EKSKLUZIVE/ “Tirana ka mentalitet fituesi”, ish-mesfushori Allmuça: Partizani ka humbur pikë nga stadiumi i ri (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 18:53

EKSKLUZIVE/ “Tirana ka mentalitet fituesi”, ish-mesfushori Allmuça: Partizani ka humbur pikë nga stadiumi i ri (E PLOTË)

Duhet të kthehemi plot 19 sezone pas për t’i parë Partizanin dhe Tiranën të luftojnë së bashku për titullin kampion, të paktën deri në javën e 26-të. Për faktin e thjeshtë se në këtë edicion po ndodh e njëjta gjë, “Panorama Sport” ka vendosur të flasë me protagonistë të asaj kohe. Pjesë e rëndësishme e Partizanit të asaj kohe ishte Igli Allmuça.

igli allmuca

Ai kujton atë sezon, kur ekipi i kuq e humbte duelin e titullit me Tiranën, por fitonte Kupën dhe Superkupën në finalet ndaj Tiranës dhe Partizanit. Allmuça bën edhe një minianalizë të dy skuadrave dhe e sheh tepër të fortë garën. Sipas tij, arma që mund ta çojë Partizanin drejt titullit është grupi, pasi, sipas tij, momentalisht të kuqtë nuk kanë një lojtar që dallon mbi të tjerët.

Ju kujtohet sezoni 2003- 2004?
Ka qenë një vit me shumë rivalitet deri në një pikë të sezonit. Atë vit me të vërtetë nuk kemi fituar titullin, por kemi fituar Kupën dhe më pas Tiranën e kemi mposhtur në finalen e Superkupës.

Cili ka qenë derbi që ju ka ngelur më së shumti në memorie?
Derbi që mbaj mend më së shumti ka qenë një ndeshje, e cila ka përfunduar me shifrat 3-3 në sezonin 2004-2005. Tirana po fitonte me shifrat 3-1 dhe ne arrinim të rikthenim, duke barazuar. Ka qenë një nga ndeshjet që më është ngulitur në mendje dhe e kujtoj edhe sot.

Ju luftuat për titullin, por në fund përfunduat të katërtit. Çfarë ndodhi?
Është e vërtetë. Në momentin që Tirana u shkëput dhe dolëm nga gara për titullin, të gjitha bateritë i shkarkuam te trofeu i Kupës dhe sigurisht që kishte oshilacione në kampionat. Në ato vite Tirana ka qenë e fortë, sidomos në atë sezon.

Mund ta ndryshojë historinë Partizani duke fituar titullin këtë herë? Mund t’ia dalin?
Kësaj nuk i dihet asnjëherë. Mund të ndodhin të dy skenarët, por mund të ndodhë edhe një precedent si në 2001- 2002. Në këtë sezon Tirana dhe Partizani ishin kampionë dimri me pikë të barabarta dhe në fund titullin e fitoi Dinamo. Nga të gjithë kampionatet që kemi luajtur, ka qenë një ndër kampionatet më rivalizuese. Ishin katër skuadra shumë të forta: Dinamo, Tirana, Partizani dhe Vllaznia.

Kush mund ta bëjë “Dinamon” në këtë sezon?
Po mendoj se mund të jetë edhe Vllaznia, që mund t’i rrezikojë. Gjithsesi, mesa kemi parë Tirana dhe Partizani kanë më shumë stabilitet se shkodranët. Por futbollit nuk i dihet asnjëherë.

Çfarë duhet rregulluar për të mos përsëritur skenarin e 2004-ës në kampionat dhe për të shmangur luhatjet?
Për mendimin tim, ato rezultate rresht, kur Partizani regjistroi rezultate jo të mira, një faktor mendoj se ka qenë zhvillimi i ndeshjeve te stadiumi “Partizani” me fushë sintetike. Iu desh kohë të ambientoheshin. Pavarësisht se ata stërviten aty është tjetër gjë në ndeshje kampionati. Ndryshon fusha e “Air Albania” apo Elbasanit me një fushë sintetike. Është një ndikim me përqindje të ulët, por që ka efektin e vet. Nëse do të kishte luajtur në stadiumet e tjera do të kishte më shumë pikë seç ka tani. Ky është mendimi im, që Partizani disa pikë i ka lënë për shkak të fushës. Jo nga niveli i lojës. Një fushë e tillë favorizon skuadrat që vijnë për të marrë pikën. Gjithashtu, largimi i Skukës dhe përshtatja me skemat e reja kishte pa dyshim ndikim të konsiderueshëm.

Cili nga ekipet kryeqytetase ju duket më i avantazhuar për titullin?
Të dyja mendoj se janë në kushte të barabarta, pavarësisht se Tirana ka mentalitet fitues, sepse është kampione në fuqi. Mendoj se të dyja kanë shanset e veta.

Kush ju duket se është lideri i Partizanit pas ikjes së Bitrit dhe Skukës?
Mendoj se Partizani ka kompleksitet, nuk mendoj se ka një lider të caktuar. Lideri i Partizanit është grupi. Dhe kjo e bën këtë skuadër që të jetë e fortë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"