EKSKLUZIVE/ “Teuta më kërkoi që në janar, ja si ia dalim për titullin”, Karabeci: E falenderoj Tiranën, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 22:20

EKSKLUZIVE/ “Teuta më kërkoi që në janar, ja si ia dalim për titullin”, Karabeci: E falenderoj Tiranën, por…

Teuta bën një goditje të madhe në merkato dhe blindon përfundimisht repartin e mesfushës. Erando Karabeci është zyrtarisht afrimi i radhës i durrsakëve, teksa dje ish-kapiteni i Tiranës u prezantua në ambientet e klubit, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare. 31-vjeçari ka një eksperiencë të madhe mbi supe, ku pasi nisi karrierën te Partizani, më pas për 11 sezone rresht luajti me Tiranën, ku vetëm një muaj më parë ngriti edhe trofeun e titullit kampion.

karabeci

Në karrierën e tij Karabeci ka edhe një aventurë të shkurtër te Kukësi, pikërisht në verën e vitit 2013, ku skuadra verilindore kaloi tri ture në Ligën e Europës. Menjëherë pas hedhjes së firmës me klubin durrsak, Karabeci foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar arsyet pse zgjodhi Teutën, por jo vetëm. Mesfushori pati një ofertë joshëse nga Gjilani, por në fund pranoi të vazhdonte karrierën me Teutën.

Erando, zgjodhët Teutën për të vazhduar karrierën. Çfarë ju bindi për të firmosur me klubin durrsak?
Normalisht që Teuta është një nga ekipet kryesore në Shqipëri dhe arsyeja pse vendosa të pranoja ofertën ishte se ky klub këmbënguli për mua. Madje, po ju zbuloj se që në muajin janar trajneri i Teutës shprehu dëshirën që unë të bëhesha pjesë e skuadrës. Gjithsesi, çdo gjë u vendos tani dhe për këtë ndihem i vlerësuar. Më bindi potenciali që ka Teuta si skuadër. Unë jam nga Tirana dhe kisha dëshirë të luaja në Durrës, sepse edhe këtu ndihem si në shtëpinë time.

Me cilët nga lojtarët aktualë të Teutës njiheni më mirë?
Shumicën e djemve i njoh mirë. Me Emiljano Vilën jam rritur, por edhe me Renato Arapin kemi luajtur në kombëtaret e moshave. Unë kam shumë besim, sepse ky është një grup i mirë dhe mund të bëjmë gjëra të mëdha bashkë. Jam i lumtur që iu bashkova Teutës, sepse mendoj që me eksperiencën që kam, mund ta ndihmoj shumë ekipin durrsak.
erando karabeci
Të flasim pak për largimin nga Tirana, aty ku e mbyllët si kapiten dhe ngritët trofeun. A keni ndonjë peng?
Normalisht si çdo fillim e ka edhe një fund. Unë nga Tirana largohem pas 11 vitesh, ku kam kontribuar shumë. Kam marrë shumë nga Tirana, ashtu siç ka marrë edhe ekipi nga unë. I falënderoj për vitet që kam kaluar, pasi ka qenë pjesa dërrmuese e karrierës. Kam sakrifikuar jo pak, por tashmë do të shoh vazhdimësinë, pasi kam një sfidë të re.

Çfarë prisni të arrini te Teuta?
Në aspektin personal dua që të bëj një përfaqësim sa më të mirë, sepse siç e thashë edhe më lart, kam besim te ky grup. Teuta e ka fanellën të rëndë. Shpresoj të marrim maksimumin e mundshëm, të luftojmë jo vetëm për Europën apo për Kupën e Shqipërisë, por edhe për titullin kampion.

Ju besoni se Teuta i ka mundësitë për të tentuar titullin?

Që të jem me këmbë në tokë, duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, sepse kampionati është i gjatë. Do të ketë konkurrencë dhe ekipe të forta, por nëse kemi besim te vetja dhe sillemi njësoj çdo ndeshje, atëherë çdo gjë është e mundur. Teuta duhet të luajë si në Europë me Beitarin dhe ashtu mund të shkojë lart. Përmendët Beitarin.

Si ju duk skuadra në atë takim dhe besoni se mund të bëhet një surprizë edhe ndaj Granadës?

Në momentin e parë që shorti e vuri Teutën përballë Beitarit, të gjithë ishin skeptikë, por futbolli është i paparashikueshëm. Nëse jep maksimumin dhe fokusohesh 100%, çdo gjë bëhet e mundshme. Teuta këtë bëri në turin e parë, pra luajti shumë mirë, kishte besim te vetja dhe arriti të fitonte ndeshjen. Tashmë turi i dytë është akoma më i vështirë, pasi dihen cilësitë që ka Granada. Është një tjetër nivel futbolli, por ne duhet të futemi në fushë dhe të luajmë pa frikë. Është nga ato ndeshje që duhen shijuar, sepse në fund të fundit nuk kemi se çfarë të humbim ndaj një klubi që është pjesë e La Ligës.

ZAMIR QYPI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"