EKSKLUZIVE/ “Tirana ka shanse për kualifikim, ja si ia dalim ndaj Dudelanzhit”, Seferi: Merkato? Nëse vjen diçka… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 22:19

EKSKLUZIVE/ “Tirana ka shanse për kualifikim, ja si ia dalim ndaj Dudelanzhit”, Seferi: Merkato? Nëse vjen diçka… (E PLOTË)

Taulant Seferi është i bindur se Tirana e tij do të bëjë më të mirën në Europë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i bardhebluve pranon se do të kishte dashur të shënonte më shumë. Për sfidën me Fenerbahçen pohon se skuadra ishte e lodhur. Nga ana tjetër, lojtari i bardhebluve ka prekur edhe temën e Kombëtares kuqezi, ndërsa thotë se ndihet i zhgënjyer që ekipi nuk mori fitoren që duhej.

TAULANT SEFERI 1

Tirana ka mbyllur një sezon të mrekullueshëm. Keni ardhur nga faza përgatitore. Sa gati është skuadra bardheblu?

Po, jemi gati. Ajo që ka kaluar tashmë ka ikur. Ne nuk duhet të shohim pas. Duhet të shohim përpara. Duhet t’ia nisim nga zeroja, sepse është sezoni i ri. Për klubin Tirana është një verë shumë e rëndësishme. Na pret një punë shumë e madhe përpara. Përgatitjet kanë kaluar shumë mirë dhe tashmë jemi në javën para ndeshjes. Na duhet përqendrim maksimal. Duhet të jemi të qartë e të fortë dhe unë mendoj se ne jemi gati.

Si ishte faza përgatitore për Tiranën? U izoluat shumë larg Shqipërisë për të qenë të qetë?

Faza kaloi shumë mirë. Edhe akomodimi, hoteli dhe infrastruktura ishin shumë mirë. Jemi ndier mirë. Koha ka qenë perfekte në Bolu. Gjithçka shkoi në perfeksion. Ishte një gjetje e klubit. Na bashkoi edhe më shumë si skuadër. Po kështu, jemi të lumtur që u kthyem në shtëpi.  Me qetësi po përgatitemi për ndeshjen e parë që kemi në Luksemburg.

Sa e vështirë është që të kalosh kundërshtarin që keni përpara, Dudelanzhin?

Është një kundërshtar shumë i vështirë. Nga të gjithë është folur që Tirana ka një short të lehtë. Mund të shkojë në grupet në Europë. Personalisht nuk më pëlqejnë këto fryrje. E dimë që Dudelanzhi është shumë i fortë. Para dy-tri vitesh ka qenë në grupet e Europës. Pa asnjë dyshim duhet shumë punë, angazhim dhe përqendrim për t’u kualifikuar.

Emri juaj përflitet shumë në merkato. Ku do ta shohim sezonin tjetër Taulant Seferin?

Jam shumë i sinqertë me atë që po them. Nuk e kam mendjen fare te merkatoja. Jam te Tirana. Jam i përqendruar te kjo ndeshje. Jam i lumtur këtu. Ama e dini edhe ju, nëse vjen diçka pa dyshim që çdo lojtar do të kishte dëshirë të lëvizte. Po e përsëris, nuk e kam mendjen te merkatoja dhe as nuk kam parë apo lexuar gjë për mua, por jam i fokusuar te ndeshja me Dudelanzhin. Kjo është më e rëndësishme.

Me kuqezinjtë shënuat gol. Sa hapësirë do të dëshironte Seferi në Kombëtaren shqiptare?

Secili lojtar dëshiron të luajë titullar. Të ketë sa më shumë minuta në atë ekip me të cilin firmos apo në kombëtare. Edhe unë dua që të luaj më shumë. Do të punoj dhe do të jap maksimumin. Falënderoj Zotin, sepse nga Tirana në Kombëtare… Trajneri më aktivizoi. Shënova gol dhe kjo është diçka shumë e mirë. Nga ana tjetër, jam i zhgënjyer sepse këto rezultate nuk i prisja as unë dhe as shokët e tjerë. Gjithsesi, ne duhet të jemi me kokën lart dhe të punojmë në vazhdimësi.

Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?

Flas jo vetëm për Europën. Ne jemi e njëjta skuadër, me pak lëvizje të vogla. Nuk duhet të shohim pas, por të ecim përpara. Gjithçka është e re dhe ne duhet të jemi gati për çfarë mund të ndodhë. Nuk duhet të jetojmë me atë që fituam, por çfarë do të fitojmë.

Shënuat një gol, por patët raste në ndeshjen me Fenerbahçen…

Shënova gol, ndërsa në Turqi ika pas Kombëtares. Isha pak i lodhur, por u ndjeva mirë. Bëra gol me Shkupin. Skuadra është shumë e mirë. Edhe me Fenerbahçen kisha disa raste për gol.

Ndonjëherë nuk të do goli. Ne u mundëm 4-0. Kanë folur keq, duke na kritikuar. Ishte ndeshja e fundit e fazës përgatitore. Në njëfarë mënyre kemi qenë të lodhur, sepse kemi luajtur çdo tri ndeshje. Nuk ishte ai rezultat që shpresonim, nuk e meritonim atë rezultat. Them se jemi ekip shumë i përgatitur.

Ju edhe vjet luajtët në Champions. Çfarë duhet të bëjë Tirana që të kualifikohet?

Unë mendoj se duhet angazhimi i skuadrës nga i pari deri tek i fundit dhe përqendrimi. Po e patëm angazhimin dhe përqendrimin, them se Tirana ka shanse reale t’u kualifikuar. Gjithsesi, s’dua të flas për kualifikimin, sepse duhet të japim maksimumin në këtë ndeshje. Asnjë sfidë nuk është e lehtë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"