EKSKLUZIVE/ Tirana dhe Partizani në hall për stadium, planifikohen 900 mijë euro investim për fushën e “Air Albania”-s (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 0:00

EKSKLUZIVE/ Tirana dhe Partizani në hall për stadium, planifikohen 900 mijë euro investim për fushën e “Air Albania”-s (E PLOTË)

Tirana dhe Partizani do të jenë në kaos për fushën ku do të luajnë. Duke qenë se stadiumi “Air Albania” nuk pritet të jetë në dispozicion pas nëntorit për shkak se do t’i nënshtrohet procesit të rinovimit të tapetit të barit, atëherë mbetet opsion i vetëm në kryeqytet vetëm stadiumi “Selman Stërmasi”.

Selman Stermasi

Për dy skuadrat kryeqytetase, që në çdo start sezoni nisin si pretendente për titull, edicioni i ri i përplas të dyja në një fushë që është në gjendje të mjerueshme. Për fat të keq, rimbjellja e barit nuk rezultoi efikase, duke qenë edhe se në atë stadium janë zhvilluar aktivitete dhe ndeshje apo stërvitje të ekipeve kombëtare, tanimë nuk ka shumë shpresa për përmirësim të situatës me nisjen edhe të sezonit të shirave.

“ARENA KOMBËTARE”

Stadiumi i ri kombëtar ka pasur një defekt të dukshëm sa herë në të është zhvilluar një ndeshje, ndërkombëtare apo e kampionatit tonë: Fusha. Fakti që bëhet fjalë për një stadium të mbyllur, cilësia e fushës dhe shumëçka tjetër kanë bërë që terreni i barit të jetë më se i brishtë, aspak i lidhur dhe i rrënjëzuar për të qenë një tapet kompakt. E për të mos pasur më plisa të tillë dheu që dilnin nga sparkatat e lojtarëve gjatë ndeshjeve është vendosur që në stadiumin “Air Albania” të vendoset një tapet me bar hibrid.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se në bazë të inspektimeve që janë kryer në fushë, matjeve dhe testeve të barit është dalë në konkluzionin që investimi i bërë për tapetin aktual, nuk mjafton dhe kërkon ndryshimin e tij.

Fusha Air Albania

BAR HIBRID DHE LLAMBA

Gazeta ka mësuar nga burime të besueshme pranë institucionit të futbollit në vend, se është vendosur që pas ndeshjeve të muajit nëntor të Kombëtares, në impiantin modern në vend të kryhen ndërhyrje për tapetin e barit. Duke qenë se bëhet fjalë për një stadium të mbyllur, ku mungon ajrosja por ka edhe pjesë të fushës në të cilat nuk bie asnjëherë dielli, atëherë është vendosur që të bëhet një investim i cili mund të kushtojë deri në 900 000 euro.  Është caktuar që të blihet një tapet i ri bari, i cili do të ketë përqindje të barit artificial. Pra, fusha në “Air Albania Stadium” do të jetë hibride, ku krahas barit natyral, janë të implementuara edhe fije bari artificial. Kjo është një praktikë e ndjekur gjerësisht në kampionatet elitare europiane, mes tyre në “San Siro” apo kudo nëpër Europë. Për këtë fushë, “Panorama Sport” ka mësuar se nevojiten deri në 400 mijë apo 450 mijë euro. Jo vetëm kaq, por për të mirëmbajtur si duhet këtë lloj fushe është caktuar të blihen edhe llamba ngrohëse bashkë me ventilatorët. Për këto të fundit, gjithashtu mund të nevojiten deri në 450 mijë euro gjithashtu. Kësisoj, për fushën e re të stadiumit Kombëtar do të duhen deri në 900 mijë euro investime.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"