Tirana-Ajaks në “Qemal Stafa”, flet Starova: Me holandezët na çuan të mblidhnim topat pas porte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 17, 2020 | 19:23


Tirana-Ajaks në “Qemal Stafa”, flet Starova: Me holandezët na çuan të mblidhnim topat pas porte

UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Jemi në vitet ’70, futbolli ndiqet me pasion, është një periudhë tejet domethënëse, edhe pse televizorë nuk ka çdo familje. Vijmë pas Botërorit të Anglisë, Kampionatit Europian 1968, Botërorit të 1970-ës, por edhe ndeshjet për Kupën e Kampioneve ndiqen me interes. Luajnë Interi, Milani, Juventusi, Mançesteri i Bestit. Si e kujton Sulejman Starova Ajaksin e asaj kohe? Ç’mendim ka për atë futboll ish-lojtari, trajneri i njohur, opinionisti televiziv? Në një intervistë për “Panorama Sport”, “Bobi” thotë se luante te Shkëndija dhe ishte caktuar me shokët e skuadrës që të kapnin topat pas porte.

sulejman starova

Starova, e keni parë 17 Nëntori-Ajaks të zhvilluar 50 vite më parë?

Ishim në vitin e parë të Mjeshtërisë Sportive. U caktua ekipi ynë, Shkëndija, të kapnim topat pas porte. Kënaqësi e madhe. Na dukej sikur po luanim vetë. Nga porta veriore kam qenë dhe pashë nga afër Surbier kur realizoi golin e parë.

Ajaksi vinte për herë të parë në Tiranë. Sa njihej ajo skuadër në Shqipëri?

Sigurisht që diçka dinim, kishim dëgjuar. Në televizorët bardhezinj të kohës kisha parë finalen e Kupës së Kampioneve 1968 Milan-Ajaks 4-1 e pas një viti Fejnord-Sëlltik 2-1, por Ajaksi i 1968 ende nuk njihej si skuadër e madhe.

Një barazim historik 2-2 në Tiranë, mendoni se Ajaksi shfaqi elemente të futbollit total?

Them se po. Golat? Të dy u realizuan nga mbrojtësi Surbier. Në të parin, vetëm kur e kemi parë Surbier para portës sonë, aq i shpejtë ishte manovrimi dhe presingu që i bënë Kasmit në mesfushë kur e rrethuan dhe i rrëmbyen topin ishte vërtet befasues.

Mbani mend ndonjë detaj tjetër?

Kujtoj Hulshofin, një kolos, ndërsa Krujf ulur në stol nuk luajti. Ishte i dëmtuar, siç na thanë më vonë. Ishin lojtarë që vraponin shumë. Kishin një mbrojtës që shënonte dy gola, diçka e rrallë, por që nuk ishte rastësi. Atë vit unë sapo kisha nisur vitin e parë të Mjeshtërisë Sportive. Dhe si çdo i ri që ëndërronte, ndiqnim me interes e kuriozitet çdo skuadër apo lojtar që vinte këtu. Një sy në Shqipëri, një sy jashtë dhe me Ajaksin u dashuruam të gjithë. Flokë të gjata, fizikisht trupa të mëdhenj, elemente këto që e bënin edhe më madhështor.

Me rastin e 50-vjetorit të lindjes së futbollit total, shtypi sportiv europian shprehet se ka qenë Tirana, ndeshja e parë e Ajaksit ndaj 17 Nëntorit, që merr udhë ky stil modern loje… A bini dakord me një konstatim të tillë?

Këtë e thonë faktet, historia. Në atë sezon, Ajaksi, pasi eliminoi 17 Nëntorin, arriti deri në finale dhe u shpall kampion. Protagonist ishte Krujfi, futbollisti simbol i skuadrës dhe i atij futbolli. Në takimin e luajtur në Tiranë, trajner ka qenë Mishels. Nga Ajaksi, futbolli total u transmetua edhe te Holanda. Një modul modern loje që befasoi botën në atë periudhë.

17 Nëntori me Zhegën e Kazanxhin i shënoi dy gola atij futbolli. Ishte rastësi apo edhe Tirana kishte një skuadër të shkëlqyer?

