EKSKLUZIVE/ Teuta-Apolonia, Jeton Krasniqi sfidon vëllain e madh: Blerim po vijmë për të fituar, jo për të parë detin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 15:55

EKSKLUZIVE/ Teuta-Apolonia, Jeton Krasniqi sfidon vëllain e madh: Blerim po vijmë për të fituar, jo për të parë detin

Jeton Krasniqi mbushi 20 vjeç vetëm pak javë më parë. Ai ka dalë nga moshat e Besës, më pas është bërë pjesë e Kamzës në Kategorinë Superiore dhe tashmë prej dy sezonesh ka veshur fanellën bardhejeshile të Apolonisë. Bëhet fjalë për një futbollist shembullor, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe për ekipet e moshave të Apolonisë, sidomos për U-19 që u shpall kampione.

Krasniqi

I rikthyer tek ekipi i parë pas një dëmtimi të gjatë, Krasniqi po arrin gradualisht formën e tij optimale dhe i ka lënë mbresa pozitive trajnerit Fabricio Kamarata, i cili e ka aktivizuar si zëvendësues që në ndeshjen e parë të italianit në pankinë, ndërsa me Skënderbeun në Korçë e nisi titullar. Jetoni është vëllai i sulmuesit Blerim Krasniqi të Teutës, i cili gjithashtu shkëlqimin e tij e pati tek Apolonia, para se të kalonte te Skënderbeu dhe më vonë te “djemtë e detit”.

Dhe kjo javë, më saktë të dielën në orën 16:45 në Durrës, i vë dy vëllezërit përballë njëri-tjetrit, si kundërshtarë që do të kërkojnë fitoren. Blerimi e pret si mik Jetonin, por në 90 minuta në fushë nuk do ta njohin njëri-tjetrin për… vëlla.

Një garë e bukur mes dy futbollistëve modelë edhe në jetën e përditshme. Krasniqi “i vogël” sfidon Krasniqin “e madh” dhe në kuadër të përballjes Teuta-Apolonia, për “Panorama Sport” flet Jetoni.  “Vëlla, vij për të të mundur, jo për të parë… detin”, thotë mes të tjerash dhe duke qeshur sulmuesi i skuadrës fierake para duelit.

Jeton, jeni rikthyer në fushë pas një dëmtimi të gjatë dhe po fitoni besimin e trajnerit Kamarata. Si ndiheni?

Si jo më mirë. Ka qenë një periudhë e vështirë për mua. Shihja fushën dhe nuk mund të luaja dot. Është njësoj si një i uritur që sheh ushqimin, por nuk mund ta hajë dot dhe vetëm kapërdihet. E falënderoj stafin dhe trajnerin për besimin ndaj meje dhe u premtoj se do t’ua shpërblej me punën time maksimale. Vëllai juaj, Blerimi, është një sulmues i njohur në Shqipëri.

Jeton Krasniqi

Sa ka ndikuar ai te Jetoni në aspektin sportiv?

Patjetër që Blerimi ka pasur ndikimin e tij në fillimet e mia. Ai më ka ndihmuar me këshillat dhe me trajnimin që më ka bërë. Pastaj, pjesa tjetër është e ndërthurur me punën që unë kam bërë. Pra, me këshillat e tij dhe me forcat e mia, kam arritur deri këtu ku jam, por do të vazhdoj për t’u rritur akoma edhe më tepër.

Po në përzgjedhjen për Apoloninë, ka pasur ndikim vëllai?

Po, ka luajtur rolin e tij në këtë pjesë, duke më folur shumë pozitivisht për vlerat e klubit, të skuadrës dhe sidomos për promovimin dhe hapësirat që të rinjtë marrin tek Apolonia. Dhe unë e pranova Apoloninë pa asnjë mëdyshje, duke qenë i kënaqur që jam këtu.

Një pyetje paksa ngacmuese. Cili është më i mirë, Blerimi apo Jetoni?

Në fushën e lojës apo jashtë saj? (Qesh) Jemi dy Krasniqë të ndryshëm në tiparet e lojës, secili ka cilësitë e veta, por vlerësimet i bëjnë të tjerët, edhe pse Blerimi tashmë është një futbollist me përvojë.

Cili është idhulli i Jetonit në futbollin botëror?

Unë jam besimtar dhe idhull kam vetëm Zotin, ndaj po e zbus këtë shprehje, duke thënë se futbollisti që më pëlqen më tepër është sulmuesi francez, Karim Benzema.

Për cilat skuadra bën tifo Jetoni?

Për Realin e Madridit dhe Gjermaninë.

Po në Shqipëri, veç Apolonisë?

Apolonia e para, pastaj gjithmonë me skuadrat që luan im vëlla, Blerimi.

Cila është ëndrra juaj në futboll?

Të kem një karrierë sa më të mirë, të suksesshme, në Shqipëri dhe në Evropë, pasi futbolli është sporti më popullor në botë. E di që kjo gjë kërkon shumë punë nga unë, por nuk do t’ia kursej hyzmetin.

Të dielën luhet Teuta-Apolonia dhe dy Krasniqët përballë njëri-tjetrit. Si e parashikoni këtë sfidë?

Do të jetë një ndeshje e fortë, e vështirë, jo vetëm për ne, por edhe për Teutën, sepse të dyja skuadrat duan maksimumin. Ne shkojmë me objektivat tanë, por le t’ia lëmë fushës.

Keni një mesazh për Blerimin për këtë ndeshje?

Në shtëpi dhe jashtë fushe, jemi vëllezër, në ndeshje jemi kundërshtarë. Vëlla, po vijmë për të fituar, jo për të parë detin (qesh).

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"