EKSKLUZIVE/ Tirana i përvishet punës për sezonin e ri, Deborah Keçi: Prioritet basketbolli i femrave!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 12:49

EKSKLUZIVE/ Tirana i përvishet punës për sezonin e ri, Deborah Keçi: Prioritet basketbolli i femrave!

Në klubin shumësportësh Tirana ka nisur zyrtarisht puna për sezonin e ri, duke filluar që nga ekipet e lojërave me dorë, të cilat dy ditë më parë kanë zbritur në parket për seancat e para stërvitore.

DEBORAH KECI 1

Në prag të edicionit të ri drejtoresha e klubit, Deborah Keçi, tregon objektivat, ndërsa bën gjithashtu edhe bilancin e sezonit të kaluar.

Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, shefja “bardheblu” garanton mbështetje për të gjithë armatën kryeqytetase, duke nisur nga ekipet e volejbollit, basketbollit dhe për të gjitha sportet e tjera.

Megjithatë, Keçi tregon se një prioritet të veçantë këtë edicion do të ketë skuadra e basketbollit të femrave. Drejtoresha e Tiranës nuk nguron të “thumbojë” gjithashtu edhe klubet e tjera për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit.

299107869_1134824940790507_6798688896955062547_n

MOTOJA E SEZONIT TË RI – “Dua ta nis nga sezoni i kaluar, pasi Tirana ka qenë një ekip që ka bërë diferencën dhe ka lënë gjurmën e saj në kampionate. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët që kanë qenë në krye të skuadrave, të gjithë bashkëpunëtorët, sponsorët, stafin e palodhur, duke filluar që nga punëtorët e terrenit, duke vazhduar te fotografi, përgjegjësi i komunikimit, juristët dhe ekonomistët e klubit.

Duke vazhduar deri te shoferi i fugonit, që na shoqëruar në çdo ndeshje. Por, sigurisht falënderimi më i madh shkon për çunat dhe gocat që kanë qenë pjesë e ekipeve, duke dhënë kontributin e tyre në sezonin që lamë pas. I falënderoj të gjithë pa përjashtim për djersën e derdhur, – shprehet fillimisht Deborah, e cila më tej tregon moton e sezonit të ri – Në intervistën e parë që kemi bërë kur kam ardhur në krye të klubit, në një sezon me pandeminë në mes, kam thënë se ai ishte viti i vëzhgimeve. Sezonin e dytë e quajta si vitin e rezultateve dhe besoj që ky sezon dhe në vijim do të jetë i afirmimeve të rezultateve të Tiranës”.

299343872_819815285811611_4715990158001422518_n

VOLEJBOLLI I MESHKUJVE – Analizën e sezonit 2021-2022, Keçi e fillon me ekipin e volejbollit të meshkujve, që pa diskutim ishte edhe skuadra më rezultatet më të larta:

“Në krye sigurisht ka qenë ekipi i volejbollit të djemve, skuadër për të cilën jam jashtëzakonisht krenare. Një grup çunash fantastikë në radhë të parë si qytetarë dhe më pas si sportistë. Gjithmonë kam qenë më parimin që në radhë të parë në skuadër dua njerëz të mirë dhe pastaj sportistë të mirë, sepse janë fytyra e klubit bardheblu që përfaqësojnë qytetin.

Nga 5 trofe të mundshëm, ishin kampionë absolutë duke i fituar të gjitha kupat. Sigurisht me në krye trajnerin e mirënjohur, Arben Sako, besoj që i kemi rikthyer volejbollit të meshkujve trofetë e munguar prej 28 vitesh”. Më tej drejtuesja më e lartë e Tiranës tregon objektivat e skuadrës për sezonin e ri, ndërsa flet edhe për merkaton:

298771892_565969191986251_273343637126907655_n

“Gjithmonë kam thënë që më e vështirë se të fitosh, është momenti kur je në majë dhe duhet që të qëndrosh aty. Pra, kjo është sfida më e madhe e këtij viti, për të mbajtur në radhë të parë djemtë e volejbollit në krye. Skuadër që për herë të parë do të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Dëshirojmë të përfaqësohemi denjësisht dhe të rivalizojmë duke bërë ndeshje të bukura. Tirana u rikthyer pas 28 vitesh dhe tani synon që të jetë në krye për 28 vite të tjera”. Për sa i përket merkatos, Keçi deklaron:

“Boshti kryesor i lojtarëve është konfirmuar, por na është larguar në fakt organizatori Çali për arsye familjare, pasi tani jeton jashtë Shqipërisë. Kemi rikonfirmuar argjentinasin, Gonzalo Lapera, i cili ishte një nga më të spikaturit. Nuk dua të ndalem shumë tek emrat, pasi në ditët në vijim ne do t’i prezantojmë të gjithë”.

