EKSKLUZIVE/ Tirana me mendjen tek merkato, synohet bomberi i Kategorisë së Parë dhe lojtari i Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 23:25

EKSKLUZIVE/ Tirana me mendjen tek merkato, synohet bomberi i Kategorisë së Parë dhe lojtari i Laçit

Tirana është vënë në lëvizje për të bërë skuadrën e sezonit të ardhshëm. Pas dëshirës për të afruar De Silvën e Kastriotit, bardheblutë kanë në shënjestër edhe dy lojtarë të tjerë në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Aleksandar Ignjatoviçin dhe Xhuliano Skukën, njëri mbrojtës dhe tjetri sulmues. 

Skuka

SKUKA – Tirana e njeh mirë lojtarin që këtë sezon vesh fanellën e Korabit. Është qendërsulmues dhe mes Kupës dhe kampionatit, Skuka ka shënuar 10 gola, një prej të cilëve edhe bardhebluve, që largoi Tiranën nga Kupa e Shqipërisë. Këtë kampionat, Skuka ka luajtur në 18 ndeshje, duke u aktivizuar 1592 minuta.

Në tri kampionatet e fundit në Kategorinë e Parë, Skuka ka shënuar 31 gola, pa llogaritur këtu rrjetat e Kupës. Skuka është një sulmues i mirë dhe mund të vlejë për bardheblutë. Edhe më parë Tirana është fokusuar te ky lojtar, por nuk ka pasur rezultate. Sulmuesi nuk ka një vlerë në “Transfermarkt”, por për t’u larguar nga Korabi, klubi bardheblu duhet të paguajë periudhën e formimit. Kontrata e Skukës mbaron në fund të qershorit 2021.

ignjatovic laci

IGNJATOVIÇ – Një tjetër lojtar që pëlqehet nga Tirana është serbi i Laçit, Ignjatoviç. Në fakt, që prej kohës së Emanuel Egbosë Ignjatoviç ka qenë në shënjestrën e bardhebluve, por nuk është mundur të afrohet, sepse nuk është zgjedhur teknikisht nga trajnerët e ekipit. Po kështu lojtari serb është në kontratë me Laçin dhe nëse largohet nga kurbinasit, vetëm atëherë mund të futet në lojë Tirana.

Nga ana tjetër, serbi që luan si qendërmbrojtës dhe ka qenë edhe kapiten i kurbinasve këtë kampionat, ka luajtur 23 takime, duke qenë 22 herë titullar. Nuk ka shënuar asnjë gol, por në fushë ka qenë 1932 minuta. Problemi i vetëm i lojtarit është mosha e madhe, 33 vjeç, ndërsa vitin e ardhshëm në prill do të shkonte 34 vjeç.

Vlera e lojtarit serb është 200 mijë euro. Problemi i Ignjatoviçit është fakti se nuk dihet nëse ka kontratë edhe për vitin e ardhshëm me ekipin e Laçit. Bardheblutë prej disa javësh janë duke hulumtuar në merkato, sepse shumë lojtarë aktualë mbyllin kontratat me ekipin kampion të Shqipërisë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"