EKSKLUZIVE/ “Tifozeria perfekte, unë, Ngo dhe Xhixha super”, rrëfehet Taulant Seferi: Jemi të uritur, kjo Tiranë do trofe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 18:25

EKSKLUZIVE/ “Tifozeria perfekte, unë, Ngo dhe Xhixha super”, rrëfehet Taulant Seferi: Jemi të uritur, kjo Tiranë do trofe!

Taulant Seferi në rolin e liderit. Kërkon nga skuadra të jetë e uritur dhe me këmbë në tokë. Edhe pse nuk e përmend fjalën titull, Seferi e dëshiron. Ashtu si edhe golat që i do të shumtë, por në fund i ndërron për suksesin e skuadrës. Në një intervistë eksluzive për “Panorama Sport”, djaloshi rrëfen sezonin e bardhebluve duke u ndalur edhe te magjia e tifozëve të Tiranës.

seferi

Taulant, sezoni i ri nisi. Mëkat që nuk shënuat dot te goli i parë edhe pse e gatuat ju?

Normal që më vjen shumë keq që nuk shënova. Të them të vërtetën pasi e godita mendova se shënova gol. Gjithsesi, edhe pse nuk shënova jam i gëzuar sepse goli ishte yni, shënova apo nuk shënova unë. E rëndësishme është që bëmë gol.

Keni një vlerësim për veten tuaj këtë javë të parë të kampionatit?

Jam i kënaqur si për rezultatin dhe lojën individuale edhe të ekipit. Kemi bërë atë që prisnin të gjithë nga ne.

Si iu duket Tirana e sivjetshme. Ka pasur shumë ndryshime nga skuadra e vitit të shkuar?

Skuadra është shumë e mirë. Jemi një grup i ri lojtarësh, por në ekip shoh gjëra të mëdha. Të gjithë janë djem me vullnet, dëshirë për të fituar dhe perspektivë për të ardhmen. Diçka që nuk gjendet kollaj.

Mund të më bësh një krahasim me skuadrën e vjetshme dhe sivjetshme. Është më e fortë, më e dobët?

Duhet të piqet apo është gati? Unë nuk dua që të bëj krahasime as të jap vlerësime për dy skuadrat. Shoh që jemi një skuadër e re me shumë të ardhme, por mbi të gjitha jemi të uritur në fushën e lojës për të fituar. Kjo më jep shumë besim për të ardhmen. Dhe nga ky besim shpresat që ne të bëjmë gjëra të mëdha janë të shumta.

Sezonin e shkuar jeni aktivizuar në qendër të sulmit, por këtë sezon luani nga krahët. Cili është pozicioni i preferuar i Taulantit?

Të them të vërtetën kam luajtur në të gjithë pozicionet dhe luaj në çdo pozicion. Nuk e kam fare problem. Kudo të më vendosë trajneri do të luaj. Unë i bëj të gjithë pozicionet e sulmit.

Si ishte të luanit me tifozë në kampionatin shqiptar. Ju nuk ishit përballur me një fakt të tillë?

Kur erdha në fillim dëgjova, por edhe kisha parë se Tirana ka tifozët më të zjarrtë në Shqipëri, por nuk i kisha shijuar. Atë ditë na dhanë një shtysë e besim që të përmbysnim takimin. Ata janë dhe do të jenë një ndihmë e madhe për skuadrën, lojtarët për gjatë gjithë këtij sezoni. Dua dhe shpresoj që t’i gëzojmë çdo ndeshje me fitore.

Cilët janë kundërshtarët për titullin kampion këtë kampionat?

Janë të gjitha skuadrat e sipërme të sezonit të shtuar në tabelën e klasifikimit. Shto Dinamon që ka investuar shumë, Kukësin, Vllazninë, Laçin, Partizanin, Teutën e me radhë. Të them të vërtetën jemi shumë herët për verdikte.

Si i krahasoni dy kampionatet, atë shqiptar dhe maqedonas?

Unë kam kohë që nuk luaj në Maqedoni, por shoh futboll. Them që kampionati shqiptar është më lart. Futbolli këtu është më agresiv, i fortë dhe askush nuk të lë një metër hapësirë.

Në Maqedoni është më ndryshe. Edhe ritmi në Shqipëri është shumë i lartë. Vitet e fundit skuadrat shqiptare kanë dominuar. Bëhet fjalë për Shkëndijën, Shkupin, të mos harrojmë Renovën dhe Milanon e Kumanovës. Skuadrat shqiptare e ndezin kampionatin, por sigurisht Shqipëria është më lart.

Sulmuesi matet me gola. Cili është objektivi i Taulantit?

Kjo është e vërtetë. Sulmuesit i numërohen golat. Nuk kam ndonjë shifër. Dua të bëj sa më shumë sepse do të jetë shumë mirë për mua dhe ekipin. Ama nëse kemi sukses është mirë ekipi edhe individi do të jetë shumë mirë.

Mund ta përmendim fjalën titull?

Është vetëm java e parë. Nuk preferoj që të them fjalë, por ndeshjet duhet t’i marrim një më një. Me shpresë te zoti unë kam besim te skuadra. Ama jo duke fluturuar, nëse jemi me këmbë në tokë rezultatet do të vijnë.

Seferi, Ngo e Xhixha…

E ndiejmë veten shumë mirë. Pamë ndeshjen dhe kemi kombinuar shumë mirë. Kemi bërë gjëra të mëdha në fushë. Kemi shënuar katër gola. Nuk është pak. Kjo tregon se sulmi është mirë. Shpresoj që të na ecë edhe me ndeshjet e tjera duke shënuar shumë në portën e kundërshtarit. Në ndeshjen e parë luajnë rol edhe emocionet dhe pak nga pak do të jemi stabël.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

*Kjo intervistë është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i saj nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"