EKSKLUZIVE/ “Tirana fiton derbin”, Hoxhallari nuk fshihet: Më mungon kryeqyteti, bardheblutë do të jenë kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 19:56

EKSKLUZIVE/ “Tirana fiton derbin”, Hoxhallari nuk fshihet: Më mungon kryeqyteti, bardheblutë do të jenë kampionë

Erjon Hoxhallari ishte largimi i parë i Tiranës këtë sezon. Ai u largua nga bardheblutë në drejtim të skuadrës UTA Arad, ndërsa deri tani ka luajtur 11 takime dhe ka qenë në fushë 918 minuta. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi nuk foli për Kombëtaren, por për Tiranën, të cilën e braktisi para pak më shumë se 10 vitesh. Mbrojtësi me Tiranën ka fituar gjithsej 2 tituj kampionë dhe 1 Kupë të Shqipërisë. Futbollisti mëngjarash mund të mbulojë dy pozicione, si qendërmbrojtës dhe si anësor. Në sezonin e fundit Hoxhallari luajti në 33 ndeshje, shënoi një herë dhe dha tri asiste.

HOXHALLARI 1

E keni ndjekur Tiranën këto kohë që keni qenë në Rumani. Si ju është dikur në fushën e lojës?

Po, e kam ndjekur skuadrën. Ka shumë lojtarë të rinj, të cilët duan kohën e tyre për t’u ambientuar me ekipin dhe për t’u futur në mentalitetin e Tiranës. Gjithsesi, them se ndeshje pas ndeshjeje janë duke u lidhur më shumë me njëri-tjetrin dhe besoj se do të jetë përsëri ekipi kryesor për titullin kampion.

Ç’ndjesi ju krijon fakti që pas më shumë se 10 vitesh nuk do të luani në derbi?

Derbi është ndeshja më e bukur që ka kampionati shqiptar. Ndeshje që të jep shumë emocione të veçanta si në fushë dhe jashtë fushës së lojës. Unë këtë radhë do ta shijoj nga ekrani dhe duke shijuar ato emocione nga ekrani do ta shoh si është në ndryshim nga fusha dhe larg Shqipërisë.

Bardheblutë kanë pesë ndeshje që nuk munden në fushë. Mund ta fitojë Tirana derbin?

Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, pasi edhe Partizani ka bërë një ekip dinjitoz dhe kjo ndeshje do të vendoset nga episodet. Ama besoj që në fund Tirana do të triumfojë dhe do të jetë ndeshja, e cila do ta çojë sërish drejt titullit kampion.

Çfarë duhet të bëjë Tirana që ta fitojë derbin me Partizanin në këtë kampionat?

Këto ndeshje janë për t’u shijuar. Këtë gjë duhet të bëjnë dhe futbollistët. Ta shijojnë dhe të jenë të përqendruar nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.

Si po shkon aventura në Rumani? Keni luajtur nga 90 minuta dhe tani jeni titullar i padiskutueshëm…

Deri tani jam duke ecur mirë. Janë zhvilluar 11 javët e para dhe i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Besoj se nga ndeshja në ndeshje jam ambientuar dhe shpresoj që në fund të arrijmë tek objektivi që i kemi vënë vetes si skuadër.

Ju nuk e bëtë sezonin 2019-2020, ku fituat kampionatin. Tirana a e mbron titullin kampion?

Është akoma herët për të thënë se kush del kampion, por besoj që ka shumë shanse që Tirana ta mbrojë titullin. Them kështu, pasi lojtarët i ka. Grupin e ka dhe profesor “Gesi” e ka eksperiencën tani. Jam i bindur që janë një nga ekipet favorite për trofeun.

Si është për një njeri që ka luajtur gjithë jetën me bardheblutë. Ju mungon Tirana?

Normalisht që më mungon, sepse aty jam rritur si futbollist dhe kam kaluar 10 vite. Ndryshon çdo gjë dhe të mungon edhe vendi ku uleshe në dhomat e zhveshjeve.

Keni ndonjë kujtim të veçantë nga derbet që keni luajtur dhe ato nuk janë pak?

Kujtimi më i veçantë normalisht është derbi i fundit ku dhe u shpallëm kampionë. Nuk ka gjë më të bukur se aq.

Nuk jeni thirrur në Kombëtare, pse?

Nuk kam asnjë koment, vendimi është i trajnerit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"