299265990_737189647385812_645741736370896364_n

VOLEJBOLLI I FEMRAVE – Më tej Deborah komenton ecurinë e skuadrës së femrave:

“Një sezon shumë i mirë ka qenë edhe për volejbollin e vajzave, me në krye trajneren e mirënjohur Amarilda Prenga. Si vit i parë si trajnere, besoj që ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, duke fituar Kupën e FSHV-së dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa për pak edhe titullin kampion, duke shkuar deri në finale.

Megjithatë, patën përballë në finale një ekip të konsoliduar si Skënderbeu, me lojtare të huaja që ishin bashkë që prej fillimit të sezonit, ndryshe nga ne që e bëmë goditjen në merkaton e dimrit. Një ndihmë e madhe për Korçën ka qenë tifozëria e tyre, e cila meriton të përgëzohet. Mua asnjëherë nuk më mërzit humbja, por vetëm mënyra se si vjen humbja, pra zhgënjehem vetëm kur pësojmë humbje pa luftuar.

Ne luftuam deri në fund, por ndoshta duhet pranuar se kundërshtari që kishte një ekip më të konsoliduar”. Keçi bën të ditur se ashtu sikurse një vit më parë, ekipi do ta nisë sezonin me lojtare vendëse, pasi vetëm kështu mund të garantohet vazhdimësia:

“Kam dëgjuar që skuadrat e tjera kam bërë blerje të fuqishme që në fillim të sezonit, por ajo që mua më shqetëson, është rasti i Skënderbeut, që sezonin e kaluar u shpall kampion, ndërsa sot është me vetëm 3 lojtare dhe është shpërbërë. Unë nuk dua kurrsesi që nga një ekip kampion skuadra të shpërbëhet, pasi nuk e di se sa vlen një sukses i tillë.

Kështu që e kemi nisur sezonin me këmbë në tokë, baza e lojtareve është aty, edhe pse kemi pasur disa largime. Kemi pasur edhe disa afrime, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vazhdim.

Unë jam gjithmonë me idenë për t’u dhënë mundësinë edhe lojtareve shqiptare për të luajtur, të paktën në fazën e parë të kampionatit, pasi kështu kanë mundësi të rriten”.

299343872_819815285811611_4715990158001422518_n

BASKETBOLLI I MESHKUJVE – Teksa “skanon” kampionatin e kaluar të Tiranës së basketbollit të meshkujve, Deborah shprehet e kënaqur me rezultatet, por gjithashtu tregon shkaqet e mosfitimit të titullit:

“Besoj që ishte një sezon pozitiv, duke fituar Kupën e FSHBsë dhe Kupën e Shqipërisë, trofe që mungonin prej disa vitesh. Mendoj që kishim një ekip mjaft të mirë dhe jam shumë e lumtur që baza ka qenë gjithmonë me lojtarë shqiptarë, lojtarë të kombëtares.

Duke kaluar te kampionati, nuk dua që të aludoj apo të mendoj më të keqen, por fakti që patën disa largime nga ekipi në mënyrë komplet të pajustifikuar dhe të palajmëruar në një moment deciziv, kur ishte mbyllur merkatoja, ndikuan në rezultatin final. Duke shtuar gjithashtu edhe disa dëmtime të lojtarëve kyçë si Juli Hamati, duhet thënë sa kampionati na rrëshqiti nga duart. Megjithatë, nuk dua të gjej justifikime”.

Deborah Keçi njofton gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit me sponsorin dhe flet për edicionin e ri:

“Jam shumë e lumtur për të shpallur edhe një herë bashkëpunimin me sponsorin duke riafirmuar ekipin Tirana Neptun. Një bashkëpunim që besoj se do të zgjasë disa vite. Duke u rikthyer te skuadra, boshti është shumë i mirë dhe lojtarët kryesorë kanë rinovuar kontratat e tyre. Sigurisht dihet që në kampionatin tonë të basketbollit nuk mund t’ia dalësh pa bërë ndërhyrje në merkato, kështu që edhe ne do të bëjmë lëvizjet tona”.

BASKETBOLLI I FEMRAVE – Ekipi i femrave do të jetë në fokusin kryesor të klubit dhe këtë e konfirmon vetë drejtoresha bardheblu, e cila shprehet se do të kërkohet që të thyhet hegjemonia e Flamurtarit në kampionat:

“Është pikërisht ky ekip me të cilin unë dua shumë që këtë vit të kemi foksin kryesor për ta rikthyer në majë. Ekipi i basketbollit të femrave është ai me më shumë tituj në historinë e klubit.

