EKSKLUZIVE/ Tirana “flirton” me Brdariçin, gjermani refuzon me stil. Zbulohet çfarë i tha Halili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2021 | 23:24

EKSKLUZIVE/ Tirana “flirton” me Brdariçin, gjermani refuzon me stil. Zbulohet çfarë i tha Halili

Orges Shehi ende nuk është konfirmuar në krye të Tiranës, por kjo nuk do të thotë se te bardheblutë nuk mendojnë për ndonjë alternativë tjetër.

Brdaric2

“Panorama Sport” zbulon se drejtuesit e Tiranës kanë tentuar Tomas Brdariçin. Po, është e vërtetë, ose të paktën kështu bëjnë me dije disa burime në klubin bardheblu.

Mësohet se presidenti Refik Halili dhe pjesë nga stafi i tij drejtues kanë takuar rastësisht trajnerin gjerman. Në diskutim e sipër, Halili me batutë apo jo i ka kërkuar gjermanit nëse është i interesuar për të qenë trajner i Tiranës. Sigurisht që, përgjigjja ka qenë jo. Brdariç ka thënë jo, duke pranuar se do ta drejtojë Vllazninë edhe sezonin e ri. Sigurisht, mund të ketë qenë batutë e drejtuesve të Tiranës, por nëse gjermani lëkundej mund të kishte edhe një mbyllje të kontratës me Vllazninë dhe kalimin te Tirana. Në fakt, kur Brdariç zbarkoi në Shkodër, palët thanë që nuk do ta kishte të gjatë. Kudo ishte dukur konfliktual, por në Shkodër bëri gjëra të mëdha. Bashkoi një qytet, një skuadër që u ndërtua në verë dhe vetëm për punë golash nuk arriti ta fitonte titullin kampion. Një arritje e madhe për Vllazninë, e cila kishte vite që lëngonte në fund të tabelës apo edhe në Kategorinë e Parë, ndërsa sivjet, e dyta në kampionat dhe luan finalen e Kupës së Shqipërisë.

TRAJNERI – Tirana vazhdon që të mos konfirmojë trajnerin për sezonin e ri. Të shumtë janë ata që mendojnë se Orges Shehi duhet të vazhdojë punën. Mësohet se presidenti Refik Halili e ka pyetur për merkaton. Nga ana tjetër konfirmim nuk ka. Trajnerit i mbaron kontrata deri në 31 maj, por ai ka oferta edhe në Kosovë. Gjithashtu, te Tirana po qarkullojnë emra të tjerë trajnerësh. Dy janë më të rëndësishmit, Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli. Dyshja mund të vishet sërish bardheblu. Nga ana tjetër nuk është çudi të shihet ndonjë rikthim tjetër i madh nga viti i titullit, ndonëse Halili ka marrë kohë për t’u menduar.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"