EKSKLUZIVE/ Teuta godet në merkato, blindon mbrojtjen me Nuredin Orelesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2018 | 12:23

EKSKLUZIVE/ Teuta godet në merkato, blindon mbrojtjen me Nuredin Orelesin

Nuredin Orelesi do të jetë afrimi i radhës për Teutën në kuadër të përforcimit të skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Burime pranë klubit durrsak bëjnë me dije se 29-vjeçari gëzon besimin e plot të stafit teknik dhe drejtuesit kanë nisur bisedimet për të nënshkruar një marrëveshje me mesfushorin, që në edicionin e fundit ka luajtur edhe si mbrojtës qendre.
Orelesi vllaznia

“Orelesi është në planet e stafit teknik për sezonin e ri. Kemi pasur kontakte me të dhe jemi afër arritjes së marrëveshjes. Besoj se gjithçka mund të mbyllet shumë shpejt dhe ai do të jetë pjesë e Teutës”, tha një burim i klubit “Panorama Sport”. Orelesi ka një eksperiencë të madhe në Kategorinë Superiore, ndërsa ka luajtur për disa klube të mëdha si Dinamo, Skënderbeu dhe së fundi Vllaznia. Gjatë karrierës së tij të gjatë në Kategorinë Superiore, ai ka fituar katër herë titullin kampion, 2 herë Superkupën e Shqipërisë, ndërsa ka dalë dy herë në finale të Kupës së Shqipërisë.

orelesi-658x425

Aktivizimi – Në kampionatin e shkuar mesfushori ishte pjesë e kuqebluve që nuk arritën të siguronin qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, në aspektin personal ai nuk mund të quhet një sezon i keq, pasi Orelesi ishte një titullar stabël si në drejtimin e Armando Cungut, ashtu edhe të Ernest Gjokës. Mesfushori nigerian grumbulloi 30 ndeshje nga 36 në total në kampionat, ndërsa grumbulloi 11 kartonë të verdhë. Afrimi i tij do të jetë një vlerë e shtuar për Teutën, pasi përveç forcës dhe klasit, eksperienca e tij është shumë e nevojshme për një ekip të ri si “djemtë e detit”. Gjithashtu, një tjetër element pozitiv është edhe fakti që trajneri Shkëmbi e njeh mjaft mirë mesfushorin, pasi ka luajtur me të për katër sezone te Skënderbeu dhe e di se sa e rëndësishme është të ketë në gjirin e tij një lojtar me forcën e 29-vjeçarit. Gjithashtu, trajneri mund ta aktivizojë atë në disa pozicione.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"