EKSKLUZIVE/ Tirana i jep duart, Danso: Ja e vërteta e “divorcit” me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 14:21

EKSKLUZIVE/ Tirana i jep duart, Danso: Ja e vërteta e “divorcit” me bardheblutë

Tirana dhe Riçard Danso kanë ndarë zyrtarisht rrugët. Sulmuesi dhe klubi bardheblu kanë ndërprerë në mënyrë konsensuale kontratën e tyre. Këtë lajm e ka bërë vetë publike klubi kryeqytetas me anë të një njoftimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook” duke njoftuar “divorcin” me sulmuesin 21- vjeçar.

DANSO

“Klubi i futbollit Tirana njofton ndërprerjen e kontratës me lojtarin Riçard Danso. Sulmuesi i cili iu bashkua ekipit në tetor të vitit 2020 ka pranuar ndërprerjen me konsensus të bashkëpunimit”, shkruante klubi. Të mërkurën u publikua lajmi se ganezi për shkak të sjelljes jokorrekte duke thyer rregullat në klub, ishte dënuar nga Tirana duke e dërguar për t’u stërvitur tek U-21.

REAGIMI I LOJTARIT – Gazeta kontaktoi lojtarin ganez. Ky i fundit në fillim pati pretendime për rrogat, por pas marrëveshjes me klubin pranoi se Tiranës i uron gjithë të mirat.

“Tiranës i uroj gjithë të mirat. Kemi ndarë rrugët me klubin. Unë doja rrogat deri në 2024-ën kur më mbaronte kontrata. Pas marrëveshjes me klubin nuk kam për t’u ankuar në FIFA për punën e pagesave. Jam lojtar i lirë dhe do të provoj fatin tim dikur tjetër”, u shpreh për “Panorama Sport” Riçard Danso.

Ganezi mbërriti në Shqipëri vetëm një muaj se të mbyllej viti 2021, pas gjashtë muajsh arratisjeje nga klubi. Në sezonin e parë u aktivizua në 22 takime dhe 1394 minuta.

Në 14 sfida ka qenë titullar, ndërsa në pesë të tjera sfidën e ka nisur nga stoli. Prej një faze nuk luan me ekipin e parë qoftë edhe një minutë. Këtë sezon, Danso ka luajtur vetëm 26 minuta në dy takime, duke mos bërë pothuajse asgjë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"