Këtë vit, së bashku me trajneren e mirënjohur, Mirza Alibegaj, kemi bërë disa ndërhyrje në merkaton vendëse dhe besoj që kemi një grup të konsoliduar, dhe pse jo, do të ndërhymë në merkato për të afruar edhe lojtare të huaja.

Pra qershia mbi tortë e sezonit të ri, të cilën e lashë në fund, jo se ndiehem pak në faj për lënien në ‘harresë’ në sezonin e kaluar, është ekipi i femrave. Realisht dua shumë që edhe gocat e basketbollit të ndihen të vlerësuara dhe e them publikisht që fokusi i klubit do të jetë për skuadrën e gocave të basketbollit. Janë lojtare vendëse shumë të mira, goca të reja që kanë karrierën përpara.

Ndoshta kanë fituar pak edhe atë pjekurinë gjatë këtyre dy viteve që nuk kemi pasur shumë pretendime. Po bëhen shumë vite që Flamurtari dominon basketbollin e femrave në Shqipëri duke e bërë monotoni dhe them që ka ardhur momenti që ta prishim këtë trend”.

“THUMBA”, SKËNDERBEUT DHE TEUTËS – Drejtoresha e Tiranës nuk ngurron as të thumbojë klubet e tjera shumësportëshe të vendit për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit, të cilën ajo e quan të padrejtë:

“Tirana në një sport apo në një tjetër ka qenë ekip që u ka dhënë lezetin kampionateve shqiptare. Diku kemi fituar dhe diku jo, por gjithmonë kemi qenë konkurrues dhe për këtë jam shumë krenare.

Mendoj se kjo është arritja më e madhe si drejtuese e klubit. Është shumë kollaj për të lënë në harresë një ekip dhe për ta fokusuar të gjithë buxhetin në ‘x’ skuadër, duke shkrirë të tjerat. Kemi rastin e Skënderbeut, ku në Korçë ekipet e basketbollit për femra dhe meshkuj ishin inekzistente, madje edhe në volejbollin e meshkujve thuajse ishin inekzistentë.

Pra, buxhetin e 4 ekipeve e çuan te skuadra e volejbollit të femrave. Por, për mua kjo nuk është normale, pasi nuk është ky qëllimi i sportit, sepse çdo disiplinë dhe çdo ekip kanë rëndësinë e tyre.

Si Skënderbeu ka vepruar edhe Teuta, që ka pasur një histori të jashtëzakonshme me volejbollin, por që thuajse janë shkrirë komplet, sepse i gjithë buxheti i klubit shkon për basketbollin”.

DEBORAH KECI

TIRANA, BAZA E EKPIVE KOMBËTARE – Deborah Keçi ndalet edhe te sportet e tjera, duke vijuar me ato individuale, teksa evidenton se Tirana është baza e skuadrës kombëtare:

“90% e ekipeve kombëtare në të gjitha sportet i përkasin Tiranës dhe jam shumë krenare që klubi në jep një kontribut ndërkombëtar me sportistë që përfaqësojnë Shqipërinë”.

Në veçanti, Keçi ndalet te Luiza Gega, që duhet marrë si shembulli i punës në sport: “Vazhdoj ta them që sportistja më e disiplinuar, me rezultatet më të larta dhe më një performancë gjithnjë konstante mbetet Luiza Gega, e cila ka pasur një vit të jashtëzakonshëm në të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë.

Pak javë më parë doli e pesta në Kampionatin Botëror, ndërsa tani shpresoj dhe i uroj me gjithë shpirt që të kthehet me një medalje nga Europiani i atletikës në Mynih”. Drejtoresha bardheblu flet edhe për sportet e tjera, me peshëngritjen në krye: “Nga ana tjetër peshëngritja gjithashtu ka pasur një sezon fantastik.

Dihet që kombëtarja e shtangës është thuajse 100% e përbërë me sportistët e Tiranës si Brikeni, Erkandi, Evangjelia, Danieli etj.

Gjithashtu, xhudo apo taekwondoja dominohen nga Tirana. Ndërsa te noti, kemi notaren më të mirë shqiptare si Nikol Merizaj, por te djemtë është më mirë Durrësi dhe të them të drejtën ndihem krenare (si durrsake), pasi nuk ka se si një qytet bregdetar mos të nxjerrë notarë (qesh).

Mundja ka pasur rezultate të jashtëzakonshme këtë vit dhe gjej rastin të falënderoj trajnerin Leonard Çakmashi, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në stilin e lirë.

Duket pak klishe, por nëse shikoni në hyrje të klubit aty shkruan ‘shtëpia e kampionëve’ dhe besoj që Tirana është një klub që ka mbledhur më të mirët, pra elitën e sportit shqiptar”, përfundon Deborah Keçi.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"