EKSKLUZIVE/ Tetova drejt rikthimit te Egnatia? Reagon presidenti Demrozi: Klubi do të vazhdojë rrugën e drejtë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2023 | 15:47

EKSKLUZIVE/ Tetova drejt rikthimit te Egnatia? Reagon presidenti Demrozi: Klubi do të vazhdojë rrugën e drejtë për…

Edlir Tetova mund të rikthehet tek Egnatia, por si një drejtor sportiv. “Panorama Sport” zbulon se së fundmi ka pasur një ide për të bërë një lëvizje që mund të forcojë edhe më tepër strukturën e klubit, teksa përveç Ndriçim Shtubinës të rikthehej në rol të drejtuesit edhe Tetova, duke qenë se ishin ata, të cilët projektuan Egnatian që në verë.

EDLIR TETOVA

Megjithatë, edhe pse në klubin rrogozhinas janë shtuar zëra se kjo lëvizje është e sigurt se do të konfirmohet në ditët në vijim, ai që “frenon” për momentin është presidenti Agim Demrozi.

I kontaktuar dje për të dhënë detaje të asaj që po projektohet në strukturat e klubit, ai theksoi se një rokadë e mundshme në postet e drejtuesve ende nuk është prioritet dhe se për këtë do të flitet më vonë.

“Një klub si Egnatia ku investohet shumë seriozisht, ka tërë të drejtën e Zotit që për të mirë të punës, të bëjë ndryshime sa herë që mund të gjykohen të arsyeshme. Zërat e fundit për Tetovën dhe Shtubinën momentalisht i quaj të pavërtetë. Unë si president dhe kryesia e klubit nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje të detyruar dhe që në një moment apo në një tjetër na e diktojnë faktorë të jashtëm. Punët e brendshme në klub dhe skuadër, për fat të mirë, shumë të mirë madje, do të thoja ne i njohim dhe i prekim përditë nga afër. Nëse duam të ndryshojmë diçka në të mirë të punës, as na ka penguar e as na pengon ndokush. Egnatia do të vazhdojë rrugën e saj të drejtë për të punuar fort. Jemi një klub serioz që ka mbërritur deri këtu me shumë mund dhe investime konkrete”, deklaroi presidenti i Egnatias në bisedën për “Panorama Sport”.

DELARZH DHE ATANDA MBËRRIJNË TË FUNDIT

Egnatia ka nisur që më 3 janar stërvitjen dhe deri më tani klubi ka konfirmuar afrimin e qendërsulmuesit ganez, Rafael Duamena.

Ky i fundit ka nënshkruar deri në verën e vitit 2024, ndërsa klubi pritet të bëjë edhe përforcime të tjera në ditët në vijim. Në ditët e para të këtij viti, skuadrës i ka munguar qendërsulmuesi kongolez Dzon Delarzh, i cili ka kaluar festat e fundvitit në Belgjikë dhe Francë.

Presidenti i Egnatias sqaroi dje për gazetën se Delarzh ka leje nga klubi për t’u paraqitur në skuadër më 10 janar.

Gjithashtu me ekipin ende nuk është bashkuar as nigeriani Sodik Atanda. Edhe për qendërmbrojtësin, Demrozi sqaroi se ky futbollist do të paraqitet gjatë ditës së sotme në Rrogozhinë.

“Në stërvitjen e fundit më 28 dhjetor të vitit të kaluar kur u komunikuan edhe disa ditë pushimi dimërore prej festave të fundvitit, të dy lojtarët janë paraqitur tek unë për një leje më të zgjatur se ajo e lojtarëve të tjerë, duke pasur disa arsye që lidheshin me kërkesa familjare dhe ne i kemi lejuar të kryejnë hallet që kanë, sepse e kuptojmë se sa rëndësi kanë edhe problemet familjare”, sqaroi kreu i klubit për dy afrikanët.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"