EKSKLUZIVE/ Tirana humbet golashënuesin e Superiores, Hasani merr ofertën e milionave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 21:21

EKSKLUZIVE/ Tirana humbet golashënuesin e Superiores, Hasani merr ofertën e milionave

Florent Hasani është në qendër të merkatos. Sulmuesi i bardhebluve është shënjestruar nga skuadra arabe dhe ai mund të kalojë në Arabi kundrejt një shume të majme që mund të fitojë ekipi bardheblu. Te Tirana janë të sigurt që Hasani do të ikë dhe do të sjellë para. Halili ka vendosur ta shesë me një shifër jo më pak se 500 mijë euro. Sulmuesi kryesor i Tiranës, i cili këtë kampionat ka shënuar 19 herë mes Superiores, Superkupës dhe Kupës së Shqipërisë, në fund të sezonit mund të largohet nga bardheblutë.

hasani

Veç ekipeve nga Lindja e Mesme janë disa skuadra që kanë dëshirë të marrin shërbimet e lojtarit të përfaqësueses së Kosovës. Mësohet se për futbollistin interesohen skuadra nga Turqia, Kroacia, veç atyre nga Azerbajxhani. Lojtari është lideri i bardhebluve këtë sezon. Ai la Hungarinë për Shqipërinë, por duket se shumë shpejt, ndoshta pas Europës, do të prekë një aventurë tjetër. Ende nuk janë zbuluar skuadrat, të cilat kërkojnë shërbimet e shqiptarit, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që edhe ekipe të tjera të duan Hasanin në javët në vazhdim.

STATISTIKAT – Kartoni i lojtarit vlerësohet 500 mijë euro. Ai është futbollisti më i shtrenjtë i Tiranës. Po kështu, këtë kampionat, veç 19 golave, Hasani që është 26 vjeç në 42 takime në kampionat, ka dhënë 8 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 3381 minuta. Hasani është edhe golashënuesi i kampionatit shqiptar me 16 gola, ndonëse nuk luajti ndeshjen e fundit.

ZËVENDËSUESI – Për të zëvendësuar Hasanin në lojë janë disa lojtarë me të cilët bardheblutë kanë folur paraprakisht. Bëhet fjalë për Liridon Latifin, të cilit i është bërë ofertë. Nga ana tjetër, në lojë është edhe Eros Grezda. Bardheblutë mund të afrojnë Ardit Hoxhën për të plotësuar skuadrën që do të luajë në Europë dhe kampionatin e ardhshëm. Lojtari është perfekt për bardheblutë që duan një sulmues si ai.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"