Me dy gola në avantazh, Ajaks e uli ritmin. Kjo, edhe sepse ndeshja e dytë do të luhej në Amsterdam. Shënoi Kazanxhi i sapofutur në lojë dhe Zhega pas një harkimi të Çeços. Janë vitet e një futbolli me lojtarë cilësorë në klubet shqiptare. Te 17 Nëntori luajtën edhe tre futbollistë të mëdhenj, si Zhega, Çeço e Xhafa. Ajo skuadër ishte si një Kombëtare e vogël. Një vit më parë, kishte barazuar 1-1 me Standard Liezhin në Tiranë.

Ajaksi-ne-Tirane5

Ju kujtohet pse Kazanxhi, lojtar formacioni, nuk luajti që në fillim të lojës?

E kemi marrë vesh me vonë. Arbitrat nuk e lejuan pasi panë parregullsi në këpucët e tij të futbollit. Pasi i riparoi, u aktivizua në pjesën e dytë dhe shënoi golin e barazimit. Kazanxhi kishte një staturë të lartë dhe ajo që i habiti holandezët ishte pse nuk u aktivizua që në fillim. E kujtuan si truk, por pas ndeshjes u informuan për motivin e vërtetë. Siç na kanë treguar, para takimit në Amsterdam i kanë dhuruar një palë këpucë futbolli, por nga frika ai nuk i mori. Fatkeqësisht si Zhega, Kazanxhi, por edhe Frashëri, Kasmi, Dhales, Ishka, Hyka, Mema, janë ndarë nga jeta.

Starova, realisht çfarë ishte ai futboll?

Do t’i referohem Detmar Kramerit, instruktor i FIFA-s, ish-trajneri i Bajern Mynih, kampion Europe, kur vite më vonë erdhi për një seminar në Tiranë. Ai dha një shpjegim, duke bërë një dallim se futbolli total ishte një emër që i vunë gazetarët e opinionistët. Sipas Kramerit, fjalët “futboll total” i çorientuan specialistët, që pyesnin çfarë është ky futboll, ku është sekreti i tij? “As ju mos u çorientoni”, na tha…

Sipas Kramerit, ku qëndronte dallimi?

Bëhet fjalë për një skuadër të mbushur me talente, përgatitje të lartë fizike, ku në mënyrë alternative merrnin pjesë në fazën sulmuese të përhershmit Surbier e Krol, si mbrojtës anësorë. Dy mbrojtësit e qendrës, gjermani Blankenburg e Hulshof, qëndronin në rolin klasik të liberos dhe stoperit, por shpesh i shihje edhe në mesfushën kundërshtare. Pastaj mesfusha me regjinë e Hanit, të palodhurin Neskens, Myren, që edhe këta shfaqeshin para portës. Forcën goditëse të Van Dijkut, Rep në të djathë, driblimet, harkimet e Kajzerit, Sjuart dhe Krujfin në çdo sektor të fushës.

Një tjetër element i futbollit total ishte edhe aplikimi i pozicionit jashtë loje, apo jo?

Duke qenë shumë e përgatitur fizikisht, e gjithë skuadra ushtronte presion të lartë me sulmuesit, mesfushorët, një presing në të gjithë fushën. Kjo i jepte mundësi të aplikonte edhe një formë të re të “offside” artificial. Në atë kurth binin skuadra të mëdha, deri 5-6 lojtarë njëkohësisht. Kujtoj, kur Krujf kthehej në mbrojtje, të famshme ishin sparkatat e tij, kur e merrte topin pa shkaktuar faull. Në Botërorin e 1974-ës, Mishels ia besoi rolin e portierit një 34- vjeçari, Jongbled, joprofesionist, por që luante mjaft mirë lojën me këmbë, duke dalë e mbështetur deri në mesfushë sulmin e Holandës.

17 nentori Ajaks logo

17 Nëntori-Ajaks, duke vrapuar për në qendër (Foto Di.Kur)

Ka një kuriozitet: Ndërsa në edicionin e parë trajner ishte Mishels, në dy trofetë e tjerë në stolin e Ajaksit erdhi rumuni Kovaç. Thuhet se Ajaksi mund t’i fitonte të gjitha edhe pa trajner?

