EKSKLUZIVE/ Tirana në “ashensor”, Orges Shehi: Titullin e kemi në ADN, jemi duet fituesish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2021 | 21:34

EKSKLUZIVE/ Tirana në “ashensor”, Orges Shehi: Titullin e kemi në ADN, jemi duet fituesish

Kur Orges Shehi në konferencën prezantuese për shtyp tha që synonte të shkonte sa më lart me Tiranën, askush nuk e besoi. Skuadra ditën që Shehi e mori ishte 16 pikë nga Vllaznia e vendit të parë. Në dhjetë javë, bardheblutë me në krye Shehin jo vetëm që lëvizën për mirë, por tani diferencën nga kreu e ngushtuan në 5 pikë, ndërsa nga Europa, vetëm një fitore. Merita nuk është vetëm e lojtarëve, por edhe trajnerit të skuadrës, Orges Shehi. Erdhi te Tirana për të mbyllur sezonin po urtësia e tij bëri që grupi të mblidhet dhe ekipi të marrë pikë. Skuadra ka mbyllur diferencën prej 16 pikësh duke e çuar në vetëm në pesë. Përpara janë edhe dhjetë javë kampionat dhe 30 pikë në lojë. Në këto kushte, bardheblutë kërkojnë mrekullinë, sigurisht duke parë vetëm takimin e radhës. Njëlloj si Skënderbeu, sfidë me të cilën kampionët do të përballen këtë fundjavë. Në një intervistë për “Panorama Sport” Shehi rrëfen pas ndeshjes me Apoloninë dhe çfarë pret Tiranën në Korçë.

SHEHII

Shehi keni fituar një ndeshje me Apoloninë, jo aq të thjeshtë sa mund të mendohej në fillim.

Ishte një fitore e rëndësishme. Personalisht e kisha pak merak këtë sfidë, sepse e kisha shumë merak këtë kundërshtar. Kishte bërë shumë mirë në Superiore. Po të shohësh statistikat në nëntë takime ka pësuar vetëm nga një gol për ndeshje. Në fund vetëm Skënderbeu i ka shënuar dy gola. Është një kundërshtar që mbrohet mirë, një kundërshtar që i ka dëmtuar shumë rivalët tanë. U ka marrë pikë disa skuadrave.

U kënaqët për përmbysjen apo për lojën e skuadrës në fushë?

Mënyra se si erdhi fitorja më ngrohu. Paçka se çfarë ndodhi në pjesën e parë, mënyra se si djemtë e kërkuan fitoren ishte shumë e mirë. Ndryshuam edhe modul për të fituar, por kjo ka pak rëndësi.

Pjesa e parë ishte një neglizhencë e Tiranës, rastësi apo zotësi e Apolonisë?

U ndëshkuam nga dy episode që ndodhën në lojë. Nuk ishte neglizhencë, e përsëris ishin episodet që na ndëshkuan. Po të shohësh skuadrën në pjesën e dytë, por edhe në pjesën e parë, të gjithë ishin të karikuar dhe të përqendruar dhe kurrsesi të ishte neglizhencë. Golat erdhën nga kundërsulmet, nga momentet me topa të gjatë, për çështje fati apo edhe ndonjë gabimit tonë. Te goli i dytë ishte zotësia e lojtarit kundërshtar, që ia doli i vetëm të shkonte drejt portës.

Do të shkoni në Korçë. Duhet të fitoni me doemos, pasi ndeshja me Skënderbeun është udhëkryqi i madh i sezonit?

Ju e shihni çfarë rezultatesh po jep kjo Superiore. Skënderbeu mundi Kukësin në Elbasan. Jo vetëm me Kukësin, por skuadra korçare ka fituar edhe takime të tjera. Duhet të përgatitemi shumë mirë dhe të djersitim shumë për këtë kundërshtar që kemi në fundjavë.

Orges Shehi

 

Mund të besojnë tifozët e Tiranës te titulli kampion që të qëndrojë te bardheblutë?

Nuk kemi qenë kurrë kaq afër. Dhe të mendosh që ishim 16 pikë larg tani jemi vetëm pesë pikë është diçka e madhe. E mira është që edhe ekipet e tjera i kemi afër. Për më tepër që drejtoj një skuadër që titullin e ka në ADN-në e saj. Gjithsesi llogaritë i kemi në fund. Pastaj se çfarë do të sjellë renditja, do ta shohim.

Si i motivoni lojtarët për të shkuar drejt titullit?

Këtë gjë po mundohem t’u transmetoj lojtarëve. Po mundohem që të jem gjithmonë pozitiv për të parë përpara edhe kur gjërat nuk kanë shkuar mirë. Në pushim u thashë djemve që kampionët e kthejnë ndeshjen në 10 minuta dhe jo në 45 minuta. Për këtë qëllim duhet të futemi në fushë me kokën lart për të dhënë maksimumin, sepse jam i sigurt që mund ta përmbysim ndeshjen.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"