EKSKLUZIVE/ Thirrja e ndjerë e kapitenit të Vllaznisë: Shkodranë, mos dilni nga shtëpia, shikoni ç’bëhet në Itali..

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2020 | 19:37

EKSKLUZIVE/ Thirrja e ndjerë e kapitenit të Vllaznisë: Shkodranë, mos dilni nga shtëpia, shikoni ç’bëhet në Itali..

Gilman Lika është i habitur se si bashkqytetarët e tij nuk e kanë marrë seriozisht përhapjen e koronavirusit. Kapiteni i Vllaznisë, në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka treguar ditët pa futboll dhe në të njëjtën kohë u ka bërë një apel të ndjerë qytetarëve shkodranë. Pavarësisht masave ekstreme që janë marrë, sërish në qytetin verior njerëzit dalin masivisht në rrugë.

vllazniXhirot vazhdojnë në atë që cilësohet si rruga e Molos dhe gjithashtu ajo që të çon në drejtim të Shirokës, prandaj dhe Lika gjen momentin që përmes “Panoramasport.al” t’u kujtoj shkodranëve atë që po ndodh në Itali.

Gilman, një situatë të paprecedentë. Si po e përjetoni këtë moment të vështirë për të gjithë shqiptarët?

Nuk e di çfarë të them, pasi është vërtetë një situatë e paprovuar më parë. Unë vetëm shpresoj që të kalojë sa më shpejt ky rrezik dhe njerëzit të nisin jetën normale.

Në Shkodër, edhe pse vendi është në kushtet shtetrrethimi, qytetarët e kanë thyer rregullin duke dalë në rrugë masivisht. Të habit ky fakt?

xhiro
         Pamje nga xhirot e ditëve të fundit të qytetarëve në Shkodër

Patjetër që më habit, por më shumë nuk e kuptoj pse nuk marrin seriozisht njerëzit këtë pjesë. Ajo që po kalon Italia është e frikshme.

Ju vetë i keni zbatuar të gjitha këshillat?

Sigurisht. Me këtë rast iu bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi që të qëndrojnë në shtëpi. Më mirë 2-3 javë në shtëpi, sesa Zot na ruaj të ndodhi ajo që po ndodh në Itali. Pastaj do të jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi për disa muaj me radhë.

Sa ndikon tek futbollistët kjo ndërprerje e gjatë?

Edhe tek ne ndikon shumë, sepse nuk po stërvitemi në mënyrë të rregullt. Megjithatë, aktualisht është e rëndësishme ta kalojmë këtë situatë, e më pas të flasim për futboll.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"