EKSKLUZIVE/ Tirana kërkon pikët në tavolinë ndaj Flamurtarit, delegati Çela: Ja e vërteta e ndryshimit të protokollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 20:29

EKSKLUZIVE/ Tirana kërkon pikët në tavolinë ndaj Flamurtarit, delegati Çela: Ja e vërteta e ndryshimit të protokollit

Besnik Çela, delegati i ndeshjes Flamurtari-Tirana 2-2, ka deklaruar për “Panorama Sport” se futbollisti i Flamurtarit, Ariel Muçollari, është aktivizuar sipas të gjitha rregullave.

Besnik Cela

Ai shpjegon me detaje gjithçka ka ndodhur dhe pohon se është vënë në dijeni për ndryshimin që klubi vlonjat ka bërë pak minuta para ndeshjes.

Çfarë ndodhi me futbollistin Ariel Muçollari? Si ndryshoi protokolli?

Në momentin që kanë hyrë gjyqtarët brenda nga nxehja, ka ardhur zyrtari i Flamurtarit, Ardi Ciruna, i cili i ka kërkuar vëzhguesit të ndeshjes, Prek Pjetrushit, që të hynte tek arbitrat, pasi donte të bënte një ndryshim në protokoll. Pjetrushi i ka thënë se nuk mund të hynte në dhomat e arbitrave, por i ka bërë me dije se do të njoftonte gjyqtarin e katërt të dilte jashtë dhomave dhe të komunikonte me të.

protokolli zyrtar

Po më pas, çfarë ndodhi?

Më pas doli jashtë gjyqtari i katërt Orlando Kuka bashkë me protokollin origjinal dhe është shtuar në protokoll edhe futbollisti Muçollari, për të cilin Flamurtari kishte planifikuar që ta ndryshonte. Por duke qenë vetë prezent aty, e kam dëgjuar edhe arbitrin Orlando Kuka që t’i thotë zyrtarit të Flamurtarit se duhej t’ua shpërndante mediave protokollin e ndryshuar. Pastaj, se çfarë ka bërë zyrtari i Flamurtarit me mediat, kjo nuk është as kompetencë e imja ta vlerësoj dhe as përgjegjësi.

A është e rregullt që të bëhet ky ndryshim në protokollin e ndeshjes pak minuta para se ajo të nisë?

Po, është gjithçka konform rregullave. Ka lojtarë që pësojnë dëmtime pas nxehjes ose kanë shqetësime të tjera dhe çdo klub ka ende mundësi ta ndryshojë protokollin, për aq kohë sa skuadrat ende nuk kanë dalë në fushë.

Ju vunë në dijeni ju arbitrat për ndryshimin e protokollit?

Po, ishte Orlando Kuka që më njoftoi që në fillim. Madje, edhe kur u bë zëvendësimi në fund të ndeshjes, Kuka më ka kujtuar edhe një herë se ky ishte lojtari, të cilin klubi i Flamurtarit e kishte shtuar në protokoll para se të fillonte ndeshja. Nuk ka asgjë për të fshehur dhe as për ta dramatizuar.

Tirana pretendon se ka protokollin origjinal dhe aty futbollisti nuk figuron…

Protokollin origjinal e kanë gjyqtarët. Unë u interesova edhe pasi zyrtarë të Tiranës më komunikuan pretendimet e tyre. E pashë vetë protokollin dhe gjithçka ishte në rregull.

Si vërtetohet nëse arbitrat mund të kenë bërë shkelje dhe ta kenë shtuar më mbrapa emrin e lojtarit?

Po nuk ka shanse, sepse jam vënë në dijeni që në fillim. Unë raportoj edhe ndeshjen “live” në portalin e FSHF-së. Unë ku e gjeta emrin e këtij djalit që e vendosa? E shpika? Po, jo pra, sepse mua më njoftuan që para fillimit të ndeshjes për ndryshimin e bërë dhe nuk qëndron një pretendim i tillë.

Po nëse Tirana kërkon ekspertizë?

Patjetër, mund t’i ndjekë të gjithë hapat që sheh të nevojshëm. Është e drejtë e saj. Unë detyrën time e kam bërë me korrektësi.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"