EKSKLUZIVE/ Tifozi i çmendur i Interit që idhull Ibrën, rrëfehet talenti Tuci: Dua debutimin me Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 16:28

EKSKLUZIVE/ Tifozi i çmendur i Interit që idhull Ibrën, rrëfehet talenti Tuci: Dua debutimin me Kombëtaren

Asist nga Enis Çokaj dhe gol nga një tjetër shqiptar. Indrit Tuci po kalon një formë të shkëlqyer në Kroaci. Ashtu si të gjithë shqiptarët e Lokomotivës së Zagrebit, 19-vjeçari me origjinë nga Lezha hapi siparin e golave në fitoren që Lokomotiva siguroi ndaj skuadrës së Varazdinit. Trepikësh i cili e ngjiti ekipin e shqiptarëve në vendin e dytë, që të çon në kualifikueset e Ligës së Kampioneve.

Tuci Lokomotiva

Sulmuesi shqiptar, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon sekretet e golit, skuadrën për të cilën bën tifo, idhullin, synimet me përfaqësuesen kuqezi si dhe detyrimet miqësore që ka ndaj Çokajt për asistin që i dha në ndeshjen e fundit.

Shënuat gol në fitoren e Lokomotivës së Zagrebit. Cila është ndjesia kur shënon një 19-vjeçar?

Ndjesia ishte shumë e mirë. Kjo, për faktin pasi ne po luftojmë fort për vendin e dytë dhe në këtë ndeshje, ashtu si çdo herë tjetër, e kemi detyrim fitoren. Unë kam gjithmonë dëshirë që të ndihmoj skuadrën dhe kur ia dal që të shënoj, është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Jam shumë i gëzuar për fitoren dhe sigurisht për golin që shënova.

I katërti këtë sezon, sa gola synoni deri në fund?

Sinqerisht nuk kam ndonjë synim fiks për numrin e golave. Nuk e kam menduar. Unë vetëm mundohem të punoj sa më shumë, të jem në formën e duhur dhe të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur.

Ishte një asist i bukur nga Çokaj. E meriton një të qerasur apo jo?

(Qesh…) Po, patjetër! Në fakt, ne e kemi si rregull me njëri-tjetrin, që kush shënon, qeras.

U futët thellë në zonë dhe nuk e pritët topin afër pikës së penalltisë. Cili ishte sekreti i atij goli shqiptar?

Në fakt, unë mendova që Çokaj do të ma jepte topin më përpara, pra rreth zonës së penalltisë, siç po thoni edhe ju. Mirëpo, e pashë për një fragment sekonde që ai sulmoi ende më shumë drejt vijës fundore dhe instinkti më çoi mbas portierit. Në fakt, shkova dhe po prisja që të kalonte topi gjë e cila ndodhi dhe unë shënova. Megjithatë, nuk është krejtësisht fat apo instinkt, pasi ne punojmë shumë edhe në stërvitje për fazën e sulmit me situata nga më të ndryshmet.

Si është që të jeni gjysma e formacionit titullar lojtarë shqiptarë?

Është më e lehtë për ne, pasi flasim më shumë shqip dhe kuptohemi edhe më mirë me njëri-tjetrin.

uzuni-tuci

Çfarë synimesh keni pas këtij sezoni?

Unë synoj që të zhvilloj një sezon shumë të mirë dhe të bëj hapin e radhës.

Çfarë konsideroni hap të radhës dhe ku e shihni veten pas këtij sezoni?

Nuk i dihet asnjëherë se cili do të jetë hapi i radhës. Unë kam detyrimin që të përqendrohem te Lokomotiva e Zagrebit dhe të bëj sa më mirë.

Cili është kampionati juaj i preferuar?

Kam dy. Seria A italiane dhe La Liga në Spanjë.

Me cilën skuadër jeni tifoz?

Jam një tifoz i çmendur i Interit.

Kush është idhulli juaj?

Zlatan Ibrahimoviç.

Çfarë synimesh keni në Kombëtare?

Kulmi për çdo futbollist është që të jetë i rëndësishëm për Kombëtaren e tij. Unë, personalisht, këtë vit synoj që të debutoj me Kombëtaren A.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"