EKSKLUZIVE/ “Teuta në krye me lojë apatike”, Plori replikon me Martinin: Mund të fitojnë si Interi, s’jemi në diktaturë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2021 | 23:44

EKSKLUZIVE/ “Teuta në krye me lojë apatike”, Plori replikon me Martinin: Mund të fitojnë si Interi, s’jemi në diktaturë

Elvis Plori dhe Edi Martini, për herë të fundit kanë qenë së bashku pjesë e Vllaznisë si futbollistë kur shkodranët fitonin kampionatin në vitin 2001. Por, dy dekada më pas, ata luftojnë për titullin me role të rëndësishme në stafin teknik të Vllaznisë dhe Teutës. Zv.trajneri i kuqebluve, Plori, nisi i pari ngacmimet për lojën që bëjnë durrsakët, ndërsa të dielën, shkodrani i Teutës, Martini, i dha një përgjigje me stilin e tij Elvisit. “Panorama Sport” kontaktoi këtë të fundit për të mësuar më shumë rreth kësaj përplasjeje shkodranësh, por edhe asaj që vetë Plori mendon për duelin për titull me Teutën.

plori brdaric

Foto: F.Hazisllari

“Ndoshta Martini mund të jetë keqkuptuar ose nuk i ka pëlqyer ajo që unë kam thënë. Nuk kam pasur asgjë personale me të, por thjesht kam dhënë një mendim në lidhje me ndeshjet që kemi zhvilluar deri më tani kundër Teutës. Kam thënë se Teuta në përballjet kundër nesh nuk ka luajtur futboll të bukur dhe i qëndroj atij mendimi.

Kjo është ideja ime dhe nuk ka ndonjë gjë të keqe këtu, pavarësisht se Teuta është në vendin e parë dhe mund të shpallet kampione. Ekipi durrsak mund të shkëputet edhe me 10 pikë, por personalisht nuk më pëlqen futbolli që luan kjo skuadër. Nëse Edit i djeg kjo dhe e kthen në personale, them se gabon. Nuk kemi pasur asgjë kundër njëri-tjetrit. Martinin e kam konsideruar si mik, nuk kam pasur asgjë personale me të”, ka sqaruar fillimisht Plori.

NUK DO “LUFTË”

Numri dy i pankinës së Vllaznisë mundohet të sqarojë edhe një herë atë që ka dashur të thotë më konkretisht në lidhje me Teutën gjatë emisionit “Rubrika Sportive” dhe si Shkëlqim Muça u bë shkas për këtë debat. “Kush e ka ndjekur me kujdes deklaratën time, jam shprehur se Teuta ka një mbrojtje shumë të mirë dhe një skuadër me ekuilibra. Këto janë fjalë që trajnerit i japin vlera, për më tepër që me këtë mënyrë loje, Teuta ka shkuar në vendin e parë. Gjithsesi, reagimi që bëri Martini është punë e tij. Unë nuk mund të bëj luftë me të, pasi e kam shkodranin tim. Kam gëzuar respekt për të, ka mendimin e tij, siç dhe unë kam timin. Ndoshta e ka keqkuptuar atë që unë kam thënë. Kujtoj që kam replikuar më tepër me Shkëlqim Muçën, i cili ka shprehur dëshirën të dilte Teuta kampion, por duke mos folur si specialist futbolli. Nuk po them që pse nuk tha që duhet të dilte Vllaznia, ama ai që ndjek futbollin, do që të shohë një ekip që luan bukur.

Këtu lindi debati, sepse Teuta nuk është se ka bërë futboll të bukur. Por, ama mund të dalë kampion siç doli edhe Interi. Kam idetë e mia për futbollin. Nuk e ul veten të replikoj duke bërë debat me një njeri që e konsideroj mik. Unë përsëri i qëndroj asaj që kam thënë. Për mua Teuta nuk ka luajtur deri më tani një futboll të bukur. Është në vendin e parë me 13 barazime, por me një lojë apatike, që bjeri topit përpara dhe fito falë cilësive të Bregut dhe mbrojtjes së fortë. Ky është mendimi im dhe nuk është e thënë që të imponohem. Martini mund të ketë të drejtë nëse thotë që ‘merru me skuadrën tënde, jo me timen’. Këtu jam dakord, por ne jemi njerëz të futbollit dhe në momentin që na pyesin, secili përgjigjet ashtu siç e ndien. Normalisht që kjo duhet marrë me sportivitet sepse nuk jemi në diktaturë…”, deklaroi 42-vjeçari.

plori

NISËN LLOGARITË

Pas një ecurie negative, Vllaznia ndryshoi taktikë dhe nisi llogaritë për të grumbulluar pikët që i duhen për të siguruar së pari Europën. “Unë them se po të ndiqnim këtë taktikë më herët, ndoshta nuk do të kishim këto mundësi, sepse jemi në varësi edhe të situatës së skuadrës, që ka vuajtur jo pak prej mungesave për dëmtime apo kartonë në ndeshje të rëndësishme. Natyrisht kjo duhej bërë, por kemi qenë të kushtëzuar. Sërish jemi mirë, pasi skuadra ka harmoni dhe një lidhje shumë të mirë të grupit. Vllaznia ka entuziazëm dhe deri në fund është e hapur gjithçka. Ndoshta ballafaqimet direkte mund të vendosin shumë, por unë them që kush gabon më pak me skuadrat që janë më poshtë, ai do të arrijë objektivat”, është shprehur krahu i djathtë i Brdariç.

KUPA ME LAÇIN

Në fund zv.trajneri bëri një koment edhe për ndeshjen e nesërme ndaj Laçit për gjysmëfinalen e Kupës. “Diferencat janë shumë të vogla mes dy skuadrave, duke parë edhe ndeshjen e fundit që luajtëm në Laç. Nuk po them që është 100 % çështje fati, por kjo do të varet edhe me rastet që do të paraqiten në 90 minuta. Është një takim që çdo lojtar që aktivizohet duhet të gabojë sa më pak. Pres një ndeshje shumë të fortë, një lojë shahu, e cila shpresoj të anojë nga ana jonë”, përfundoi Plori.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"