar, qoftë pa kontratë në një skuadër tjetër, por që nuk kanë paguar periudhën e formimit.

LOJTARI – Për ata që nuk e mbajnë mend, Cake ishte një mbrojtës i bardhebluve që në sezonin 2017-2018 e tjetrin 2018-2019 luajti jo pak për bardheblutë. Ai u largua pikërisht para nisjes së sezonit të titullit. Në Maqedoni ka luajtur jo pak, duke qenë titullar te skuadra e Struga Trim Lum. Vetëm në Ligën e Parë, Cake ka luajtur dy sezonet e fundit 40 takime, duke shënuar katër gola dhe është aktivizuar 3444 minuta.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"