EKSKLUZIVE/ Theu “tabunë” 39-vjeçare, Stojkov rrëfehet 8 vite pas golit: Fiton Skënderbeu! Na ishte bërë si fobi fusha e Vlorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2023 | 21:56

EKSKLUZIVE/ Theu “tabunë” 39-vjeçare, Stojkov rrëfehet 8 vite pas golit: Fiton Skënderbeu! Na ishte bërë si fobi fusha e Vlorës

Flamurtari-Skënderbeu është një nga ato ndeshje që mbart jo vetëm emocione dhe garë të ashpër në fushë, por edhe shumë trofe… Gjithë historiku e bën përballjen e së shtunës, tepër të veçantë. I këtij mendimi është edhe njeriu që theu “tabunë” 39- vjeçare që bardhekuqtë kishin në Vlorë.

Stojkov

Ishte 8 marsi i 2015-s kur do të fitonin pas një mungese që zgjaste prej 4 dekadash dhe “heroi” ishte Aco Stojkov. Ai gol i shënuar nga sulmuesi në të 51-ën minutë, do të çonte peshë zemrat e korçarëve. Pas fiks 8 vitesh, maqedonasi rikthehet në skenë.

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ai ka ndarë nostalgjinë e atyre viteve dhe më gjerësisht ndalet tek ajo sfidë. Edhe pse është shkëputur nga Shqipëria dhe aktualisht është drejtori tek Akademia Pandev, tregon se vijon të ndjekë dhe interesohet për Skënderbeun edhe sot e kësaj dite.

Stojkov, shumë vite pa u dëgjuar. A e ndiqni më Skënderbeun?

Është një kënaqësi për mua të rikthehem të flas për median tuaj, më të madhen në Shqipëri. Sigurisht që me Skënderbeun jam i lidhur, pavarësisht se nuk qëndrova shumë gjatë. Ai klub fitoi respektin tim dhe vazhdimisht interesohem për të.

Ace Stojkov

Më ka ardhur keq vjet kur ra një kategori më poshtë, pasi nuk e meritonin një situatë të tillë. Por sot ndihem mirë që e shoh në vendin e parë në klasifikim dhe pretendent për t’u rikthyer sërish në elitë.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje te ky ekip?

Kam parë që në stol është ulur një mik imi. Edhe pse nuk kemi luajtur bashkë me Gvozdenoviç, kam marrëdhënie të mira dhe më bëhet qejfi për të. I ka rikthyer Skënderbeut mentalitetin e duhur dhe shoh te lojtarët se janë të bindur që po veshin një fanellë me peshë dhe duhet të sakrifikojnë në maksimum për të. Kanë 12–13 ndeshje radhazi që arrijnë rezultate pozitive dhe shpresoj që të vazhdojnë kështu edhe në 5 javët e mbetura.

Në fundjavë luhet “derbi” Flamurtari-Skënderbeu…

Ju e thatë mjaft mirë, është një derbi. Të tilla ndeshje tregojnë vlerat e një lojtari, një grupi e një klubi.

Si e kujtoni ndeshjen e 2015-ës, kur me një gol tuajin i dhatë Skënderbeut fitoren që mungonte prej 39 vitesh?

E kujtoj me nostalgji dhe mall. Madje tani që ma përmendët më sollët në kujtime shumë fakte interesante dhe mbresëlënëse. Skënderbeu ishte në majën e futbollit në atë kohë, por fusha e Vlorës ishte një tabu që nuk po thyhej prej vitesh.

Ne e dinim mirë këtë gjë dhe trajneri na kërkoi që të hynim në fushë të qetë, pa menduar asgjë. Atë bëmë, u futëm dhe asnjë detaj, sado i vogël, nuk depërtonte te ne. Ishim të ftohtë dhe të përqendruar vetëm te ndeshja. E kemi dominuar Flamurtarin atje dhe arritëm të fitonim.

Çfarë e bënte ndeshjen në Vlorë kaq të vështirë?

E keni idenë kur nuk fiton në një fushë prej shumë kohësh dhe të krijohet ajo ide që të bllokon?! Ashtu ndodhte me Skënderbeun, pasi hynim në fushë të ngarkuar dhe mendonim që kjo ndeshje është e vështirë, nuk ia dalim dot, e gjëra të tilla, deri në atë moment kur thyem “tabunë” dhe fituam me rezultatin 0-1.

Ajo ishte pika e kthesës dhe po ta shikoni Skënderbeu ia ka dalë të fitojë edhe herë të tjera në Vlorë, madje edhe më bindshëm.

Stojkov2

Sot si i shikoni të dyja ekipet?

Janë dy ekipe me traditë dhe kjo e bën ndeshjen shumë të rëndësishme. E them këtë pasi përballen dy titanë. Mendoj se Skënderbeu është më i avantazhuar, është në vendin e parë dhe luan për dy rezultate. Flamurtari nuk po kalon momentin më të mirë të mundshëm dhe këtë e sheh si barkën e fundit. Kjo bën që presioni të jetë mbi vlonjatët.

Së fundi, me çfarë merret Stojkov pas mbylljes së futbollit të luajtur?

Momentalisht jam drejtor sportiv tek Akademia Pandev. Jemi në sezonin tonë të parë me mua si drejtor dhe për shkak të ndryshimeve të shumta këtë sezon kemi një objektiv të vetëm që është qëndrimi në kategorinë e më të mirëve. Por na presin punë të mëdha, pasi klubin do ta blejnë të tjerë presidentë, do të ndryshojë emrin dhe pritet që të ketë një rritje cilësore. Jemi duke punuar për të ndërtuar edhe bazat për sezonin e ardhshëm.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"