EKSKLUZIVE/ Tentativat për trukim në duelin e 1993-shit, flet ish-kapiteni i Shqipërisë Sokol Kushta: Spanja nuk kishte…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2022 | 18:57

EKSKLUZIVE/ Tentativat për trukim në duelin e 1993-shit, flet ish-kapiteni i Shqipërisë Sokol Kushta: Spanja nuk kishte…

Sokol Kushta nuk e beson aspak se Spanja ka ten tuar të blejë ndeshjen me Shqipërinë më 22 shtator të vitit 1993. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares në sfidën e zhvilluar në “Qemal Stafa”, tri dekada më parë, e cilëson të gjithë këtë një aludim të mediave iberike.

Shqiperi Spanje

“Spanja nuk kishte nevojë ta blinte ndeshjen”, thekson ndër të tjera Kushta, i cili ishte edhe autori i golit të vetëm të kuqezinjve në humbjen 1-5. Duke folur për këtë histori, vlonjati komenton edhe miqësoren që do të luhet në Barcelonë, teksa sipas tij çdo gjë varet nga fakti se sa seriozisht do e kenë iberikët.

Sokol, në mediat spanjolle është shkruar se ndeshja Shqipëri-Spanjë, e luajtur në vitin 1993 në “Qemal Stafa”, u tentua të trukohej. Si një protagonist i atij takimi, ku shënuat golin e vetëm kuqezi, çfarë kujtoni?

Unë jam shumë i bindur se nuk ka asnjë shans që të jetë diskutuar ose tentuar për shitje apo trukim ndeshjeje, siç po thoni ju që i referoheni mediave spanjolle. Unë isha kapiten i Kombëtares në atë kohë dhe pikërisht në atë ndeshje. Patjetër që kisha një lidhje shumë të fortë me ekipin. Kishim një unitet, që ishte për t’u vlerësuar midis nesh. Respektonim vlerat.

OK, por mediat theksojnë se u tentua të blihej ndeshja nëpërmjet një ndërmjetësi spanjoll, ndërsa sekretari i përgjithshëm i federatës, Gerardo Gonzalez, deklaroi se refuzoi ofertën menjëherë…?

Shikoni, Spanja nuk kishte nevojë ta blinte ndeshjen, por mediat kanë punën e tyre. Unë mund t’ju them juve se ashtu u aludua edhe për ndeshjen e Uellsit, kur shënova gol unë dhe më pas na barazuan. Kështu që nuk besoj se ka ndonjë të vërtetë që kjo ndeshje është trukuar apo Spanja të tentonte ta blinte. Nuk e besoj fare këtë gjë!

Çfarë mbani mend më shumë nga ai takim në “Qemal Stafa”?

Ndeshja atëherë ishte shumë e fortë, por njëkohësisht ishte edhe e bukur. Unë e them me bindje se rezultati do të ishte më ndryshe, por për disa gabime, ne humbëm me ato shifra. Unë kam qenë gjithmonë me idenë e një ndeshjeje të hapur dhe të fortë. Jo siç kemi luajtur disa herë, në mbrojtje totale dhe kemi kapitulluar që në nxehmje. Më mirë një humbje me dinjitet, se një kapitullim siç ishte ndeshja e fundit me Spanjën.

Jeni një ndër dy shqiptarët e vetëm që i keni shënuar Spanjës, ju bën krenar ky fakt?

Unë ndihem mirë gjithë jetën kur kujtoj çdo gjë dhe t’i bësh gol Spanjës nuk është pak. Por ndihem shumë mirë që jam munduar të bëj më të mirën kur kam luajtur me Kombëtaren. Kjo më bën krenar.

Si e shikoni tashmë miqësoren që Shqipëria do të luajë me Spanjën, çfarë mund të presim nga kjo Kombëtare?

Nuk e di se sa seriozisht do ta ketë Spanja dhe me cilët lojtarë do të luajë kundër nesh. Megjithatë, ne duhet të shikojmë mënyrën si të luajmë kundër një prej ekipeve më të mira të botës.

sssp

LEXO EDHE: Historitë e Shqipëri-Spanjë/ Një duel ktheu marrëdhëniet diplomatike. Spanjollët u mahnitën nga gratë shqiptare në ara

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"