Nga njeriu “i hekurt” si Mishels, ideatori i atij futbolli, tek Ajaksi vjen një rumun, Stefan Kovaç, që fitoi dy Kupa Kampionesh radhazi. Por, fatkeqësisht ka mbetur një teknik i harruar, ndonëse stërviti e drejtoi një skuadër të madhe, që edhe e vetme mund t’i fitonte të gjitha, thuhet. Por nuk është kështu. Kovaç transmetoi idetë e Mishelsit, krijoi raporte të mira me publikun dhe lojtarët. Në stërvitje shkonte me biçikletë, njeri i thjeshtë, një trajner grupi. Ai u dha liri veprimi lojtarëve, ndryshe nga “diktatura” e Mishelsit. Te brezi ynë, sapo kujton apo përmend Ajaksin e madh, nuk mund të ta shkëpusësh atë pa trajnerin Kovaç. Të gjithë bënim pyetjen se si ka mundësi kjo skuadër e madhe me trajner rumun.

 

Nga Ajaksi te Barcelona, Krujf ndjek Mishelsin…

Pas Kupës së tretë të Kampioneve, në sezonin 1974-1975, Krujf u largua nga Ajaksi. Shkak u bë votimi në skuadër për shiritin e kapitenit, të cilin e mori Kajzer. Pas atij momenti ai deklaroi largimin. Me Mishelsin u bashkuan sërish te Holanda e Botërorit 1974 dhe në Spanjë te Barcelona, por pa mundur të krijojnë një model spanjoll të futbollit total, për disa arsye. Ka mjaft opinionistë që e konsiderojnë edhe të dështuar këtë sistem loje, nisur nga kombëtarja holandeze pa asnjë trofe në kulmin e saj… Holanda e Botërorit 1974 arriti deri në finale me gola, lojë spektakolare, ku të gjithë shënonin, me një Krujf të jashtëzakonshëm. Edhe finalja filloi 1- 0, me penalltinë e marrë nga Krujf, por përballë ishte një Gjermani kolosale. Historia u përsërit në “Euro ’88″, kur Holanda me Mishelsin në stol, ndonëse pa futbollin total të krijuar prej tij, por me të tjerë kampionë në skuadër, si Van Basten, Gulit e Rajkard, fitoi bujshëm trofeun kontinental.

Po në Shqipëri, ka pasur skuadra që kanë tentuar ta imitojnë futbollin total?

Ka qenë i paimitueshëm, kërkonte përgatitje të lartë fizike. Ishin tentativa modeste, jemi munduar ta imitojmë, djem të rinj, vraponim, si te Shkëndija e Zyber Konçit. Më kujtohet që Konçi merrte informacion në FSHF për rezultatet e testeve fizike të skuadrave të tjera, kryesisht Partizani, 17 Nëntori, Dinamo. Vinte në ekip dhe thoshte: “Ne jemi më lart se ata”. Në fillim të viteve ’70, kur Shkëndija debutoi në Kategorinë e Parë, kthenin sytë dhe vëmendjen kur luante kjo skuadër. Ka qenë një fillim spektakolar, befasues për të gjithë. Ritëm i lartë loje, përgatitje fizike, lojtarë cilësorë. E konsideroj me fat që kam qenë pjesë e atij grupi, një skuadër e madhe për kohën.

xuxi gol Ajaksit ok

Kazanxhi realizon golin e parë, Hulshof pranë tij (Arkiv OISHD)

 

Po në Europë?

Në njëfarë mënyre jam kundër fjalës “Ajaksi i futbollit total”, se nëse do ta krahasoj me futbollin e një skuadre tjetër, do të gjejmë Gjermaninë e ’72-shit. E jashtëzakonshme, nëse e kujtojmë. Ose Borusia Mënshengladbah me Vogts, Netzer, Simonsen, Lefever, Hajnkes, Jansen. Bajern M. me Bekenbauer, Brajtner, Hënes, Kapelman e Gerd Myler. Edhe Liverpul me Nil, Hugs, Sunes, Dalglish, i madhi Kigen, klube që kanë dominuar në vitet ’74-’80.

Starova, pyetja e fundit për ta mbyllur: Ndonëse vite e dekada kalojnë dhe skemat e modulet ndryshojnë, thuhet se diçka i lidh ato?

Sigurisht që ka një fije që i lidh, edhe pse skemat e strategjitë ndryshojnë. Në fund të fundit, interpretimin e tyre dhe diferencën e bëjnë gjithmonë lojtarët e mëdhenj. Sigurisht që çdo taktikë është e lidhur dhe kujtohet me skuadrën që e ka interpretuar më mirë.

LEXONI EDHE:

Tirana-Ajaks, kur “futbolli total” startonte në “Qemal Stafa”




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com