EKSKLUZIVE/ “Tërmeti po shtyn ligjin”, Idrizi: Jemi për lëmoshë, Karitasi të na japë ushqim për lojtarët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 21:31

EKSKLUZIVE/ “Tërmeti po shtyn ligjin”, Idrizi: Jemi për lëmoshë, Karitasi të na japë ushqim për lojtarët…

Tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ka prekur edhe futbollin. Sinan Idrizi thotë se ana financiare është katastrofike, ndaj duhet t’i jepet zgjidhje një orë e më parë. 

Sinan-Idrizi

Frika e administratorit është se situata e emergjencës që po kalon vendi, po anashkalon edhe ligjin e sportit. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai akuzoi se mungon bashkëpunimi mes drejtuesve të klubit.

“Nuk duhet të presim të zgjidhet situata e tërmetit në vend, kur tërmet ka edhe në futbollin shqiptar. Ana financiare është një katastrofë e vërtetë dhe kjo histori do zgjidhur. Duhet që të gjejmë rrugët. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Zgjidheni ose mbajeni vetë klubin. Ne si kompani kemi marrë përsipër një qytet që nuk duam ta njollosim. Nëse vonohen dhe nuk e bëjnë ligjin, nuk ka rrugë tjetër. Problemi është i thjeshtë fare. Ose ta mbajnë këta, ose ata që investojnë. Nuk ka limit më. Ne duam që të jemi korrektë.

Nuk ka kuptim që të mbash lojtarët nëpër këmbë pa rroga. Më jepni një model të klubit shqiptar që është në një situatë të mirë! Nuk ka. Kolegët e mi të klubeve të tjera nuk duan zgjidhje me, sa duket. Kishim lëmë një takim në 3 dhjetor me Libohovën. 80% e klubeve kërkuan shtyrjen e mbledhjes nga tërmeti. Ç’do të thotë kjo? Ka tërmet më të madh se në futbollin shqiptar?! Kjo është një kambanë e madhe për të gjithë. Por këta të tjerët kanë gjetur në fakt, shkojnë pas derës së bashkisë, ne nuk e kemi bërë këtë dhe as do ta bëjmë ndonjëherë”, tha fillimisht numri një i klubit të kuqezinjve.

Idrizi-750x430

ZGJIDHJA

Sinan Idrizi përsërit se do t’i japë një zgjidhje provizore situatës, teksa deklaron se ka arritur marrëveshjen me Bashkinë e Vlorës. Ai garantoi se do ta paguajë vetë ekipin, por do të largohet nëse nuk ka ligj.

“Nuk është puna te marrëveshja me Tatimet, se e bëjmë. Halli është si do ta zgjidhim këtë situatë. Futbolli shqiptar nuk ka kualitet, nuk ka ekonomi, iku edhe gushti, erdhi shtatori, nëntori, dhjetori. Kur do zgjidhet? Ose të na thonë o vëlla, nuk bëhet dhe shikoni punën tuaj. Me këto kushte katastrofike që jemi ne, nuk ka rrugë tjetër. Më gjeni një klub që sot është model suksesi dhe ka bilanc pozitiv! Nuk ka. Zgjidhet apo nuk zgjidhet kjo çështje, del apo nuk del ligji, unë nuk i lë detyrimet e mia.

Do t’i paguaj dhe do të bëj maksimumin që t’i shlyej. Kam që në gusht që them nxirrni ligjin. E zgjidha me bashkinë këtë çështje. Do ta financoj vetë, por nuk paguaj dot nga fondet e mia. Kjo është humbje e radhës nga ana ime. Megjithatë, do t’i paguaj deri në fund detyrimet që kam. Është shumë e shëmtuar që, kur flasim për investime, ne nuk plotësojmë dot rrogat e njerëzve. Kjo është e paimagjinueshme ose thuaj nuk e bëj ligjin dhe iki unë. Dua të marr lojtarë unë në janar, por me këto rregulla loje nuk e bëj dot”, u shpreh administratori.

QIRATË E LOKALI 

Në Vlorë qarkullojnë zëra se klubi nuk paguan qiranë e shtëpive të lojtarëve jabanxhinj. I pyetur për këtë fakt, kreu i Flamurtarit e ka pranuar një problematikë të tillë, por e lidh me shtëpitë e vitit të kaluar, jo me këtë vit.

“Ato shtëpi që thoni ju, unë i paguaj nga xhepi im. Po, është e vërtetë që nuk kemi paguar qiratë, por janë të vjetshmet. Këtë vit nuk ka”, tha Idrizi. Megjithatë, flitet se as restoranti ku drekojnë dhe darkojnë futbollistët nuk është paguar. Idrizi shprehet edhe për këtë çështje. “Shkoni pyesni pronarin e restorantit, paguhet apo jo… I bëjmë thirrje Karitasit të na sigurojë ushqim për futbollistët. Jemi për lëmoshë”, u shpreh Idrizi me ironi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"